Monday, April 7, 2008

I palodhuri Axhem Çapo

E kush nuk e njeh tanimë Axhemin! Atë, pra, akademikun flokëbardhë që i ka kaluar tetëdhjetë e ca vjeçët dhe vrapon gjithandej si djalë i ri i palodhur. Axhemi është studiues, shkrimtar dhe poet. Po mbi të gjitha është miku i dukatasve. Ai ka lindur në fshatin Dukat të Vlorës më 10 janar të vitit 1924. Shkollën fillore e krau në Dukat, shtatë-vjeçaren në Shkodër dhe të mesmen në Tiranë.

Në vitin 1944 Axhemi doli partizan dhe menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Brendshme, në Burrel e në Shkodër, deri sa u lirua më 1954.
Më vonë, pas një specializimi, filloi punë si teknik markshedër e topograf në ekspedita të ndryshme gjeologjike.

I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri Axhemi filloi të shkruante artikuj, portrete, reportazhe, tregime të shkurtra e poezi në shtypin e kohës.

Pas vitit 1990 shkoi si emigrant në Francë dhe u vendos në Nantë bashkë me gruan, ku fitoi edhe të drejtën si rezident.

Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime në fushën e kurioziteteve dhe enciklopedive sa në Francë dhe në Shqipëri.

Axhemi është jo vetëm miku i labëve, por edhe I çamëve. Është bashkëpunëtor i revistës "Krahu i shqiponjës". Ka shkruar shumë artikuj rreth problemit çam dhe atij kombëtar shqiptar. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Axhemi ka botuar rreth shtatë libra dhe ka edhe disa të tjera në shtyp.

Ja disa prej tyre:
"Dukati ynë", publicistikë, 1998
"I mërguar nga Dukati", poezi, 2001
"Një natë pa hënë", tregime, 2001
"Enciklopedi e Dukatit", 2005
"Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit", 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" I, 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" II, 2007, etj,.etj.

Axhem Çapo vazhdon të shkruajë e i palodhur sikur do të jetojë njëmijë e një vjet. I urojmë jetë sa më të gjatë për vepra edhe më të bukura.

Kostaq Myrtaj
E KUDOGJENDURA MINA ÇAUSHI

Në qendrën e shitjes së librit në mes të Athinës që njihet me emrin "Sto Vivlio", u ula të pi një kafe. Mjedisi i mrekullueshëm, ajri i pastër, turistë nga të gjithë shtetet e botës po edhe dashamirësit e librit të bëjnë për vete e s’të lënë që të largohesh lehtë që andej.

Duke parë nëpër vitrinat e librit më ra në sy vëllimi me titull (Metanastes stin Eladha) që në gjuhën tonë shqipe përkthehet (Emigratët në Greqi). Libër i trashë, me kapak të zi e i bardhë nga brënda. Mbi kapakun e parë ka ca gjurmë, kurse nga kapaku i mbrapsëm të vështron një fëmijë zezak mbështetur mbi valiçen e tij. Pa e lexuar ky libër më futi në botën e tij. E mora. Kushtonte 20 euro. S’më bëri përshtypje më shumë çmimi sesa fakti kur midis të tjerash lexova: "Forumi Metanaston Albanon, që në gjuhën tonë përkthehet (Forumi i Emigrantëve Shqiptarë).

Përfaqësues të emigrantëve shqiptarë ishin tre:
1. Martin Kuke
2. Gazi Kapllani
3. Mina Konomi (Çaushi)

I lexova me një frymë. S’mund ta merrni me mend gëzimin që ndjeja kur lexoja emrat e njerëzve shqiptarë. Por le të ndalemi pak te zonja Mina, te kjo intelektuale e rallë dhe e kudogjendur. Më bëri përshtypje emri i saj sepse ajo si përfaqësuese për gratë shqiptare në Janinë në Maj të vitit 1999 foli jo vetëm për veten e saj si emigrante, por për të gjithë ne, për vendin, për popullin, për marrëdhëniet e dy shteteve Shqipëri-Greqi etj. Kjo grua që punon me kaq vendosmëri e me kaq pasion është e kuadruar prej kohësh në forumin e të drejtave të grave evropiane.

Zonja Mina është dhe poete. Ka botuar tre vëllime poetike dhe një përmbledhje të këtyre vëllimeve në gjuhën greke. Është gjithashtu anëtare e rregullt në "Liter Art", aktiviste në programet dhe aktivitetet e herëpashershme që organizojnë emigrantët shqiptarë në Athinë. Për shembull e kemi parë zonjën Mina në festivalin e fjalës Artistike në Dhjetor 2006, ku u vlerësua me Diplomë Pjesëmarrjeje e Diplomë Nderi për interpretimin e poezisë së saj me titull "Një grusht dhe".

E shkojmë zonjën Mina në festën e dy vjetorit të shkollës në gjuhën shqipe ku ajo dhuroi disa vëllime poetike për nxënësit e kësaj shkolle. Ka marrë pjesë gjithashtu në festat e Majit që u organizuan nga shoqata e shqiptarëve të Lushnjës, të Fierit dhe Përmetit; Në maj 2007 ajo mori pjesë aktive në prezantimet e librit që bënë poetë të ndryshëm si, psh, në prezantimin e poetëve. Ishin poetët e bregdetit si Elviadhi Goro, Robert Goro, Odise Goro, Romeo Çollaku, Spiro Xhavarës etj.

E shohim zonjën Mina në ambasadën shqiptare këtu në Athinë në takimin midis 10 poetëve ku u diskutua mbi krijimtaritë e tyre. E shohim me gratë aktiviste të Helsinkit, e shohim në festivalet antiraciste që zhvillohen në Athinë, e pranishme dhe në javën e filmit shqiptar. E dëgjojmë në emisionet e gjuhës shqipe nën drejtimin e zonjës Bardha Mançe. E shohim në ekskursionin që organizoi shkolla shqiptare në Athinë në dy vjetorin e saj dhe në ekskursionin e saj ne Delfus. E shohim dhe e lexojmë si bashkëpunëtore në Revistën mujore që vjen nga Tirana për emigrantët, te revista (Krahu i Shqiponjës), e shohim të marrë pjesë në takimin kombëtar ndërmjet avokatëve më me zë të Athinës dhe të qyteteve të tjera të Greqisë për lutën kundër trafikimit të femrave e kundër drogës.

E shohim e do ta shohim kudo këtë grua të palodhur e me shpirt të mrekullueshëm.
S’më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj kësaj gruaje fisnike suksese, punë të mbarë për përkrahjen e çështjes shqiptare e të problemeve që hasin femrat kudo në botë. Dëshiroj që të punojë e të aftësohet sa më shumë për të përballuar me sukses këto situata kritike që kalojmë në këtë tranzicion të pandalshëm.

I uroj tërë të mirat kësaj gruaje sakrificash, jeta e së cilës më ka krijuar idenë se të sakrifikosh duhet të jetë një lloj kënaqësie për njeriun intelektual shpirtmadh, siç është Mina.
Ju ftoj të lexoni diçka nga krijimtaria e zonjës Mina dhe ju siguroj se do të mbeteni të kënaqur.

Përparim Shehu
Mësuesja që nuk i njeh kufijtë e dështimit

Mbresa nga jeta e shkrimtares Liri Hidërshaj

Rrallëherë ndodh të takosh gra me vullnet të hekurt, që përveç detyrës si bashkëshorte besnike dhe nëna të përkushtuara, mundohen t'i japin jetës së tyre një kuptim të veçantë, kuptimin për të qenë jo vetëm të dobishme në familje, por edhe pjesë integrale e shoqërisë. Një prej tyre është mësuesja dhe shkrimtarja, tashmë e afirmuar, Liri Hidërshaj, e cila vjen nga qyteti i Skraparit.
Ja si rrëfehet ajo për veten e saj:

- Kam lindur më 1953 në Gjerbës të Skraparit. Shkollën e mesme e kam mbaruar në Çorovodvë në vitin 1972. Studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i kreva në qytetin e Elbasanit. Jeta e gjimnazit është e bukur, por për mua ka një veçanti më shumë sepse aty kam njohur bashkëshortin, bashkudhëtarin e jetës sime. Jam nënë e tre vajzave dhe e një djali të shkëlqyer. Tashmë jam edhe gjyshe e dy mbesave e një nipi dhe shumë shpejt pres të më lindë edhe një nip tjetër. Prej tridhjetë e dy vjetësh merrem me profesionin e mësueses. Tani punoj në shkollën 9-vjeçare "Ramazan Jarani" të qytetit të Tiranës, ku banoj që prej vitit 1997.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga dita kur ajo erdhi në redaksinë e revistës sonë, për të më takuar mua, redaktoren e librit të saj të parë, me poezi, "Klithmë shpirti", por ende e ruaj në kujtese shprehjen që i mori fyryra kur u prezantuam:

- Ju, një vajzë kaq e re, keni redaktuar librin tim?! - shpërtheu ajo e çuditur. - Kisha përshtypjen se do të takoja një grua të moshës sime a mos më shumë...

Sot bisedat tona janë bërë më të lirshme dhe nuk i njohin aspak kufijtë e diversitetit të moshave. Dikur krejt të panjohura, kurse sot diskutojmë për politikë, flasim plot pasion për letërsinë, punën dhe jetën në përgjithësi.

Për mësuese Lirinë edhe detaji më i vogël ka rëndësinë e vet. Kjo vihet re edhe në mënyrën se si ajo flet rreth tre librave të botuar:

- "Klithmë shpirti" është hapi im i parë në fushën e poezisë. Më bluajnë në shpirt sakrificat që bëjnë njerëzit e mirë dhe në veçanti ato që ka bërë nëna ime për ne, fëmijët e saj. S'e di në e kam përshkruar si duhet një sakrificë të tillë në novelën "Mëkim shpirtëror", ku tiparet e nënës sime i kam mishëruar te një nga personazhet kryesore, një grua e moshuar e stërmunduar nga jeta si gjithë nënat. Novela "Rrëfimi" e merr subjektin nga problemet e ndryshme që hasin shpesh mësuesit në shkollë. Të më falë Andi dhe të gjithë fëmijët që kanë probleme në familjet e tyre. Nuk kam dashur t'i lëndoj, por do të doja t'i thoshja kësaj bote të mbrapshte: "Mjaft, se na i vrave të pafajshmit"!

Në krijimtarinë e saj letrare Liria e merr frymëzimin nga jeta plot pathos e fshatit, nga vështirësitë, ankthet dhe të papriturat që të shoqërojnë kudo. Ajo shkruan me respest të veçantë për njerëzit e punës dhe mundohet që nëpërmjet tyre të mishërojë të mirat reale të kësaj bote...

Liria flet gjithë pasion për shkrimtarët që kanë ndikuar në krijimtarinë e saj:

- Më pëlqen krijimtaria e poetit Dritëro Agolli. Ajo është si një gur i çmuar që i reziston kohërave... S'mund të lë pa përmendur stilin e mrekullueshëm rrëfimtar të Jakov Xoxës, ngrohtësinë që të jep "Juga e Bardhë" dhe fantazinë që të zgjon "Luija e Kripës"... E admiroj Mimoza Ahmetin, poezitë e saj janë plot ndjenjë. .. "Këpucët" e Visar Zhitit të veçanta dhe të çmueshme në ekspozitën e këpucëve...

Tek bisedon me të nuk e ke aspak të vështirë të dallosh se preferencat e saj janë të gjithanshme. Ajo nuk e sheh jetën vetëm në kornizën e zakonshme të gruas që pas punës duhet të kthehet e të merret me punët e shtëpisë, por i pëlqen shumë të shkruajë, të lexojë, të ndajë pasditet me miqtë si dhe të shëtisë...
Për më tepër ajo shprehet:

- Më pëlqen stina e vjeshtës me gjethet e verdha në portokalli... Adhuroj detin... Sytë që nuk lodhen së zhbiruari, zemrën me aftësinë e saj për të pulsuar gjakun e jetës pambarimisht... Ruaj sende dhe objekte që lidhen me familjen, origjinën, dhuratat me vlerë... Ruaj një stilograf nga vëllai i madh që nuk jeton më, një gramafon të babait, mbajtëse mjalti nga nëna, një letër të shkruar nga vjehrri që para tridhjetë e tre vjetësh, kur isha studente... Adhuroj udhëtimet turistike... ruaj mbresa të jashtëzakonshme nga ngjitja në malin e Tomorrit, nga pushimet në Dhërmi, Ohër, Mal të Zi, Shkodër ... në Londër, Kinë, etj ...

Mësuesja dhe autorja e tri librave, njëri më i bukur se tjetri, Liri Hidërshaj nuk e njeh dështimin. Çdo gjë të re që sjell jeta për të e merr si një ftesë për ta ndjekur, për të ecur me kohën... Mes shumë të tjerash ajo nuk lë kurrë pa përmendur mbesat e saj të vogla, Kristinën simpatike dhe Isabelën sybojeqielli. Ka shumë për të thënë për mbesat... "Do të dal sërish sivjet t'i pres në aeroport. Ju them se shumë i dua… Po pres"...

Liri Hidërshaj është mësuesja e palodhur që nuk mërzitet kurrë me nxënësit e vet, është shkrimtaria që premton shumë e mbi të gjitha nëna dhe gjyshja me dashuri të pashtershme... është gruaja ku shkrihen më së miri vyrtyti, shpirtmirësia dhe dëshira për të jetuar në paqe me botën dhe njerëzit...

Dylbere DIKA

Saturday, April 5, 2008

Rebelja dhe "Parajsa e shitur"
(Thashethem për kureshtarët)

Shënime për vëllimin poetik të poetes Dylbere Dika

Kisha kohë pa lexuar krijimtari të autorëve të rinj dhe, sapo lexova poezitë e para të poetes së re Dylbere Dika, nga Sllova e Dibrës, ndjeva një befasi të këndshme në vetvete. U shkëputa nga rutina e së përditshmes, siç shkëputet papritmas një gulsh llave nga një vullkan i heshtur dhe u ndjeva i përtëritur. Më dukej se më kishte përfshirë një zgjim i veçantë pranveror dhe kuptohej lehtë se arsyeja e vetme e përtëritjes sime ishte ajo buqetë ndjenjash që po më dhuronte, nëpërmjet vëllimit të saj poetik "Parajsa e shitur", ende pa botuar, Dylberja njëzetedyvjeçare (datëlindja 4 shtator 1979), e cila sapo i ka kapërcyer livadhet e adoleshencës.

"Dhe tani s’ke ndryshuar shumë
Më rend si mëzi pa të zot lëndinave dhe thua:
Është bota zhyl dhe dhunë"…

Pra, si personazhi i vargjeve, edhe poetja është po ajo, adoleshntja e pandreqshme, çamarroke, që paragjykon e gjykon botën tonë dhe nuk përton ta cilësojë atë edhe si parajsa e shitur, ashtu e rebeluar siç ndihet nga përplasja me paudhësitë e jetës.

Poete rebele! E rebeluar në shpirt nga bukuritë e jetës, pronë e të pushtetëshmëve të kësaj bote, mollë të ndaluara për njerëzit e thjeshtë. Vetëm bukuritë e natyrës u lejohet të gëzojnë të thjeshtëve, të njerëzishmëve…

Me të drejtë ndihem edhe unë i brengosur si poetja e shprehur në vargje:

"Udhëtoj me veten:
Me kokë ndër duar,
Me brengë në zemër.
Vdekje me të drejtë"...

Vërtet poetja i uron vdekjen botës!?

Jo! Kurrsesi jo! Njeriu që i këndon krijimit të Parajsës tokësore, që krijon edhe vetë sa mundet, nën shembëlltyrën e të Madhit Zot, nuk mund të pajtohet me vdekjen! Ajo dëshiron vdekjen e së keqes!

Për këtë ëndërron dhe shprehet në poezitë e veta Dylberja, kjo adoleshente e pandreqshme.

Le t’i urojmë Dylberes fat të kapërcejë Ylberin e dëshirave dhe të bëhet një poete e madhe, ashtu siç ëndërron, dhe t’i dhurojë njerëzimit krijimtari edhe më të bukur nga vëllimi i saj poetik "Parajsa e shitur", të cilin po e merr në dorë, i dashur lexues!

Shefki HYSA

Thursday, March 20, 2008

Për Xhulian dhe fëmijët e '97-ës
Shënime për librin "Një engjëll pa krahë"

i shkrimtares Xhulia Xhekaj

E lexova me vëmendje librin e Xhulia Xhekës "Një engjëll pa krahë". Dhe më vuri në mendime. Jo aq për stilin e të shkruarit, as për intrigën dhe subjektin, por për një faktor në pamje të parë ekstraletrar. Më saktë, për paragjykimin që krijohet shpesh nga lexuesi kur kërkon të spegojë krijimin me jetën e krijuesit. Për më tepër, kur autore e librit nuk është veçse një fëmijë 12 vjeç. Pyetja që më lindi qysh në fillim ishte: ç'lidhje ka autorja me ngjarje të tilla si vrasësit serialë, armët, kufomat, pengmarrja dhe izolimi i detyruar i njerëzve, gjyqet, policia etj., si ato që përshkruhen në novelën "e rëndë" të titulluar "Një engjëll pa krahë".

Në qendër të librit është po një fëmijë, me moshën e krijueses, që zbulon shumë herët intrigën e jetës. Erika (kështu quhet personazhi kryesor i novelës), një vajzë jetime, adoptohet nga vrasësja e prindërve të saj. Pse? Për të fshehur gjurmet e krimit, për një krim plus apo për të patur një kujtim nga dashuria e refuzuar dhe shndërruar në urrejtje?

Gjithë novela shtjellon hap pas hapi pikërisht këtë zbulim të frikshëm. Natyrisht, një subjekt i tillë do të kërkonte përgjigje për pyetje të shumta (si, pse, kur) të karakterit investigativ, psikologjik etj., që shoqërojnë letërsine e traditës "horror". Por Xhulia Xhekaj ka arritur, qoftë edhe intuitivisht, që të kapërcejë skemat rutinë të kësaj letërsie. Ajo mban ndezur dhe loz me interesin e lexuesit për aksion dhe intrigë, por nuk kufizohet këtu. Intriga, vrasjet e shumta, armët, ankthi nuk janë veçse mjete të minilaboratorit krijues të letrares për të zbardhur pasionet dhe instiktet bazë të njeriut.

Zonja Lauren, "Kuçedra", femra vrasëse, ka një pasion të tërbuar jo thjesht nga xhelozia dhe mungesa e një ndjenje të refuzuar, por nga egoja e saj për zotërim dhe sundim. Ajo nuk vret thjesht për dashuri, xhelozi dhe refuzim, por nga etja për sundimin dhe përvetësimin e tjetrit, për shkak të iluzionit se ajo dashuri e pretenduar dhe e dëshiruar, ai "tjetri", i takonte vetëm asaj. Për më keq, sipas filozofisë së këtij tipi: në qoftë se nuk është e imja, nuk mund të jetë e askujt!

Dhe në rast se ndodh e kundërta, atëherë situata mund të rezultojë në krim, në vrasje, në rebelim, në luftë. Lauren vret babain dhe nënën e Erikës, por shkon edhe më tej, kërkon të sundojë edhe frytin e dashurisë së tyre, vetë Erikën e vogël.

Kjo është novela "Një engjëll pa krahë", libri i parë i botuar i shkrimtares-fëmijë Xhulia Xhekaj, aktualisht nxënëse në klasën e gjashtë të shkollës "Konferenca e Pezës", Tiranë.

Novela e Xhulias mund të jetë një pikë reference për gjithë brezin e saj, jo thjesht për ambiciet e këtij brezi, në pamje të parë "i çoroditur dhe i vetëmjaftueshëm brenda llojit", por për vetë shoqërinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë e një dhe performancën e saj disi të kriminalizuar. Shumëkujt që do të lexojë novelën "Një engjëll pa krahë", do t'i duket, për shembull, se kushtimi i autores në faqen e parë të librit ("Babait Aranit, ia kushtoj krijimin tim të parë...") është thjesht respekt ndaj një tradite. Jo. Ky detaj i vogël personal i autores nuk është as një lloj distancimi nga fabula e novelës, për të dëshmuar personalisht të kundërtën e fatit të personazhes kryesore. Autorja e konsideron fatin e të tjerëve pjesë të fatit të saj. Prej këtu lind dhimbja, reagimi dhe arti.

Xhulia Xhekaj kërkon të nënvizojë edhe formalisht përgjegjësinë e të tjerëve, shoqërisë, shtetit ndaj individit të kërcënuar, rrezikuar nga dhuna dhe deviacioni social. Shkurt, Xhulia Xhekaj është një shkrimtare fëmijë që ka përjetuar në mituri rrezikun e dhunës dhe armëve. Ajo ka lindur më 5 gusht 1994 në Vlorë dhe është njëra prej fëmijëve tanë të vitit-kaos 1997!

Novela "Një engjall pa krahë" është një metaforë emocionale dhe artistike ndaj këtij viti të mbrapshtë.

Naim Zoto

25 maj 2006
"Pendimi" pasqyrë e një realiteti të hidhur
Shënime për librin "Pendimi"
të autores Liri Hidërshaj

Pasi lexova në dorëshkrim novelën "Pendimi" të prozatores Liri Hidërshaj, m’u forcua bindja se autorë të ndryshëm po sjellin gjithmonë e më shumë në vëmendjen e lexuesit, vepra që përmbajnë në vetvete pjesë të një realiteti të hidhur, të realitetit të sotëm shqiptar, të këtij trazicioni të zgjatur që për fatin tonë të keq duket pa mbarim.

Të them të drejtën, gjatë leximit u ndjeva i befasuar nga densiteti i ngjarjeve dhe situatave që gërshetoheshin e mbivendoseshin me njëra-tjetrën duke e tensionuar së tepërmi rrjedhën artistike të rrëfimit aq sa m’u kthjellua mendimi se materiali jetësor mbi të cilin ndërtohet çdo novelë, herë-herë i kalon përmasat e një drame. Dhe arrita në përfundimin se çdo vepër përmbledh në vetvete anët më tragjike të realitetit të sotëm. Është një pasqyrë e gjallë artistike e një tragjedie, jehona e së cilës ndihet gjithandej në realitetin shqiptar, por që vetë ajo i shpëton syrit tonë të lodhur prej tmerreve që kemi përjetuar në këto vite të vështira.

Gjatë leximit ndien se diku të drithëron shpirtin zëri i një nënë që lutet për fëmijët e humbur, diku ngrihet grahma e vdekjes përzier me agoninë e një vajze që vuan e jep shpirt larg vendlindjes e larg tërë njerëzve të saj të dashur e diku të mek qenien ajo klithma e tërë të vetmuarve të humbur në humbellat më të frikshme e të padukshme të kësaj bote. Ndihet sesi këlthet gjithë dhimbje, si në legjendë, shpirti i motrës që priste me padurim të takonte vëllanë e nuk mund ta takojë dot, ndihet klithma e shpirtit të vrarë shqiptar që përpëlitet e mbijeton, pavarësisht tragjedisë që e ndjek hap pas hapi.

Gjuha që përdor autorja në këtë libër është një gjuhë e thjeshtë, gjuha e klithmës dhe e vajit që shkakton gjëma, e papritura, vdekja, gjuhë emotive e kuptueshme për këdo, që rrjedh me natyrshmëri si në dialogët e monologët e përditshëm përballë mortjes që s 'i ndahet jetës sonë...

Nuk e ke aspak të vështirë të dallosh, brenda botës së personazheve, shpirtin e vetë autores që herë njësohet me nënën që tretet dita-ditës nga malli për fëmijët e larguar në dheun e huaj, në emigracion, prej varfërisë ekonomike, e herë shndërrohet në motrën e dhimbsur që është gati të falë gjithçka që të kthejë pranë saj, pranë familjes, vëllanë e munguar...

Kjo novelë është një copëz e atij fati tragjik që përndjek ngado ashtu heshturas e pakuptueshëm shumë e shumë familje shqiptare.

I urojmë më shumë fat dhe krijimtari të mbarë autores.

Dritëro AGOLLI
Kujtesë: Mos harroni Njeriun!
Shënime për librin "Rrëfimi"

të autores Liri Hidërshaj

Pas buqetës me poezi "Klithmë Shpirti" dhe mjaft krijimeve të tjera, poetesha Liri Hidërshaj paraqitet para lexuesit me novelën "Rrëfimi", si një apel për cilindo që edhe në momente të vështira të jetës të mos harrojmë atë ç’ka është më e rendësishmja: "NJERIUN" me fatin e tij të mirë apo të keq, me historitë e tij të këndshme apo të trishtuara.

Duke ushtruar profesionin sa të bukur, aq edhe fisnik të mësueses, autorja na fut në mënyrë të natyrshme në botën fantastike të fëmijëve, në fantazitë e tyre krijuese, në mendimet "serioze", që ata japin për çështje që shtrohen për diskutim, dhe me shumë mjeshtëri ajo na bën të buzëqeshim me gjykimin fëminor të tyre. Kjo novelë përshkohet nga ndjenja të thella, shpeshherë kontradiktore, që e mbëshljellin heroinën tonë, autoren mësuese, e cila i përjeton ngjarjet e këtij rrëfimi si nënë, si grua e si mësuese.

Ajo nuk luan rolin e gjyqtarit, ndonëse shpeshherë jep gjykimin e saj, duke e shprehur nëpëmjet qendrimit që mban ndaj personazheve të kësaj novele, që kryesisht janë prindër, nxënës, me brengat dhe copëzat e gëzimit, ku autorja është e pranishme, jetësore dhe koshiente për ndihmën që duhet të japë, për mirësinë që duhet të dhurojë, mirësi që do të ndikojë sadopak në zbutjen e trishtimit, që shpeshherë jeta ta jep, mbase edhe si provë, që në moshë të njomë, por që në fund të fundit është jeta dhe vetëm kjo fjalë të bën të përgjegjshëm për atë ç’ka është thelbësore: "Jeta duhet jetuar me dinjitet". Ky është edhe mesazhi që sjell pa kursyer autorja e kësaj novele.

Ajo i merr në mbrojtje personazhet e saj, me gjithe gabimet e bëra në jetën e tyre. Ajo e kupton dashurinë e një nënë që për gabimet e saj ka humbur të birin, sepse ajo është vetë nënë, por ajo kupton edhe përpjekjet e një gruaje të dashuruar për t'u bërë nëna e fëmijës së burrit që dashuron. Por mbi të gjitha ajo vuan për Andin, fëmijën që i përjeton këto situata, dhe bën ç’mos që të jetë e vlefshme për të.

Të bën përshtypje në këtë novelë modestia e autores, e cila i ka shumë të vlefshme këshillat që merr nga nxënësit e saj, këshilla të cilave u referohet në situatat që i paraqiten për zgjidhje.
Ndaj nuk të duken të zgjatura përshkrimet e orëve të mësimit, përkundrazi, ato e freskojnë tregimin, ashtu siç sjellin freski në jetë edhe fëmijët, që janë protagonistët kryesorë të kërij krijimi.

Lexuar nga kolegët e saj mesues, kjo novelë është mesazh për t'u treguar atyre se detyra e shenjtë e mësuesit e bën atë një mik të nxënësve të tij, të pranishëm në gëzimet dhe trishtimet e tyre.

Lexuar nga nxënësit, kjo novelë është një kalendar i jetës së tyre shkollore, i bërë me ngjarje të jetës së tyre nga një mësuese e dashur për ta.

Lexuar nga ne, lexuesit e thjeshtë, është një kujtesë që jeta është e bukur, me brengat e gëzimet që ofron dhe misjoni i njerëzve të mirë është të kontribuojnë që ajo të jetohet denjësisht.

Së fundi do të thosha se kjo novelë sjell një frymë të ngrohtë në fondin e letërsisë sonë, sepse në epiqendër të saj është njeriu.

Hiqmete Daja