Friday, March 13, 2009

Diplomacia e munguar
Mendime për librin e autorit Shefki Hysa
“Diplomacia e vetëmohimit”

Tashmë është e njohur nga të gjithë se problemi çam është tepër kompleks në udhën e zgjidhjes së tij. Ndoshta një nga arsyet e moszgjidhjes së tij në kohën e duhur e në kërkesat e tij themelore është pikërisht edhe ky kompleksitet i pranishëm e shumë i madh problemesh që ngërthehet në këtë truall tipik shqiptar qoftë me gjeografinë, me historinë, me kulturën e etnografinë e toponiminë. Krah atyre problemeve politike, historike, kulturore, juridike, etnografike, janë edhe ato të diplomacisë jo vetëm midis dy vendeve që e kanë si problem prioritar, atij shqiptar e atij grek, por edhe me opinionin ndërkombëtar.

Një kopertinë që ka një dritë në fund të një tuneli. me një hartë-copëz e trungut shqiptar me emrin “Çamëria” e me një portret të hijezuar e të paqartë në konturet e tij (një simbol i goditur i aktualitetit të zgjidhjes së problemit çam), e bën shumë intrigues librin më të fundit të autorit Shefki Hysa, me origjinë nga Çamëria, me titull “Diplomacia e vetëmohimit”.

Të paktën vetëm për këtë fakt ai është bukur i mirëpritur nga lexuesit e shumtë që ende kanë “uri” për libra të tillë, megjithëse harta e botimeve për Çamërinë është shtuar ndjeshëm në vitet e fundit.

I ardhur nga një përvojë shumë e pasur botimesh në llojshmëri letrare, në tematikë e në ndërtimin e veprave të tij Shefki Hysa, ashtu si edhe në librat e tjerë të tij rreket të tregohet intrigues dhe origjinal si një studiues e publicist i përmasava të gjëra.

Përvoja shumë e pasur që ai ka krijuar prej vitesh edhe me botimin e revistës shumë prestigjioze “Krahu i shqiponjës”, duket se nuk ka kaluar pa lënë gjurmë të forta në trajtimin e këtij problemi jo në një rreth të ngushtë njerëzish, intelektualësh apo edhe politikanësh të një krahu të caktuar, të majtë apo të djathtë, (duket se edhe në këtë tollovi alternativash kaq të vakëta që të jep politika shqiptare, nuk i ka shpëtuar edhe problemi çam). Pra, çështja çame paraqitet si një problem apo projekt i mprehtë kombëtar që, gjithësesi mbetet i patrajtuar qartë nga faktorët politiko-diplomatikë.

Pa dashur që të ndikojmë në mendimin konkret të një lexuesi të kualifikuar dhe shumë të interesuar për këtë temë, të cilit i drejtohet, mund të citojmë edhe mendime të personaliteteve të kulturës shqiptare për problemin çam që trajtohet më konkretisht në librin e Shefki Hysës.
Kështu shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka shkruar për librin e Shefki Hysës : “Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e gjithë shqiptarëve”.

Si një “pararojë “ e suksesshme e këtij libri mbetet edhe vlerësimi i poetit, shkrimtarit e studiuesit Dritëro Agolli që ka thënë për krijimtarinë e Shefki Hysës: “ Krijimet e shkrimtarit Shefki Hysa, veçanërisht tregimet e tij dallohen për lëvizjen kontradiktore dhe për prirjen me ankth të fundit të kësaj lëvizjeje eksiztenciale…”

Poeti Visar Zhiti shkruan: “Në librat e Shefki Hysës fryn era e shqetësuar çame dhe fati i njerëzve është i lidhur me truallin e tyre, ashtu si rrënjët që futen thellë në gurë, por edhe si gishtat e jetës që të përgjakura shtrëngojnë realitetin.”

Pra, i ardhur nga kjo përvojë letrare, por jo më pak edhe jetësore (ai është një filiz i shëndetshëm i kësaj historie e i kësaj kulture kaq vitale dhe një nga nismëtarët e parë të krijimit të Shoqatës “Çamëria“ dhe të gazetës së saj “Çamëria – vatra amtare”), duket se ai e kishte paksa të garantuar suksesin e veprës së radhës .

Këtyre përvojave të këtij autori të njohur tashmë në letrat shqipe do t’i shtonim edhe atë politike. Kështu kapitullit të këtij libri voluminoz prej rreth 500 faqesh, do t’i shtonim atë të marrëdhënieve që Çamëria ka patur të paktën në këta 19 vjet me politikën shqiptare. Shkrime të tilla si “Çamëria dhe Senati Amerikan”, “Politika – një zë i vetëm për Çamërinë”, “Marrëdhëniet Shqipëri– Greqi në vite” , “Miratimi i Rezolutës nga Kuvendi zyrtarizon problemin çam” e shumë të tjera që përbëjnë kapitullin më të rëndësishëm të librit “Diplomacia e politikanëve“ hedhin shumë dritë në të sotmen e në të ardhmen e Çamërisë. Duhet të jemi objektivë kur themi se ende në forumet udhëheqëse të komunitetit çam, qoftë edhe në atë të shtetit shqiptar nuk ka një strategji të unifikuar për zgjidhjen e problemit. Disa e quajnë atë thjesht një problem teknik për kthimin e disa pronave, për të cilat edhe tapitë nuk janë të plota e të rregullta. Disa e quajnë atë edhe si problem politik, mbi bazën e të cilit qeveria greke duhet të pranojë genocidin mbi popullsinë e pafajshme çame, etj, etj.

Mendojmë se leximi e, më saktë, studimi i këtij kapitulli do t’u hapte shumë dritare të tjera të reja politikanëve të sotëm e atyre që do të ulen nesër në kolltukët parlamentarë për këtë problem. Racionaliteti i paraqitjes së problemeve dhe mënyra e trajtimit të drejtpërdrejtë me një gjuhë shumë të kulturuar e të kuptueshme, e bën të lexueshëm secilin shkrim të tij. Nga ana tjetër autori ka përdorur në këtë kapitull kaq të rëndësishëm të gjithë gjinitë publicitike si artikullin problemor, reportazhin, intervistën etj.

Kjo tablo e qartë do të ishte disi e venitur nëse nuk do të flisnim edhe për një pjesë të madhe të librit që autori ia kushton shkrimtarit disident çam Bilal Xhaferri. Janë botuar deri tani disa shkrime për Bilalin në një kohë që tregu shqiptar i librit dhe bibliotekat shqiptare të të gjitha trojeve kanë shumë “uri” për të njohur këtë personalitet të vërtetë artistik e tragjik të Çamërisë e të mbarë kombit shqiptar.

Ndryshe nga ato pak informacione letrare e publicistike që janë botuar në faqet e shtypit tonë periodik, jeta e Bilal Xhaferrit e aktiviteti i tij letrar, jetësor, patriotik jepet me shumë kolorit. Në të jepen kujtimet e miqve të poetit si të Namik Manes, Riza Millës, Skënder Xhelos, Selfo Hoxhës, Elez Bardhit, Antika Xhaferri, Aqif Dino, Ballkëz Halilit, Bedri Myftari, Agim Mehqmesë etj.

Edhe vetë puna krijuese e autorit Shefki Hysa është e lidhur në një masë të madhe me njohjen, propogandimin e botimin e veprës së Bilal Xhaferrit. Madje edhe në delegacionin e Ministrisë së Kulturës më 1995, për kthimin e eshtrave të këtij personaliteti nga Amerika në atdhe, Shefki Hysa kishte rolin e tij nismëtar.

Më 1974 për herë të parë në Çikago të SHBA shkrimtari Bilal Xhaferri themeloi revistën kombëtare “Krahu i shqiponjës”. Pra, ai pas arratisjes nga Shqipëria më 1969, si u vendos në diasporë, në Amerikë, nuk u rehatua, por iu përkushtua atdhetarisë. Janë 14 vite të vështira, por edhe shumë të bukura kur Bilali u vu në drejtimin e revistës “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame, me një përmbajtje shumë të spikatur atdhetare që e bëri edhe më të njohur në mjediset patriotike të mbarë diasporës shqiptare në botë. Në të njëjtën kohë kjo revistë kaq e dashur për shqiptarët e Çikagos, Bostonit e të shumë qyteteve ku kishte çamë shqiptarë e kosovarë, u bë edhe një arsye më tepër që armiqtë të gjenin mënyrën për ta ndëshkuar edhe me humbjen e jetës së tij, në atë kohë kur ai kishte ende kaq shumë për të bërë për problemin kombëtar në përgjithësi e për atë çam në veçanti.

Pikërisht tradita e shkëlqyer e kësaj reviste deri në vitin 1986, kur poeti u largua nga jeta, do të vazhdonte mbijetesën e saj më 1995. Kësaj radhe në Shqipëri e pikërisht në drejtimin e shkrimtarit Shefki Hysa. Kjo gjë u bë paralelisht edhe me krijimin e Shoqatës Kulturore “ Bilal Xhaferi”, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite që të bëjë jehonën e veprës së këtij personaliteti të njohur të etnisë sonë.

Një përvojë e tillë organizative e botuese në kërkim të njohjes së këtyre vlerave e bën aq mirë edhe në një numër të konsiderueshëm faqesh shkrimtari Shefki Hysa në librin e tij. Me një tendencë të mirë për të qenë edhe i larmishëm në ndërtimin e librit, ai boton edhe një pjesë të poezive të zgjedhura të poetit Bilal Xhaferri të nxjerra nga dosja e ish sigurimit të shtetit komunist shqiptar, ku ishin burgosur si krijimtari disidente, pra, si shkas për të ndëshkuar autorin e tyre.

Gjuha e zgjedhur artistiko-publicistike e librit është një tjetër kontribut që sjell autori me këtë vepër, në një kohë që jo të gjithë botimet e sotme ta afrojnë këtë kontribut më se të domosdoshëm. Nis kjo gjuhë interesante që në parathënien e librit të shkruar nga vetë autori. Mes të tjerash theksohet: “A nuk është marrëzi që për një kokëkrisje, lajthitje a inat të çastit, të lësh pa realizuar programin e punës tënde, të lësh pa jetuar gjithë pasion jetën tënde me mendimin se do ta përjetojë fëmija yt, që nuk dihet se kur do të lindë dhe nëse do të lindë i mbarë a i prapë a me dëshira dhe ëndrra krejt të tjera nga ato të tuat?... Unë me miqtë e mi me mençuri, urtësi e diplomaci po realizojmë synimet dhe objektivat tona: përplasjet, kërcënimet dhe asgjësimet ua kemi lënë të tjerëve, kudërshtarëve tanë… Dhe kështu me mençuri e me sakrifica gjer në prag të vetëmohimit, do ta bëjmë një realitet të mrekullueshëm ëndrrën e madhe të çamëve…”

Ky mesazh shumë domethënës plotësohet në fund të librit edhe nga Namik Mane, shkrimtari disident e miku i ngushtë i poetit Bilal Xhaferri, në shkrimin e titulluar: “Mos e harroni Çamërinë!”

Është më tepër se një kërkesë e një patrioti çam kjo thirrje. Është një kërkesë, një lutje, një amanet i të parëve, është një porosi e brezave, është një e drejtë universale që nuk lejon harresë, aq më tepër moszgjidhje, është një klithmë çame që duhet ta dëgjojë mbarë diplomacia shqiptare, evropiane e ajo botërore për zëjidhjen e problemit çam. Ta dëgjojë ajo diplomaci kombëtare që nuk duhet ta masë punën e saj vetëm me disa shkrime gazetash apo me ndonjë fjalim diplomatik në sallat e tribunat e zbukuruara me lule e mikrofonë.

Ja si apelon ai:

“…Bëni një udhëtim në veriperëndim të Greqisë. Do të dëgjoni se si flitet ende një çamçe e kulluar. Do t’ju tregojnë histori të dhimbshme themelet e muret e rrëzuara të shtëpive tona, do t’ju flasin varret e themelet e gjyshërve e stërgyshërve tanë, varret e tyre që kërkojnë varret tona... Janë ende gjallë ca pak baballarët tanë që kërkojnë të flasin me ju. Jemi gjallë ne, bijtë e tyre që e njohim mirë shtrirjen e Çamërisë. S’kemi nevojë për harta. S’kemi nevojë për tapira. I dimë saktë sinorët tanë. Po ne kërkojmë mbështetjen tuaj humane, o miq, kërkojmë urtësinë tuaj, kërkojmë që t’i hidhni një vështrim problemit çam dhe do të shikoni se është mbushur plot e përplot me të vërteta”…

Namik Selmani
Shkrimtar
Shkurt , 2009

Thursday, March 5, 2009

Ibrahim Daut Hoxha

Jeta dhe veprimtaria ime

Linda në Konispol më 15.04.1923. Që sa njoha veten, mbaj mend mbledhjet e fshehta që bëheshin në shtëpitë tona me çamër të ndryshëm që vinin nga përtej kufirit shtetëror me Greqinë dhe ata që hidheshin matanë tij. Disa herë në to merrnin pjesë edhe 4-5 konispolitë nga parësia. Po se ç’flitej në ato mbledhje, asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk merrte vesh, sepse e ndara e veçantë ku qëndronte im atë me miqtë e vet ishte me dyer e dritare shumë të puthitura dhe se në të hyhej me paralajmërim. Mbaj mend, gjithashtu, se që kur isha 5-6 vjeçar, im atë –qarkullimi i të cilit, veçse vëzhgohej nga xhandarmëria, po kufizohej shumë edhe për shkak se mund të ndeshte në prita çetash greke, që ndonjëherë vendi i lejonte të fshiheshin edhe fare pranë shtëpive tona- më dërgonte në shtëpitë e bashkëvepruesve të vet për të shpërndarë në ta letrat e dërguara nga jashtë, sidomos nga KONÀRIA, të prura fshehtazi nga ish-oficeri, Riza Kardhìqi.

Nga pritat e çetave të dërguara nga përtej kufirit prej asfalisë dhe horofillaqisë greke, im atë kishte mundur të delte, sado që disa herë i plagosur. Po më në fund ato, me ndihmën e veglave të tyre këndej kufirit, më 15.6.1940 arritën ta vrisnin në vendin e quajtur Sheshi i Rràhut, poshtë Qafës së Soronesë, kur ai po shkonte nga Konispoli në Sarandë. Duke besuar në ndiesinë e mirënjohur të binekut(kalë shale) të vet dhe duke dashur ta mbante të fshehtë udhëtimin, im atë asaj here udhëtoi i vetëm, jo si përherë i shoqëruar nga shokë të tij të armatosur. Vrasja e tij bëri që barra e familjes së përbërë prej gjyshes, nanës, 3 vëllezërve dhe dy motrave –njëra 6-7 muajshe- të binte mbi mua, ende 17-vjeçàr. Në një mjedis të tillë u rrokullisën muajt deri tek shpërthimi i luftës greko-italiane: tetor 1940-prill 1941.

* * *

Luftën kundër Greqisë qeveria dhe shtabmadhoria italiane e kishin në rend të ditës, që sapo ushtrinë e tyre e zbritën në Shqipëri. (Shih Roberto Bataglia e sidomos Mario Çervi, “Storia della guerra di Grecia”). Po vrasja e tim eti u dha dorë për ta shpejtuar dhe shpërthyer atë. Shkaku ishte se, meqë im atë kishte ndikim veçanërisht të madh në masën çame, ata parashikonin të formonin disa batalionë luftëtarësh çamë, për t’i vënë në pararojë të njësive të tyre ushtarake. Ndryshe nga sa priste, qeveria italiane mundi të ngrente vetëm dy batalionë: njërin të komanduar nga major Haziz Halil Çami e kapiten Xhelal Kaso Delli nga Margëllëçi dhe tjetrin të komanduar nga major Skënder Çami prej Galbaqi e kapiten Nuri Isuf bej Dinua nga Paramithia; çamërve në fjalë qeveria greke me burgosje, internime e masa të tjera shtypëse ua kishte sjellë shpirtin në majë të hundës; madje së fundi u kishte grabitur mallin dhe i kishte zbuar nga vatrat e veta. Këta ish-të kamur -disa edhe agallarë- të lënë me gisht në gojë, ishin shpërndarë në vendbanime të ndryshme të shtetit shqiptar ku prej vitesh jetonin në varfëri, duke u rropatur në punë nga më të vështirat. Në rrethana të tilla s’kishte se si të mos e prisnin me padurim kthimin lirisht në vatrat dhe mallin e tyre. Në batalionin e komanduar nga Sk. Çami dhe miku ynë i ngushtë familjar, Nuri bej. Isuf pasha Sulejman bej Dinua u rendita edhe unë; doja të përmbushja atë që im atë, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e mi të rënë në luftime kundër pushtuesve grekë nuk mundën ta bënin: kthimin në vatrat stërgjyshore dhe shporrjen prej andej të grabitqaro-gjakatarëve grekë. Batalionët u quajtën “primo batalione da salto” dhe “sekondo batalione da salto”; bënin pjesë në trupat speciale dhe u vunë në pararojë të Divizionit “Siéna”, të truparmatës “Çamëria”. Batalioni i parë goditi rojet kufitare dhe përforcimet e tyre në Qafë të Kandalit (përtej Qafës së Botës) dhe në Mohjìllë, kurse i dyti, goditi rojet kufitare dhe përforcimet e tyre në Qafë të Likojanit, majën Topçì(mali Nartë) dhe në Hundën e Turlìut (mali Likojàn). Brenda ditës ushtarët grekë u flakën përtej Kalamait. Pastaj goditja dhe zmbrapsja e tyre vazhdoi pa ndërprerje deri në Paramithi e Margëllëç. Kur ne po përgatiteshim t’i goditnim dhe t’i ndiqnim edhe përtej Lumit të Zi (Aheronit), pa pritmas u urdhëruam të tërhiqeshim, sepse njësitë italiane që filluan goditjen në Devoll, në vend që të përparonin, duke u gjendur para fuqish disa herë më të mëdha greke, u shtrënguan të tërhiqeshin që sa bëri bam. Familja jonë u detyrua të mërgohej nga Konispoli në thellësi të tokës shqiptare, si edhe qindra e qindra familje të tjera çame të përtej e këndej kufirit shtetëror. Edhe pse duke u tërhequr, batalionët tanë i mbytën në gjak njësitë mësyese greke, të cilat duke parë se ne po tërhiqeshim, turreshin si të dehur. Kur ushtria greke u afrua të pushtonte edhe Konispolin, unë lashë gjithçka në mes katër rrugësh dhe familjarisht ika në Lushnjë.

Siç dihet, në ditët e para të prillit 1941 divizionet gjermane dhe bullgare goditën armatën greke të vendosur në vijën “Metaksà” në Thrakë dhe brenda 5 ditësh e tërë ushtria greke u përgjunj: hodhi armët dhe ngriti duart. Pjesëtarët e të dy batalionëve tanë lanë armët dhe u kthyen në vatrat e veta. Po nga ç’kishim lënë, njësia ushtarake greke e vendosur në shtëpitë tona s’kishte lënë gjë prej gjëje; madje kishte shkatërruar edhe vet shtëpitë. Për pësimet e mëtejshme të përjetuara andej e pas prej meje dhe familjes sime nuk po bëj fjalë, sepse ato zënë një krye apo një libër të tërë.

Në qershor 1942 më thërritën nën armë për kryerjen e shërbimit të detyruar ushtarak; më renditën në njërën prej njësive të milicisë ushtarake, në përbërjen e divizionit “Perùxhia” me qendër në Grihot pranë Gjirokastrës. Duke filluar nga gusht-shtatori i atij viti, pjesëtarë familjesh gjirokastrite miqsh e të njohur familjarë me ne -pjesëmarrës të Lëvizjes A-F. Nacionalçlirimtare- më lidhën me Lëvizjen. Nën ndikimin e tyre e sidomos të vëllait tim të madh –po të ndarë- që tanimë ishte bërë një pjesëmarrës me rëndësi në L. A-F. Nç., në fund të janarit 1943 ika fshehtazi nga njësia ushtarake ku bëja pjesë dhe u rendita në rreshtat e çetës partizane “Çamëria”, të sapongritur në fshatin Markat (1.2.1943). Lidhur me aftësitë e mia, m’u besuan përgjegjësi të ndryshme, deri edhe anëtar i shtabit të Brigadës VI.S., njëra nga të dyja njësitë më operative e më të rëndësishme të ushtrisë Nçl. Po, prej korrik-gushtit 1945 më vunë në shënjestër e rrjedhimisht andej e mbrapa filloi zbritja shkallë shkallë deri në detyrën e togkomandantit. Kur isha caktuar me detyrë në komandën e regjimentit VI të Artilerisë të sapongritur, për inspektim të divizionit VI të vendosur në Ohër e Resnjë, erdhi një major i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, anëtar i K.Q. të P.K.SH. Në prani të zv. komisarit të brigadës III S., Ilmi Seitit, rastësisht ra fjala se unë isha i biri i Daut Hoxhës. Përfaqësuesi i Drejtorisë Politike u hodh përpjetë, sikur ta kishte përcëlluar dikush me urë zjarri. “Oh, i atij fashistit që u bë shkak i Luftës Italo-Greke?!”. Ilmiu qetë-qetë iu përgjegj: Jo, Daut Hoxha ka qënë udhëheqës i një çete atdhetarësh që luftonte kundër sundimit grek; me fashistët s’ka pasur kurrfarë lidhjeje e as që mund të kishte. Por italianët, duke ditur se ai ishte njeri që nderohej shumë nga çamërit, emrin e tij e përdorën për të ndezur zemërimin e çamërve. Unë jam vet çam; e di mirë këtë çështje”. Nga sa ndodhi, u kuptua se i dërguari, me t’u kthyer në Tiranë, e bëri të njohur qënien time atje; hë për hë ndaj meje u dha komanda: “në vend numëro”; në vijim tatëpjeta. Prej asaj kohe –madje edhe në ditët në vazhdim- që nga drejtuesit më të lartë të partisë dhe të shtetit e deri tek portjerët fjalët: “I biri i Daut Hoxhës, atij që vrau grekërit dhe nxiti luftën e fashistëve kundër popullit vëlla grek” mbaheshin dhe mbahen ende në majë të gjuhës; dhe kjo nuk mbeti vetëm tek shfryrjet me fjalë, po u bë “tojâ” në aq e aq organe shtypi dhe libra historike, romane, tregime etj. etj. Mllefi grek që ziente prej kohësh në plot e plot pushtetarë u derdh së pari nga dr. Omer Nishani, kryetar i Kuvendit Popullor. Në fletoren “Zëri i Çamërisë” nr. 2, dt. 22.8.1945 ai u vërsul kundër Daut Hoxhës me urrejtje prej asfalisto-horofillaku. Fajet e veta si bashkëpunëtor kryesor i pushtetit fashist, i shpalli si të Daut Hoxhës. Në vazhdën e tij vrapuan Veip e Kasim Demi; i pari, gjatë një konference të mbajtur më 10 janar në Radio “Tirana”, të botuar në “Zëri i Çamërisë” nr. 5, dt. 1.2.1946 dhe i dyti në një shkrim të botuar në po atë numër e datë të asaj fletoreje; të etur për madhështi, të kaluarën e vet gjatë pushtimit fashist ia vishnin Daut Hoxhës, duke e paditur sii edhe asfalisto-horofillakët grekë. Këto shkrime gëzuan edhe plot prej atyre që u rrihte zemra për grekërit. N/prefekti i viteve 1945-1946 i Konispolit urdhëroi që shtëpia jonë në Konispol -e djegur nga gjermanët- të mos rindërtohej shoqërisht me punë vullnetare, siç u bë me tërë shtëpitë e tjera. Kur vëllezërit e mi –më i madhi 16 vjeç- ngritën zërin për këtë padrejtësi kaq të shëmtuar, Izet Osmani, njeriu kryesor i sigurimit, i ndodhur rastësisht pranë n/prefektit, u shfryu tërë mllef e urrejtje: Jeni bijt e atît që vrau e preu grekërit, Daut Hoxhës. Edhe pse të vegjël, ata iu përgjigjën: Ne, tërë familja dhe rrethi ynë jemi nga pjesëmarrësit më të parë të Luftës Antifashiste. Megjithatë fjalët e tyre avulluan si zëri në shkretëtirë, kurse pas ca “besniku” i sigurimit, Izet Osmani, u shfaq haptazi në rreshtat e asfalisë greke.
Pasojave të shkaktuara nga qëndrimi zyrtar ndaj tim eti, iu shtuan edhe ato të rrjedhura nga veprimtaria ime. Thellësisht i pakënaqur nga sa po ndodhte, u shfaqa kundër reformës agrare dhe shoqërizimit të detyrueshëm të ekonomisë bujqësore, kundër rregullave sovjetike lidhur me gradat dhe përgjegjësitë në ushtri e sidomos kundër shndërrimit të këshilltarëve sovjetikë në urdhërdhënës. Në gusht 1952 më përjashtuan nga partia me padijën antisovjetik dhe po në gusht 1955 m’u njoftua qitja në lirim për shkak se isha “përjashtuar nga Partia për mendime antisovjetike dhe kokëfortësi në zbatimin e urdhrave të eprorëve(është zënë me një këshilltar sovjetik”(Arkivi Qëndror i Ushtrisë). Pas 15-20 ditësh më detyruan t’i thosha “lamtumirë” karierës ushtarake, për të cilën isha përgatitur aq mirë dhe me aq përkushtim, sidomos në armën e Artilerisë Kundër Ajrore. Anëtari i K.Q. i ngarkuar për të më marrë teserën e partisë, duke vrenjtur fytyrën tërë mllef më tha: “Ke për të mallkuar edhe ditën që ke lindur!”. Por edhe pse përjashtimi nga partia për pikëpamje antiparti, cilësohej “dënim me vdekje”, unë as që e vrava fare mendjen. Madje kur pashë se vëllai im ndënë mua u mërzit së tepërmi kur e përjashtuan edhe atë, i thashë: “Ke vënë kokën të vdesësh se të përjashtuan nga një parti kam-kumësh që dinë vetëm: «urdhno?», “si urdhnon!”. Ai m’u përgjegj: “Jo, po më vjen keq që ca hìçër shpifarakë e spiunë arritën të më mohojnë veprën time ndërtimore. Veç kësaj nuk duroj dot fyerjet e Koço Danos, sekretar i Komitetit të Partisë; në çdo mbledhje qendrash pune shfryn ndaj meje”. Përsëri ndërhyra: “Veprat e tua dhe të atyre si ti nuk janë lloqe PPSH-istësh, po vepra të dobishme qindravjeçare për njerëzit e punës.

* * *

Pushtetarët më shikonin me armiqësi të atillë, sikur t’u kisha vrarë të atin. Ishte pikërisht mjedisi urrejtës që i 1952-shit që bëri të më mohohej jo vetëm “Urdhëri i Trimërisë”(si kuadër i Luftës), por edhe grada e kapitenit, gradë e cila më takonte që një vit e gjysëm më parë; madje, siç ishte e ligjshme, kjo gradë nuk m’u dha as me rastin e qitjes në lirim. Më lanë pa kurrfarë pune, s’më qasnin gjëkundi; edhe në ndonjë vend dosido kur arrija të futesha, brenda 15-ditshit të parë më fluturonin jashtë dere. Arrija që jetesën ta siguroja me shumë-shumë vështirësi. Duke qenë oficer artilerie, kisha një përgatitje të mjaftueshme edhe si topograf; kjo punë –kur topografët ishin fare të pakët- më siguroi për disa vite bukën, edhe pse jo me detyrë nëpunësi, po me mëditje. Mirëpo edhe kjo udhë m’u pre, ngase u padita sikur vërtitesha poshtë e lart vendit për ngritje grupesh çame kundër partisë dhe shtetit. Spiunët më ishin qepur këmba-këmbës; shpesh vinin e gërmonin edhe në shtëpinë time, herë duke u hequr si të njohur e miq, herë duke u ankuar për keqsjelljen ndaj çamërve etj., duke kërkuar gjoja udhëzime se si të vepronin me pushtetarët përkatës. Në një rast dëshpërimi kulmor, i bindur se kisha të bëja me njeri të besueshëm -ishte konispolit me dy vëllezër të ikur në Greqi- humba vetëkujdesin dhe më rrëshqitën fjalët: “Duro; ky pushtet do të rrëzohet!”. Këto fjalë, përmbajtja e vjershës “Luani një egërsirë” që pata shkruar para disa muajsh si edhe mosparaqitja në qendrën e zgjedhjeve për të votuar, ishin grepat që PPSH-istët vunë dorë që të më mbyllnin në birucën e llahtarshme. Pas 8 muaj hetimesh të përditshme e kërcënime egërsore deri edhe tek dhunimi trupor –meqë s’më bënë dot përsipër asnjë padijë- më lëshuan prej burgut, po më lanë rrugëve si deng pa markë; u detyrova të sorollatesha nga një zyrë tek tjetra për të mundur të zija qoftë edhe një punë çfardo, po më kot. Ndërkaq, shkrimtarë si Kolë Jakova, Shefqet Musarai, Moisi Zaloshnja etj. po qarkullonin njërën pas tjetrës shkarravinat e veta kundër Daut Hoxhës. Të njëjtën gjë bënin edhe historianët, sidomos ata të Sektorit të Rilindjes së Institutit të Historisë; nën shembullin e tyre vepronin edhe gjyqtarë e avokatë si Gaqo Progri, pa folur për dallkaukë të tjerë më të rëndomtë që nxinin faqet e letrave dërguar deri edhe në Byronë Politike të P.Punës, Hostenit dhe organeve të tjera. Në shenjë zemërimi nga sa po ndodhte, ngrita disa herë zërin deri në organet më të larta shtetërore dhe partiake. Mjerisht zëri im jo vetëm që haste në vesh qëllimisht të shurdhër, po qortimet dhe keqsjelljet -sidomos të disa sekretarëve partie të shkallëve të ndryshme- ngjasonin me ato nazi-fashiste në zyrat e SIM-it dhe të GESTAPOS.
Më 1960, kur vet udhëheqja e PPSH-së dhe qeveria u përfytën me udhëheqjen sovjetike, siç ishte e udhës kërkova rishikimin e dënimit tim, sepse atë që kisha bërë unë që 8 vjet më parë, po e bënin edhe vet krerët e shtetit. Përgjigjja ishte e njëjtë me atë të para 8 vjetëve. Kështu mbeta përherë i dënuar politikisht –përfshi edhe burgun- vetëm e vetëm se, si pjesëtar i Luftës A-F. Nacionalçlirimtare, qëndrova i paepur për mosnënshtrim ndaj të huajit, edhe pse asokohe quheshin miq e bashkëpunëtorë. Rrebeshi PPSH-ist ishte i vazhdueshëm, po sidomos nga 1970-ta e mbrapa ai u shndërrua në vrungullìmë e rrùfull. Me qëllim që të vihej në pah e vërteta dhe të mos vazhdohej së gënjyeri më tej masën, hiçkëlat dhe shpifjet e shkarravitura nëpër libra të ndryshme dhe organe shtypi, shkrova një blen ku flitej për jetën dhe veprimtarinë e Daut Hoxhës dhe e dorëzova në arkivin e Institutit të Historisë. Drejtori i asokohshëm i Institutit, prof. i nderuar, Stefanaq Pollua urdhëroi t’i jepej për rishikim prof. Viron Kokës; ky e pëlqeu dhe bleni u arkivua. Veìs Bajua, vegël e njohur e KGB-së ngriti zërin pse ishte pranuar një material “i një armiku të Stalinit”. (Letra si edhe tërë shkresat e tjera ruhen në arkivin tim). Meqë drejtoria i dha përgjigjen e duhur, me një letër ai iu drejtua Byrosë Politike dhe kjo ndaj pranuesve të blenit lëshoi rrufetë. Prof. Shuquri Ballvorra –punonjës i Institutit Marksist-Leninist pranë Komitetit Qendror- i ngarkuar duket nga drejtoria e shtypit, me një përqeshje të pështirë dhe plot mllef, më tha: “Ke ndonjë vepër tjetër si atë për Daut Hoxhën?!”. E vërteta mbi Daut Hoxhën KGB-PPSH-ìsto-Asfaliànëve u ndezi gjakrat, shkelmat e të cilëve godisnin jo vetëm mbi kurrizin tim dhe vëllezërve e motrave të mia –që po se po- por edhe mbi ata të tërë vëllezërve dhe të motrave të mia; madje zhurma dhe tërsëllimat e KGB-PPSH-Asfalìstëve, vetë zot e vetë shkop, vazhduan pandërprerje për disa muaj rresht edhe ndaj të tjerëve, sidomos ndaj kryetarit të arkivit.

* * *

Egërsia e KGB-PPSH-Asfalistëve arriti deri atje saqë dega e punëve të brendshme në Sarandë të mos të më lejonte më të shkoja në vendlindje. Drejtoria e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” u urdhërua që ta prishte kontratën e lidhur 7 muaj më parë me mua për të shkruar një monografi për hoxhë (prof.) Hasan-Tahsin efendiun, duke më hedhur kështu poshtë 7 muaj punë. Të dërguar nga sigurimi i shtetit kontrollonin herë pas here jo vetëm arkivin tim dhe merrnin ç’u pëlqente, po kopjonin edhe shkrimin e makinës sime daktilografike. Sjellja e zyrtarëve -kryesisht e të mbledhurve me daulle e tellall “për gjak të ri në parti”, të cilët me lugë në brez kishin pritur sa të bëhej deti kos”- ishte nga më përçmueset e më kërcënueset. Këta ngjyrandërrues të mëvonshëm më mbanin pandërpreje nën vëzhgim të rreptë dhe më turbullonin herë e kurdo me fyerje e poshtërime. Besonin –gjoja- se kërkoja rastin të ikja tek armiqtë e partisë dhe të pushtetit popullor. Po koha tregoi në mënyrën më bindëse se nuk isha unë ai që doja të lija vendin dhe të bridhja sokakëve të botës, por ishin pikërisht ata që më padisnin mua; sa iu dha rasti, i kthyen paçet atdheut e kombit dhe vrapuan ku i shpunë këmbët. Për çlirimin e atdheut dhe mirësinë e kombit kisha shkrirë gjithçka kisha trashëguar nga të parët, i pata shkaktuar familjes sime vuajtje të patreguara; e kisha parë vdekjen me sy hapur qindra herë dhe kisha përfunduar me shenjat e dy brimave prej plumbi e një gropë predhe mortaje. Kurse zyrtarët me mendjen e tyre të thartuar më munduan aq sa –besoj se për disa arsye- as ata kundër të cilëve unë kisha luftuar, nuk do të më ndëshkonin; se në fund të fundit edhe po të donin, s’kishin se ç’të më bënin më tepër. Pas 23 vjetësh papunësie, edhe pse i diplomuar nga Univeriteti i Tiranës dhe nga Kursi i Lartë 2-vjeçar i Oficerëve -i cili në mungesë të Akademisë Ushtarake zinte vendin e saj- më ofruan punën e një punëtori krahu.

* * *

Pavarësisht nga vorbulla ku po më vërtisnin, duke patur si yll polar shërbimin ndaj Çamërisë dhe vendit në tërësi, vazhdova të qëmtoja dokumente historike dhe vlera artistiko-folklorike. Kjo punë më dha dorë edhe për të siguruar varfërisht kafshatën e bukës. Disa nga ata që e kishin lidhur qerren, duke parë aftësinë time për gjetjen e dokumenteve të nevojshme për ta, herë pas here ma ngarkonin mua këtë detyrë. Po edhe unë, duke u mbështetur në ndonjë mirëdashës timin, arrija të fusja ndonjë shkrim a vepër nëpër organe institucionesh të ndryshme. Kështu, me kalimin e viteve arrita të paraqisja edhe ndonjë libër. Më 1971 në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dorëzova librin në vargje të lënë nga Qamil Izet Çami, të cilin e titullova: “Fabula dhe Vjersha”. Qitën lloj-lloj hiçkëlash për ta varrosur; pas dy vjetësh hidh e pritjesh, e botuan, po të gjymtuar keqas: e lanë me 97 faqe nga të 435 që kishte; dhe këtë pasi i hoqën emrit tim gërmën “D”. Të njëjtën gjë bënë edhe 7 vjet më pas me librin “Këngë Popullore Çame”. Pasi shumë e shumë prej tyre i hodhën në kosh -e edhe më shumë i vodhën për tjetërkënd- vendosën ta botonin. Mirëpo, kur ishte në prag të vënies në qarkullim, organet përkatëse eprore: Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Propagandës pranë Komitetit Qendror urdhëruan asgjësimin e tij, sepse më quajtën irredentist që kërkoja edhe Prévezën, të cilën “Partia nuk e ka rivendikuar ndonjë herë!”. (Shkrim i posaçëm në “Zëri i Popullit”). Pas shumë e shumë përpjekjesh më 1981 libri u lejua të qarkullonte, po me 150 faqe –nga të 700-tat.. Libri i tretë “Nëpër Udhën e Penës Shqiptare”, i dorëzuar prej meje më 1983 në Institutin e Studimeve Pedagogjike, e pësoi edhe më keq, edhe pse s’e kishte shkruar as ndonjë prej prof. dr. më të njohur. Pas një viti krasitje pas krasitjesh, vitin tjetër -kur ishte lënë me 330 faqe- u dërgua për t’u shtypur në “Mihal Duri”. Për shkaqe që merren me mend, libri u dergj nëpër syrtarë e duar të njerit e të tjetrit dhe dy vjet më vonë, kur pritej të vihej në qarkullim, me urdhër të Foto Çamit, Miti Tona shkaktoi tërmet shumë tronditës në organet arsimore që e kishin miratuar; ato u qortuan rreptësisht pse paskëshin qëndruar aq të verbër, sa të kishin mbyllur sytë për librin e një irredentisti, një armiku të Partisë, “i cili si vepra shkencore përdor vepra reaksionarësh”. (padijet ruhen të plota në arkivin tim). Shtrëngata ishte shkaktuar nga një letër dërguar hajdutërisht Byrosë Politike, letër që unë e ruaj ende tok me shkresën çekan të Drejtorisë së Propagandës pranë K.Q. të PPSH-së. Shtrëngata në fjalë së pari fluturoi drejtorin e Institutit të Studimeve Pedagogjike, prof. Sotir Temon, i cili kishte miratuar botimin e librit. Ankesave të mia, sekretari I i Rajonit nr. 2 të Tiranës që mbulonte shtypin, Peti Shamblli, duke shkumëzuar e kërcënuar, iu përgjegj: “Ti Partia të ka dhënë kazmën, po ti s’heq dorë nga kundërvënia ndaj saj. I biri i Daut Hoxhës, fashistit të poshtër, kriminelit që vrau popullin grek. Do të thërres policinë të të hedhë hekurat e të të fusin atje, nga ku herën e parë munde të dilje. Po, po u fute prapë, dije se atje ke për t’u kalbur, atje do të të dalë shpirti yt kryengritës!. Bën çmos që t’i kundërvihesh partisë, të rivalizosh atë. Po partia të shkurton duar e këmbë, siç ua ka bërë edhe të tjerëve që vepronin si ti”. Mirëpo me fjalët “kryengritës” e “antiparti” etj. veshët e mi tanimë ishin regjur, nga njëri vesh më hynin, nga tjetri më delnin. Përgjegjësi i Arkivit të Institutit të Historisë, tejet i mërzitur nga sjellje kaq të ulta, një ditë nga ditët me keqardhje të thellë më tha: “Po të më bënin qoftë edhe një të qintën e sa po të bëjnë ti, as emrin s’do t’i zija në gojë historisë së Çamërisë”. Përgjigjja ime ishte: “Po tërë këto shkelma kundër meje ata i hedhin pikërisht që unë të heq dorë nga veprimtaria në shërbim të Çamërisë. Nëse unë heq dorë, ata do fërkojnë barkun nga kënaqësia. Ta heqin nga mendja, kurrë nuk do t’ua jap atë kënaqësi!”. Kurse Kiço Kapedani, inspektor i Drejtorisë së shtypit pranë K. Q. gjatë një takimi më tha: “Do të dish të vërtetën pse s’u lejua qarkullimi i librit tënd? Ti s’ke të drejtë të botosh, kjo e drejtë u është lënë besnikëve të Partisë. Po ti, akoma s’do të dish se kush je?!”. Pa ia zgjatur, iu përgjigja: “Jo, ti s’e din kush jam unë, kurse unë po; jam një nga luftëtarët që përzunë pushtuesit e huaj dhe rikthyen sërish shtetin shqiptar në jetë”. Pas ndarjes me të m’u duk e pavend ajo përgjigje, sepse ato padyshim që s’i tha nga mendja e vet, po ishte gjykimi i eprorëve të tij. Duke sjellë në mendje këto hidh e pritje, m’u kujtuan fjalët e përçudshme të kryeredaktorit të asokohshëm të fletores “Drita”; në prani të prof. Bashkim Kuçukut, redaktori që kishte pranuar një shkrimin tim mbi një “Hero Populli”, më tha: “Po të botojmë shkrimet e tua, na dërgojnë atje ku ishim!”. Rrjedhimisht libri im “Nëpër udhën e penës shqiptare” i vënë në shënjestër që 5 vjet më parë, s’i shpëtoi që s’i shpëtoi dot ndëshkimit, edhe pse drejtoria e Institutit Pedagogjik dhe këshilli shkencor për historinë i atij instituti qëndruan të patundur në mbrotjen e tij; pas një viti hidh e pritjesh, atë e shndërruan në brumë letre, me përjashtim të rreth 1000 kopjeve të pambaruara plotësisht, të cilat, si të tilla ishin hedhur në një birucë të papërdorshme. Pas 5 vjetësh(1990), kur vendin e Foto Çamit e zuri Spiro Dedja –i cili kishte qenë kundër djegies së librit- urdhëroi plotësimin e mangësive dhe vënien e tij në qarkullim. Pasi censura PPSH-iste zyrtarisht pushoi së vepruari, pa patur kurrfarë ndihmeje kam botuar:

1. Më 1992. “Jusufi e Zulejhaja” me 138 faqe. Vepër historike dhe morale në vargje, e shkruar nga Muhamet Çami.

2. Më 1994. “Turqit dhe Shqiptarët” me 200 faqe. Në të kam përshkruar ngjarje dhe vende anadollite si edhe bashkëpunimin shqiptaro-turk në të kaluarën e në vazhdim.

3. Më 1995. “Kështu Luftuam Ne” me 80 faqe. Në të kam përshkruar luftimet dhe ngjarje të ndryshme, lidhur me të dy divizionet e ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në krahinat shqiptare dhe joshqiptare brenda kufirit të shtetit të atëhershëm jugosllav. Vëndin kryesor e zënë përshkrimet mbi veprimet antinjerëzore e antikombëtare të kryera gjatë viteve 1944-1945 prej pushtetarëve dhe ushtarakëve jugosllavë ndaj shqiptarëve brenda kufirit të shtetit të sapopërmendur.

4. Më 1996. “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922”.me 181 faqe. Në të kam përshkruar luftimet e ashpra që gjatë Luftës Ballkanike çamërit bënë kundër ushtrisë mësyese greke për mbrojtjen e Çamërisë dhe të Janinës. Kam përshkruar, gjithashtu, edhe pjesëmarrjen e çamërve gjatë Luftës I Botërore si edhe humbjet e tyre gjatë atyre dy luftrave; listat emërore dhe vendbanimet e veta janë dëshmia më bindëse e përjetësuese e atyre dëshmorëve të kombit.

5. Më 1998. “Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu” me 181 faqe. Në të, përveç fjalës çelëse dhe përshëndetëse, kam përmbledhur 8 kumtesat e parashtruara në konferencën shkencore të mbajtur më 20.12.1997 në Muzeun Historik të kryeqytetit, me rastin e 185-vjetorit të lindjes së dijetarit të madh, Hasan-Tahsinit. Kam përmbledhur, gjithashtu, 18 punime mbi jetën dhe veprën e hoxhë Hasan-Tahsin efendiut, të botuara në vepra të ndryshme prej dijetarësh dhe shkrimtarësh të huaj e shqiptarë, duke filluar prej Shemsuddin-Sami Frashërit e në vijim, si edhe kujtime e vjersha kushtuar dijetarit tonë në zë.

6. Më 2000. “Viset Kombëtare Shqiptare në Shtetin Grek” me 505 faqe. Në të përshkruhen me hollësi përpjekjet e qeverisë greke për mbytjen e shtetit shqiptar që në shpërgënj; vazhdohet me dredhitë dhe pengesat lidhur me caktimin e kufirit, pësimet e çamërve gjatë sundimit të zgjedhës greke, përpjekjet e tyre diplomatike dhe ushtarake, organizmat administrativo-politike të çamërve në vitet 1941-1944, listat emërore të të internuarve, të burgosurve dhe të vrarëve etj.

7. Më 2000. “Daut Hoxha” me 191 faqe. Në të kam përshkruar jetën dhe veprimet e armatosura, të zhvilluara në bashkëpunim me shumë çamër atdhetarë të tjerë kundër pushtimit dhe sundimit grek.

8. Më 2006. “ÇAPARÈNJTË – Refo Çapari” me 382 faqe. Në të kam përshkruar udhën historike të derës së madhe dhe të fuqishme të Çaparenjet e në veçanti jetën dhe veprimtarinë e Refo Çaparit: historian, letrar, vjershëtar, publicist e në mënyrë të veçantë dramaturg i përkryer. Përveç pjesëve të tjera, në libër u botuan edhe dy nga dramat që munda të gjeja: “Rétë” dhe “Rrënja”, të cilat dallohen për aftësinë artistike e aq më tepër për frymën atdhetare e filozofike.

9. Më 2006. “Enciklopedi Jugshqiptare” I (A-H) me 860 faqe, e pajisur me 2 harta: njëra e Çamërisë dhe tjetra e Çamëri-Mollosisë, një skicë topografike dhe 228 fotografi të ndryshme. Në libër përshkruhen krahinat dhe ngjarjet që prej lashtësisë më të hershme e deri në ditët e sotme. Mbështetur në qindra e qindra dokumente, vihet në dukje se që stërgjyshërit më të hershëm të shqiptarëve të sotmë ishin të vetmit zotërues të vendit deri edhe në Gjirit; në vijim tregohen tkurrjet, rishtrirjet dhe shkaqet përkatëse. Theksohet kufiri kombëtar shqiptaro-grek që qindra e qindra vjet para themelimit të kombeve, pra që 2200-2300 vjet më parë. Flitet për mbretëritë dhe principatat e para shqiptare në jugun shqiptar dhe rolin e peshën e tyre në histori. Flitet për pushtimet e huaja dhe qëndresën e vendësve; flitet gjerësisht mbi kryengritjet e shpeshta kundër çdo pushtuesi. Flitet një për një gjërësisht për tërë shoqëritë kombëtare e kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit: ato të para e pas Pavarësisë, për organet e shtypit dhe shkollat që të kohës së Ali p. Tepelenës e deri në ato të disa viteve pas 1945-s. Flitet për prijës e atdhetarë të tjerë, si të famshmit hoxhë Hasan-Tahsin efendiu, Hasan aga Çapari, Abedin pasha Dinua, Dora d’ Istria etj. etj.; për krerë çetash si Muharrem Rushiti, Daut Hoxha etj. Në n/zërat brenda zërit ÇAMËRIA, përshkruhet gjithçka ka të bëjë me atë pjesë shqiptare: me relievin, me klimën, me ekonominë e të gjitha degëve e mbi të gjitha për veprimtarinë kombëtare të çamërve. Në zëra të veçantë flitet edhe për atdhetarë të ndryshëm, sidomos për ata –kryesisht mësuesit- që kanë vepruar në Çamëri e qarkun e Gjirokastrës apo që veprimtaria e tyre lidhet me Çamërinë, si: Gani e Sali Butka, Harrillë Bakalli, Idriz Guri, Demo Emini Dino Çiçua Ismail Kaso Dhëmblani, Rauf Ficua etj. Flitet. gjithashtu për intelektualë të shquar me prejardhje nga Çamëria, si Kolë Hidhromenua etj. Vend veçanërisht të gjerë zënë shqiptarët që grekërit i quajnë “arvanìtë”; përshkruhet veprimtaria e tërë krerëve të shquar kryengritës e ushtarakë, si Andrucua(Verrùshi), Bubulina, Konduriti, Kriezóti, Pangallo, Saqellari etj. Përshkruhet veprimtaria e intelektualëve arvanitë si Aleko Frëngu, Anastas Kulluriti, Aristidh Kola, Dhimitër Vulgari, Gjergj Dhriva, Jorgo Marruka, Panajot Kupitori, Petro Furriku etj. Flitet për këngëtarë të dalluar, si Aleko Dhimua dhe grupe artistike atikase, moraite etj.

10. Më 2007. “Bilbila dhe Thëllëza Çame” (në vargje) me 498 faqe. Në të kam përmbledhur 1050 balada dhe këngë të ndryshme: historike, trimalëvduese, dasme etj.. të kënduara nga çamërit e më shumë nga çamet.

11. Më 2007: “Shqipëri, moj Dritë Ylli” (në vargje) me 149 faqe.

Jam duke përfunduar vëllimin e dytë “E. Jugshqiptare” (I-ZH). prej mbi 1000 faqesh.

Përveç 13 veprave të botuara prej meje, jam bashkautor në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (në të dy botimet), në “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, në 4 vëllime të “Yje të Pashuar” si edhe në veprat në vargje: “Ndizet Zemra nga gëzimi” dhe “Këngët na burojnë si gurra”. Mbi 200 punime historike janë botuar në të përkohshme dhe fletore jashtë e brenda vendit; mbi 100 emisione radiofonike dhe radiotelevizive etj. Po duhet thënë se qëndrimi progrek, therës ndaj Daut Hoxhës dhe mbytës ndaj meje vazhdon haptazi edhe në ditët në vijim. Disa herë u është kërkuar presidentëve të pas 1990-s vlerësimi i veprës kombëtare të Daut Hoxhës, por asnjë prej tyre s’e ka përfillur, sado që kërkesa u është bërë edhe nga Shoqata P.A. “Çamëria”, edhe nga organizata e të përndjekurve politikë. Manarë grekë si ish-ZP-sti Frok Çupi, akademiku, prof. dr. PPSH-ist, Apollon Baçja e ndonjë tjetër gjatë viteve 1990-2000 janë vërsulur kundër Daut Hoxhës edhe më tërbimthi se vet asfalisto-horofillakët. Në organe shtypi si “Koha Jonë”, “Dita”, “Zëri i Popullit”, “Klani” e në ndonjë organ tjetër i pas 1990-s, ashtu si edhe në disa të para 1990-s nepërkat asfaliano-horofillake kanë qitur kokën, gjithsaherë i kanë nxitur ata që i ushqejnë; nga sa po ndodh, duket sheshit se të tilla nuk ka pak; kjo bie fare çiltazi në sy edhe në qëndrimin që zyrtarët mbajnë ndaj meje. Sado që nga 1990-ta e këndej kam botuar më shumë vepra se cilido akademik e prof. dr., pushtetarët përkatës s’kanë pranuar të më njohin asnjë shkallë shkencore. E si mund ta bëjnë një gjë të tillë ata që Athinën e kanë vend haxhillëku?!
Si përfundim shkurtimisht të jetëshkrimit tim, besoj se vlejnë të bëhen të ditura edhe sa po them. Pas gurgulesë së PPSH-istëve më 1990, PPSH-istëve flamurëshumë si “qytetarë të zgjedhur” që ishin mbajtur për aq shumë vjet, s’u priste dot më palla në të dyja anët. Në ditët potereshurdhuese, një ish-shokun tim të kohës së Luftës, i cili edhe pse ishte ngjitur dikur në shkallë shumë të larta partiake dhe shtetërore, po që pastaj e kishin “rrëzuar nga fiku”- e pyeta se përse unë ndiqesha edhe pas 1960-s, ashtu si edhe para 1960-s. Ai m’u përgjegj: “Përse, nuk e din ti?”. I thashë: “E di, se e keqja më ka ndjekur si hija trupin, po dua të ma thuash ti që ke qenë në shkallë të tilla, nga ke mundur të mësosh shkakun e vërtetë”. M’u përgjegj: “Po ti ishe i biri i Daut Hoxhës, më të hidhurit dhe të urryerit nga pushtetarët grekë; për më tepër ndiqje edhe udhën e tij. Kur ti të dënuan si antisovjetik, veglat greke me detyra të larta partie dhe shtetërore brohoritën: «rroftë sebepi!»; të linin më ata që ti të merrje veten?!”. Me atë rast m’u kujtua se vite më parë e kisha takuar rastësisht, kur ai ishte ende “në qemàl” dhe unë endesha derë më derë për një punë e vate. Ai, duke qenë për shumë vite rresht ambasador kur në njërin shtet e kur në tjetrin, s’kishte se si ta dinte gjëndjen time politike; dhe, kur unë i kërkova të ndërmjetësonte për të më pranuar në ndonjë detyrë në lëmninë ku isha diplomuar nga Univerisiteti ai, tërësisht i gatshëm për të më ndihmuar si shok i të njëjtave detyra gjatë luftës, m’u përgjegj: “Që nesë do vete tek Thoma Deljana. Ai s’ma bën fjalën dy mua”. Po, meqë të nesërmet kalonin shurdhërisht njëra pas tjetrës, gjeta rastin t’i zija shtegun dhe ai s’kishte nga t’ia mbante, veç të më takonte. I prerë në fytyrë dhe duke shikuar herë për tokë e herë mua, më tha: “Do të më falësh që s’të mbarova dot punë!. Ke kundërshtarë shumë të rreptë dhe shumë të fuqishëm”. “Po pse, pak i fuqishëm je ti?!”, iu përgjegja. “Unë jam një cingërrimë para tyre; kur t’u teket, më mbërthen për zverku e më flak tutje si leckë”. “Epo –gjegja unë- veç në është fjala për anëtarë të Byrosë Politike!”. Diplomati duke ngritur pakëz supat dhe me shikim më tepër në tokë, me gjysëm zëri tha: “Eeee, ç’të të them unë, merre vet me mend!” dhe u largua gati si me vrap. Thuajse e njëjta gjë më ndodhi vite më pas edhe me Nexhmije Hoxhën, kur ishte fjala për zhbllokimin e librit “Nëpër udhën e penës shqiptare”. As asaj s’ia vuri kush veshin, s’po flas pastaj edhe për ndonjë tjetër, si f. v. Jashar Mezlenxhiu, zotimet e të cilëve unë i ruaj ende si dokumente historike.

Unë që fare i vogël kam qënë i mosbindës me dhunë, cilido që të ishte ndëshkimi trupor. Dhe që kur “njoha veten”, d. m.th. kur arrita 10-12 vjeç, s’pranova kurrë t’i bindesha atij që vepron me “kështu dua unë”; spranova kurrë të shtiresha për të kënaqur mendjen shterpë e tyryfyle të dikujt apo për të quajtur të zezën të bardhë e anasjelltas, të bardhën të zezë. Mirëpo, kur u rrita dhe m’u ngarkuan detyra zyrtare, këto dy dukuri bënë që të mos pëlqehesha prej eprorëve; kjo sepse pushtetarit epror i duket vetja se ka zënë qiellin me dorë, se vetëm mbi supat e tij qëndron kombi e shteti, se ai është më i dituri e prandaj i pëlqen vetëm mendja e vet; se ai është kandari për përcaktimin e së drejtës dhe të fajit e kështu për çdo gjë a çështje vetëm ai paska të drejtë, kurse ata që s’kanë të njëjtin mendim me të, janë fajtorë. Rrjedhimisht sipas tij vartësit duhet të binden pa fjalë e atij t’i përgjigjen vetëm:“si urdhëron, ashtu është” edhe kur ai thotë “fluturon gomari”. Koha vërtetoi dhe po vërteton se ai që vepronte dhe vepron ndryshe, ndëshkohej dhe ndëshkohet me lloj-lloj masash e me lloj-lloj rrugësh e mënyrash.

Ibrahim D. Hoxha
historian e folklorist

Tiranë, maj 2008

Saturday, February 28, 2009

Edhe unë jam nga Çamëria, jam çam!
Mbresa nga veprimtaria e misionarit Dr. Haim Reitan në Shqipëri

Të kesh miq që të duan në botë është gjëja më e mirë, por që të kesh miq që janë të pasionuar edhe pas idelave të tua dhe që e dashurojnë atdheun tënd, njëlloj si të tyren, kjo është mrekulli. Kjo është utopi, është ëndërr, mund të shprehet ndokush. E drejta e tij, megjithatë unë i them se ndodh ndonjëherë ndonjë mrekulli që edhe ëndrrat të bëhen realitet dhe pjesë e këtij realiteti të mrekullueshëm është edhe miqësia ime me misionarin Dr. Haim Reitan.

Po kush është ky njeri i mirë që me sjelljen dhe veprimet e tij më nxit shpesh të mendoj se është fatlumë ai person që has në një mik të tillë?

Dr. Haim Reitan lindi në Stamboll të Turqisë më 20 maj 1946, është mjek, diplomat, përkthyes dhe publicist. Është shtetas italian me origjinë izraeliane. Banon në Bergamo të Italisë.
Ka kryer liceun për biologji në qytetin Batiam të Izraelit. Është diplomuar për mjekësi në Universitetin e Pavias, Itali, në vitin 1974. Më vonë ka kryer disa vite specializime për sëmundjet e aparatit kardio-vaskular, për nefrolog dhe për kardio-kirurg në Pavia të Italisë, në New York, Miami, Arizona e Teksas, në SHBA, e mandej në Londër, Roterdam e Tel Aviv.
Është anëtar i shoqatës italiane të kardiologjisë dhe i shoqatës së flebologjisë.

Deri në vitin 2003 ka punuar si drejtor spitalesh në disa qytete të Italisë, si këshilltar mjeko-ligjor e si kordinator i marrëdhënieve me vendet e Komunitetit Evropian për zhvillimin e mjekësisë e të teknologjisë mjekësore. Gjatë vitit 2004 ka punur si këshilltar për projektet inxhinierike për ndërtimin e spitalit të ri të Bergamos.

Në vitet 2005 – 2006 ka kryer rolin e kordinatorit për zhvillimin e marrëdhënieve midis Italisë e Shqipërisë në fushën e mjekësisë gjë që vazhdon ta kryejë edhe tani me lidhjet e mira që ka krijuar me titullarët e Ministrisë së shëndetësisë. Për vet natyrën e karakterit të tij si njeri me shpirt misionari idealist ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë shumë persona që kanë nevojë të kurohen në spitalet e Italisë. Ndërkohë vazhdon të drejtojë edhe qendrën e vet shëndetësore në Bergamo të Italisë.

Dr. Haim Reitan zotëron disa gjuhë si hebraisht, italisht, anglisht, frengjisht, turqisht etj. Tani ka dëshirë dhe përpiqet të mësojë edhe gjuhën shqipe. Në sajë të aftësisë prej poligloti dhe eruditi, është angazhuar edhe si këshilltar i disa personaliteteve të shquar politikë si ministra, kryeministra e presidentë në shtete të ndryshme dhe, me punën e tij, ka ndikuar në forcimin e marrëdhënieve të tyre me Italinë e me Izraelin.

Është shquar si diplomat i përkushtuar e largpamës në rolin e konsullit të nderit dhe me mençurinë e vet ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve të Italisë e Izraelit veçanërisht me shtete si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Kongo etj.

Si njohës i mirë i politikave dhe i zhvillimit të situatave në Ballkan me ngërçe, konflikte e tensione ndëretnike, Dr. Haim Reitan u është përkushtuar edhe studimeve albanologjike e ballkanologjisë. Ai po jep një kontribut të madh edhe si përkthyes e publicist me botimet e tij në media të ndryshme në botë. Ai është një nga bashkëpunëtorët më të zellshëm të revistës “Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri", si dhe i entit publikues Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”.

Kohët e fundit, Dr. Haim Reitan ka nxitur disa lobe politiko-ekonomike në Itali, Izrael, SHBA, Zvicër e gjetkë për të mbështetur zhvillimet e demokracisë në Shqipëri, për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për forcimin administrativo - ekonomik të shtetit të saj të ri, si dhe për ndërkombëtarizimin e problemit të Çamërisë. Në Shqipëri, atë e gjen sa herë me historianin çam Ibrahim Hoxha, me shkrimtarët Namik Mane e Shefki Hysa apo me intelektualë të tjerë të përkushtuar për çështjen kombëtare shqiptare. Dr. Haim Reitan është aq i dashuruar pas çështjes çame saqë shprehet shqip me plot gojën: “Unë jam nga Çamëria, jam çam!”

Dr. Haim Reitan është miqësuar edhe me personalitete të politikës shqiptare si Sali Berisha, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Edi Rama, Skënder Gjinushi, Hashim Thaçi etj. Një nga projektet e tij është edhe binjakëzimi i disa universiteteve shqiptare me universitetet e vendeve më të zhvilluara perëndimore. Me punën e tij të palodhur si misionar i çështjes shqiptare në botë, ai gëzon edhe respektin e shumë elitave intelektuale në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Shefki Hysa

Tuesday, February 24, 2009

Nga Elim Pallmadhi

Profil i letërsisë shqiptare në diasporë

Kur flitet për letërsinë shqiptare, kurrsesi nuk duhet harruar se krahas saj vazhdon të mbijetojë një letërsi e brishtë që lind e rritet me shumë vështirësi në shumë vende të botës ku kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë breza të tërë bashkatdhetarësh tanë. Nuk duhet harruar se edhe ata janë pjesë e gjenit tonë. Nuk duhet harruar se midis tyre ka edhe intelektualë të shquar, talente të vërtetë, krijues të palodhur, pasardhës të denjë të Bardhit, Budit e Bogdanit, De Radës e Serembes, Fishtës, Konicës e Xhaferrit, të cilët përfaqësojnë atë pjesë krijimtarie që quhet letërsia shqiptare në diasporë.

Në këtë kuptim, letërsia bashkëkohore shqiptare duhet parë në një këndvështrim më të gjerë gjeografik, pra, përtej një kornize të ngushtë nacionale. Është koha të flitet dhe të zërë vendin e duhur termi letërsia kombëtare shqiptare.

Pavarësisht nga zhvillimet brenda trungut amë, Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri, duhet pranuar se letërsia shqiptare ka njohur dhe po njeh zhvillime dhe në diasporë.

Zhvillimet e letërsisë në diasporë, mund të shikohen gjeografikisht brenda dy vatrave kryesore:

1. Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.

2. Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi etj.

Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku vazhdojnë të jetojnë rreth njëqind mijë arbëreshë, që flasin shqipen. Në përgjithësi mund të thuhet se një "rilindje" e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve '50, kur dhe nisi të botohej revista "Shejzat" nga Ernest Koliqi në Romë e më pas revistat "Zgjimi", "Katundi ynë", "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja", "Bota shqiptare" etj. Këto organe ndikuan në rritjen e një brezi krijuesish që shkruan në arbërisht. Një pjesë e këtyre tribumave të shtypit arbëresh shërbyen edhe si shtëpi botuese, duke publikuar shumë vepra letrare në të gjitha zhanret.

Përfaqësuesit më të rëndësishëm të diasporës arbëreshe janë:
Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë. Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, ai u kthye në vendlindje. Solano është poet, prozator, dramaturg dhe publicist. Veprat e tij më të rëndësishme janë: “Burbuqe t'egra”, poezi (1946), “Shkretëtira prej gurit”, dramë {(1974), “Tregimet e Lëmit”, etj.

Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: “Zgjimet e gjakut”, “Këngë arbëreshe”, “Hapma derën zonja mëmë” etj.

Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar trilogjinë poetike: “Shpirti i arbërit rron”; “Shpirti i arbërit rron. Arbëreshi tregon”; “Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme”.

Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. Ai është angazhuar edhe si drejtor i revistës "Bota shqiptare" dhe është shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik,. Di Maxhio ka shkruar rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: “Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t'arbreshë”. “Poemë gjysmëserioze arbëreshe Orëmira”, “Për tokën fisnike të Horës” etj.

Vetëkuptohet që letërsia arbëreshe ka edhe të tjerë shkrimtarë, breza më të rinj dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.
Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku ka lulëzuar krijimtaria në gjuhën shqip që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është edhe Ru-mania. Përfaqësuesi më i rëndësishëm i letrave shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 - 1972) , autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht. Mjaft prej veprave dramatike të tij janë ndërtuar mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes.

Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë shfaqur organizime të hershme të komunitetit shqiptar. Një figurë që vlen të merret në konsideratë nga njerëzit e letrave shqipe, është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e vëllime me tregime.

Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.

Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 - 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920 - 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist. Më 1944 ai drejtoi revistën "Kritika" dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi “Lundërtarë”. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete amerikane deri sa doli në pension. Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi “Libri i burgut” (1959) dhe më vonë dhe vepra të tjera. Një ndihmesë të madhe Arshi Pipa ka dhënë edhe në studimet letrare, sociologjike e politike me vepra të dorës së parë, ku operoi me metoda moderne studimi.

Në vatrat e reja të diasporës shqiptare, po krijohet edhe një shtresëzim i vonshëm krijimtarie letrare, që daton pas vitit 1990, kur një dallgë e madhe emigracioni u shkëput nga Shqipëria dhe u derdh rrëmbimthi drejt qytetërimeve perëndimore. Ky shtresëzim që po e mban ndezur zjarrin e letërsisë në diasporë në gjuhën shqipe, përfaqësohet nga një brez më i ri krijuesish emigrantë si Gjekë Marinaj, Dalan Luzaj, Petraq Pali, Rasim Bebo etj., në Amerikë; Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Shpendi Sollaku, Ornela Vorpsi, Ron Kubati etj., në Itali; Alush Avduli, Kolec Traboini, Miho Gjini, Mina Çaushi, Nase Jani etj., në Greqi.

Ky brez më i ri poetësh, prozatorësh e publicistësh emigrantë që përfaqësohen me krijimet e tyre në organe shtypi si “Emigranti” “Bota e emigrantit”, “Iliria”, “Tribuna”, “Mëmëdheu”, “Pelegrin”, “Pegasi”, etj. janë një dëshmi e madhe se letërsia në diasporë vazhdon të jetojë e do të jetojë gjatë duke ushqyer e frymëzuar ndjenjat atdhetare kombëtare shqiptare.

Në këto kushte u takon edhe strukturave shtetërore shqiptare që përfaqësojnë organizmat e kulturës sonë të bëjnë më shumë përpjekje që të gjitha këto shtresëzime dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të lidhen dhe të integrohen për të përcaktuar dhe krijuar një nocion të plotë letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.
Nga Elim Pallmadhi

Shtëpia botuese me emrin e Bilal Xhaferrit

Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” është një nga entet e para botuese shqiptare të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” u krijua si rezultat i mendimit se kultura, arti, letërsia dhe figurat që i përfaqësojnë, me vlerat e tyre, janë ambasadorët dhe diplomatët më bindës e më rezultativë për paraqitjen dinjitoze të një kombi përballë kombeve të tjera të qytetëruara. Më 27 janar 1992 doli leja nga Ministria e Kulturës për themelimin e këtij enti botues. Ministër aso kohe ishte shkrimtari Vath Koreshi, një ndër përkrahësit e nxitësit e fillimeve letrare të talentit Bilal Xhaferri. Vathi e firmosi gjithë entuziazëm lejen për veprimtari botuese dhe premtoi se do të jepte vazhdimisht përkrahjen e tij dhe të shumë prej miqve të Bilalit.

Atëherë ishte një periudhë kur vepra e Bilal Xhaferrit ishte e harruar. Vlerat e tij ishin të mohura prej ish-diktaturës komuniste. Ishte detyrë e intelektualëve çamë si Shefki Hysa që të përpiqeshin për lartësimin e veprës së Bilalit dhe të thesareve të folklorit dhe kulturës çame, vlera të mëdha të nëpërkëmbura që ende nuk i njihte publiku shqiptar. Nëpërmjet figurës së Bilal Xhaferrit, talent i jashtëzakonshëm që kishte shkëlqyer si një yll në horizontin e letërisë shqiptare në vitet ‘60 dhe që ishte shuar befas prej goditjes fatale që mori prej ish-diktaturës komuniste, mund të shpaloseshin para shqiptarëve dhe botës së qytetëruar, perlat e mrekullueshme të eposit popullor çam. Duke njohur këto vlera të mahnitshme të Çamërisë, shqiptarët dhe tërë dashamirët e huaj do të zgjonin interesimin dhe do të dashuroheshin pas çështjes çame, si pas një institucioni besimi të rrallë e të shenjtë që u përkiste edhe atyre.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” në sajë të aftësive, përkushtimit të madh dhe lidhjeve të shumta me politikën shqiptare e atë ndërkombëtare të shkrimtarit Shefki Hysa, u rrit shpejt dhe po përjetonte dita-ditës një bum botimesh të veprave të zgjedhura nga letërsia botërore, të librave të shkrimtarëve ish të përndjekur politikë si Pjetër Arbnori dhe veçanërisht të talenteve të reja. Stafi i saj bënte të gjitha përpjekjet që djemtë dhe vajzat e reja plot talent, jo vetëm të Komunitetit Çam, të gjenin vetveten në shtëpinë botuese “Bilal Xhaferri”, të afirmoheshin e të mos pësonin fatin e dikurshëm të Bilalit, në periudhën e vështirë të tranzicionit të egër kapitalist që po përjetonte Shqipëria. Në vitet e para të periudhës postkomuniste ishte e vështirë të gjeje mjete monetare për botime librash dhe talentet e reja shihnin një strehë ëndrrash tek ky ent botues, pjesë përbërëse e institucionit Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”…

Në vitin 1993 u arrit të botohej edhe romani “Krastakraus” i Bilal Xhaferrit. Ishte një nga veprat më të realizuara artistikisht me temën dhe problematikën e etnisë shqiptare aq të parapëlqyer prej këtij autori. Botimi u mundësua edhe me ndihmën e intelektuales çame Ballkiz Halili, e cila e kishte ruajtur të fshehur për vite me radhë një kopje të daktilografuar të këtij romani. Ky botim ishte një sukses i madh e i papritur . Më në fund po i paraqitej një vepër nga më dinjitozet opinionit shqiptar, jo thjesht figura e Bilalit, shkrimtarit disident të kacafytur dhëmbë për dhëmbë me ish-regjimin diktatorial shqiptar.

Numri i botimeve u rrit nga viti në vit dhe Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” luajti një rol të madh për kombëtarizimin e ndërkombëtarizimin e problemit çam tashmë në prag të zgjidhjes.

Ja disa nga botimet më të spikatura të këtij institucioni me vlera kombëtare:

“Dashuri fatale”, romancë (1992), Alfred de Musset.
“Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)”, romancë (1992), Bilal Xhaferri
“Lavirja e denjë për respekt”, novela (1992), Jean Paul Sartre
“Kur dynden vikingët”, novelë (1992), Pjetër Arbnori
“Krisja e zemrës”, poezi (1992), Gjin Progni
“Turtullesha dhe djalli”, tregime (1992), Shefki Hysa
“Krastakraus (Ra Berati)”, roman (1993), Bilal Xhaferri
“Mos ma kujto vdekjen”, poezi (1993), Rudina Hasa
“Rebel”, poezi (1993), Shpëtim Roqi
“Nata e qiparisave të huaj”, ese (1994), Artur Spanjolli
“Bukuroshja me hijen”, romancë (1994), Pjetër Arbnori
“Robër të paqes”, roman (1994), Shefki Hysa
“Engjëll mëkatar”, poezi (1994), Mirela Rapi
“Dosjet e gjalla”, publicistikë (1995), Agim Musta
“Pjergulla e lotëve”, poezi (1995), Namik Mane
“Kali i përmallimit”, poezi (1996), Arshin Rexha
“Yjet e ëndrrave”, poezi (1996), Etleva Shahini,
“Vorbulla”, roman (1997), Pjetër Arbnori
“Parajsa e mallkuar”, roman (1997), Shefki Hysa
“Parajsa e shitur”, poezi (2002), Dylbere Dika
“Dhe dita vdes”, tregime (2003), Dylbere Dika
“Klithmë shpirti”, poezi (2004), Liri Hidërshaj
“Aromë Çamërie”, tregime (2004), Shefki Hysa
“Mrekullitë e rreme”, tregime (2005), Shefki Hysa
“Mëkim shpirtëror”, novelë (2005), Liri Hidërshaj
“Për pak lumturi”, poezi (2006), Venka Capa
“Rrëfimi”, novelë (2006), Liri Hidërshaj
“Dialog për paqen e pamundur”, publicistikë (2006), Hysen Haxhiaj
“Pikëllim familjar”, poezi (2006), Mina Çaushi
“Me putrat tona shetitëm botën”, roman (2007), Xhulia Xhekaj
“Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë”, artikuj studimorë (2007), Rasim Bebo
“Pendimi”, novelë (2007), Liri Hidërshaj
“Lotët e trëndafilit”, poezi (2008), Kostaq Myrtaj etj.,etj.

Marrë nga libri "Diplomacia e vetëmohimit"
e autorit Shefki Hysa,
Tiranë, 2008

Monday, February 23, 2009

Nga Elim Pallmadhi

Ç’është Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”?!

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) është një OJQ shqiptare, me qendër në Tiranë, e themeluar nga një grup gazetarësh, shkrimtarësh, artistësh e intelektualësh, miq e dashamirë të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri, e cila synon madhështimin e kësaj figure të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste dhe lartësimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare përballë vlerave të qytetërimeve të përparuara botërore, veçanërisht ato të Çamërisë martire.

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” është themeluar në vitin 1993 dhe e miratuar ligjërisht më 1994 si institucion kulturor i specializuar shumëfunksional në vazhdën e zgjerimit të veprimtarisë së shtëpisë botuese “Bilal Xhaferri”, e cila ishte krijuar që në vitin 1991 prej shkrimtarit Shefki Hysa, si një nga entet e para botuese të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Bumi i botimeve të kësaj shtëpie botuese si dhe jehona e madhe e veprimtarisë së saj në ato vite, krijoi idenë se duhej themeluar një institucion me hapësira e fushëveprim ligjor më të mëdha se ato të një enti të thjeshtë botues. Pra, dilte si domosdoshmëri krijimi i një organizmi kulturor shumëfunksional më dinjitar, një organizatë jofitimprurëse që të përfshinte edhe fushën e botimeve dhe njëkohësisht të kishte mundësitë e bashkëveprimit me institucione qeveritare e joqeveritare në të gjitha këndvështrimet e jetës, brenda dhe jashtë vendit…

Një grup veprimtarësh çamë së bashku me miqtë e tyre në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe në Diasporë, diskutuan gjatë me intelektualët më të mirë të Komunitetit Kulturor të Çamërisë dhe në bashkëpunim me shumë e shumë shkrimtarë, artistë e intelektualë të tjerë shqiptarë, miq e dashamirë të Bilal Xhaferrit e të Çështjes Çame, vendosëm të krijonin një shoqatë kulturore, që të kishte përveç shtëpisë botuese, edhe shtypin e saj. Pra, duhej të krijonin një organizatë jo qeveritare si Lidhja Çame që kishte krijuar Bilal Xhaferri në Çikago, SHBA apo diçka të përafërt me shoqatën “Çamëria”, por që të prirej më shumë drejt kulturës çame, sesa t’i kushtohej politikës.

Si rezultat i bashkëpunimit gjatë viteve 1993 e 1994 u themelua dhe forcua Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, si institucion i specializuar që do ta zgjeronte veprimtarinë kulturore tej kufijve të Shqipërisë, në Kosovë e Maqedoni e gjer në SHBA për të bashkërenduar punën me Lidhjen Çame, Lidhjen Kosovare, Lidhjen Demokratike të Malit të Zi, Lidhjen e Shqiptarëve të Maqedonisë e me shumë organizata të tjera që vepronin në kontinentin amerikan. Shoqata do të ishte një zë i fuqishëm për mbështetjen e problemit çam dhe për zgjidhjen e tij në rrugë diplomatike... Pra, këtyre nismëtarëve u duhej të bëheshin nga pak diplomatë, si gjithë shkrimtarët e artistët që vetvetiu marrin rolin e ambasadorëve të kulturës së vendit të tyre… Donin s’donin, do të bëheshin misionarë të kulturës shqiptare, diplomatë të saj…

Po cilët ishin disa prej miqve që u bashkuan në tryezën e kësaj shoqate dhe që e ndihmuan me zemër shqiptari idealin çam?!… Midis tyre u shquan edhe intelektualë të mirënjohur si: Namik Mane, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ballkiz Halili, Dhori Karaj, Faik Teodori, Fatos M. Rrapaj, Hektor Sejko, Hekuran Halili, Namik Selmani, Martin Mato, Minella Kureta, Sokol Jakova, Vath Koreshi, Axhem Çapo, Alem Hoxha, Balil Proda, Bujar Shurdhi, Qani Biraçi, Xhemil Lato e sa e sa të tjerë, jo vetëm çamë…

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” shumë shpejt u shtri jo vetëm në zonat e komunitetit çam, por edhe në rrethet kryesore të Shqipërisë, kudo që ndodheshin miqtë e veprës e të idealit të Bilal Xhaferrit… Krijoi marrëdhënie shumë të mira me strukturat e shtetit shqiptar, me politikanë të të gjithë spektrit politik, me të pozitës e opozitës, me më të vjetrit e më të rinjtë si: Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Ibrahim Rugova e Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Servet Pëllumbi e Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Namik Dokle e Arian Madhi, Edi Rama, Hashim Thaçi, Gramoz Ruçi, Bamir Topi, Besnik Mustafaj e Neritan Ceka, Petro Koçi e Preç Zogaj, Ilir Meta, Pëllumb Xhufi e Sabri Hamiti, Makbule Çeço, Jozefina Topalli, Diana Çuli, Lajla Pernaska, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Majlinda Bregu e sa e sa të tjerë.

Lidhjet e kësaj shoqate u shtrinë dhe u forcuan edhe me ambasada si ajo amerikane, italiane, gjermane, turke etj., apo me personalitete të diplomacisë e kulturës botërore si Hillari Clinton e Doris Pack, Miranda Vickers e James Pettifer, Marko Panela e Callenback, Dr. Haim Reitan, Amir Gilad etj.

Një brez poetësh, gazetarësh, intelektualësh e politikanësht të rinj të talentuar si Agim Mero, Alma Ahmeti, Bianka Bilali, Dylbere Dika, Florian Bulica, Fllanxa Veshi, Kadri Aliu, Kostaq Myrtaj, Ismail Murtaj, Leonora Bilali, Mina Çaushi, Rudina Hasa, Yllka Sulku, Xhulia Xhekaj e sa e sa të tjerë më vonë e më vonë, do të bëheshin ndër vite armata e madhe e luftëtarëve të idealit çam që synonte kjo shoqatë…

Revista “Krahu i shqiponjës”, e themeluar prej Bilal Xhaferrit në SHBA u bë organi që pasqyroi dhe vazhdon të pasqyrojë tërë veprimtarinë e kësaj organizate atdhetare.

Pikësynimi i saj kryesor ishte dhe mbetet madhështimi i figurës së Bilal Xhaferrit dhe i vlerave të kulturës çame e asaj shqiptare përkrah vlerave më të mira botërore... Që të realizohej ky synim, u caktua objektivi më i afërt: Rikthimi i eshtrave të Bilal Xhaferrit në Shqipëri që u realizua më 6 maj 1995 me kontributin e shtetit shqiptar dhe të shkrimtarit Shefki Hysa, kryetar i kësaj shoqate…

Dhe filloi kështu një bashkëpunim i gjatë e lodhës me të gjitha organizmat qeveritare e joqeveritare, derisa u bë e mundur që eshtrat e Bilal Xhaferrit të vinin në atdhe e të preheshin në Sarandë dhe të arriheshin edhe shumë synime të tjera në dobi të kultures shqiptare dhe të zgjidhjes përfundimtare të problemit çam…

Marrë nga libri “Diplomacia e vetëmohimit”
e shkrimtarit Shefki Hysa,
Tiranë, 2008

Saturday, February 7, 2009

Nga Emrie Krosi

TUNGJATJETA ÇAMÊRI!
Shënime për librin “Diplomacia e vetëmohimit”

e autorit Shefki Hysa

“Diplomacia e vetëmohimit” e shkrimtarit Shefki Hysa është një paraqitje sa e çiltër aq edhe dëshmuese e një kalvari të gjatë mundimesh të popullatës muhaxhire çame, është një lloj historiku i zhvillimeve të një prej çështjeve më delikate, siç është çështja çame, që ende këlthet e kushtron për mohimin që i bëhet. Êshtë peng e moszgjidhje e të drejtave jetike të një popullate martire. Si çdo popullsi tjetër, edhe çamët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë atërore në Çamëri, gëzojnë të drejtën e pronës dhe të trashëgimit të truallit të të parëve të tyre, por vitet kalojnë e askush nuk kujtohet për të ndrequr padrejtësinë që u është bërë.

Pas shembjes së pushtetit diktatorial në Shqipëri shpresa e çamëve rilindi. Menduan se kalvari i vuajtjeve të tyre do të merrte një zgjidhje dhe se ata do ktheheshin në vatanin e tyre, në Çamëri, aty ku kanë dhe varret e të parëve, por ky “zgjim postraumatik” s’qe gjë veçse një zhgënjim tjetër. Me sa duket për ta do të kishte akoma e akoma vuajtje, dhimbje e mohim… Tradhtia më e madhe dhe pabesia më e turpshme ndaj kësaj plage të shpresës së tyre të rivrarë rishtas ishte dhe thënia ogurzezë e grekut Micotaqis, në Tiranë, në pranverën e vitit 1991: “Nuk ekziston problem çam”.

Atëherë kush qenka Çamëria?!... Po çështja e saj?

Çamëria, fjalë ende e ndaluar si “molla e Adamit” në fjalorin e politikës shqiptare, por edhe në rrethet e politikave ballkanike e ndërballkanike. Çamëria, një krahinë që kushdo e njeh dhe e ka shkelur, ka mbetur i habitur nga mrekullitë e saj, jo vetëm ato natyrore, por edhe kulturore. Një krahinë që u përket shqiptarëve çamë e që nuk mund të tjetërsohet dhe as të mohohet. U përket atyre që lindën dhe u rritën në atë truall të aneksuar padrejtësisht prej Greqisë më 1913, të cilët quhen dem baba dem shqiptarë, banorë autoktonë të asaj treve, ndoshta shumë më përpara se të vinin fiset greke nga ishujt e Azisë së Vogël, shumë e shumë kohë para Odisesë…

Greqia këtë fakt e di mirë! Pse atëherë ka frikë ta pohojë?! Nga gjykimi i vetvetes apo i historisë së saj?! Këtyre e shumë pyetjeve të tjera u jep përgjigje të sakta përmbledhja voluminoze “Diplomacia e vetëmohimit”. Në këtë libër autori Shefki Hysa pasqyron, midis të tjerash, edhe takimet e bisedat, debatet e replikat, dialogjet e përplasjet jo vetëm me politikën e kohës së regjimit komunist, por edhe me politikanët e periudhës postkomuniste si me: Sali Berishën, ish President i Republikës, Ibrahim Rugovën, ish liderin e Kosovës, me Mandelën shqiptar, Pjetër Arbnorin etj., etj. Këto peripeci e orvajtje atë nuk e lodhën, por me një kurajo dhe vendosmëri të madhe prej çami, me shpirtin luftarak e binjak me Bilal Xhaferrin, simboli dhe udhëheqësi i tij ideal, që lindi çam dhe vdiq çam, arriti deri aty sa me “diplomacinë e tij të urtë” është përballur me diplomacitë perëndimore, me të vetmin ideal: Çamërinë dhe Shqipërinë etnike.

Në përpjekjet e tij Shefki Hysa, herë të forta dhe herë të buta, me ustallarët e politikës dhe diplomacisë, iu desh të përdorë një lloj zgjidhjeje të tipit “deux ex machina”, nëpër rrugëtimin e gjatë për mbrojtjen e çështjes çame. Instancat më të larta të shtetit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca e Republikës dhe Qeveria, janë nxitur shpesh të mbështesin dhe zgjidhin problemin çam, pavarësisht se kanë bërë shumë pak apo pothuajse nuk kanë lëvizur as gishtin, ose që kanë penguar si në mars 2004, kur rrëzuan rezolutën çame. Shefki Hysa dhe miqtë e tij kanë trokitur edhe deri në Parlamentin Euroipian, janë takuar me Komisarët e të Drejtave te Njeriut, me z. Franco Fratini e Oli Rehn si dhe me eurodeputeten Doris Pack (në prill- maj 2006).

Kosova e arriti pavarësinë e saj, por Çamëria ende asgjë. Zgjidhja e problemit çam ende pengohet nga vetë qarqet e politikës shqiptare të shitura te greku e serbi. Mos vallë duhet edhe ajo “të militarizohet” për të realizuar të drejtat që i janë mohuar përdhunisht nga zervofilët grekë? Mos vallë duhen sjellë sërish në këto troje, si në Kosovë, përballë politikës së tredhur shqiptare “Klintonët e Bushët e rinj të Amerikës” që të “urdhërojnë” zgjidhjen e çështjes çame?!... Së pari Çamëria është çështja jonë, çështje mbarëshqiptare, jo vetëm e çamëve. Duhet kuptuar mirë se problemi i Çamërisë është i të gjithë shqiptarëve, edhe i politikës e diplomacisë sonë, të cilat duhet të mësohen të vetëveprojnë me përgjegjësi kombëtare dhe jo me poza servile, siç kanë vepruar deri tani, vetëm kur marrin urdhra nga politikat e mëdha botërore.

“Çështja çame ka karakter mbarëkombëtar dhe mbarëshqiptar”, - është shprehur ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një intervistë të viteve `90 në Tiranë, për gazetën “Kombi”, - “duhet patjetër” -theksonte ai,- “që ta bëjmë pjesë të shpirtit tonë, pastaj t`ua parashtrojmë organizmave ndërkombëtarë e dashamirësve tanë nëpër botë dhe të kërkojmë zgjidhjen e saj”...
Çamëria është çështja e shtruar për zgjidhje dhe koha nuk prêt. Duhet të punojmë së bashku gjithë faktorët shqiptarë për të pasur një Shqipëri të fuqishme që të konkurojë bindshëm në Europën e qytetëruar dhe për këtë duhet patjetër që edhe çështja çame të zgjidhet ashtu siç u pavarësua Kosova. Duhet punë e madhe për ta çuar në vend ëndrrën e qindra-mijëra çamëve, për të qenë jo vetën në atdheun e të parëve, por edhe qytetarë të denjë të Europës së bashkuar.
Shumë thonë se Çamëria nuk merret! Por e fundit vdes shpresa! Nëse do të mendojmë si mendjeshkurtërit asnjëherë nuk do ta zgjidhim problemin e Çamërisë, por po të kemi më shumë guxim dhe vlera shqiptarie, por edhe më shumë vullnet politik, jo vetëm që do ta zgjidhim këtë çështe, por do të jemi edhe një komb i bashkuar, do të zemë vendin tonë që na takon në në Ballkan e në Europë, do të jemi shumë më dinjitozë para Qytetërimit Perëmdimor, pjesë e të cilit është edhe kombi i madh shqiptar.

Po të jemi të kujdesshëm, libri “Diplomacia e vetëmohimit” nuk është vetëm një apel, por edhe një lloj bible, një model i të bërit politikë e diplomaci, që shumë mirë mund të quhet edhe “diplomacia e urtësisë” e Shefki Hysës, gjë e cila bie në sy edhe në marrëdhëniet e tij me politikëbërësit shqiptarë e ata botërorë, por edhe me miqtë e tij çamë, shqiptarë e të huaj.

“Diplomacia e vetëmohimit” është pasqyra e tërë veprimit e mosveprimit shqiptar, është ehoja e tërë përpjekjeve atdhetare të shumë intelektualëve idealistë që çështja çame të ketë jehonë sa më të madhe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe duhet të jehojë fuqishëm edhe për ata që nuk e njohin akoma apo dhe kanë harruar qëllimisht që ekzison një cështje e hapur, e cila quhet Çamëri.

Të vjen keq, kur midis rrjeshtave të librit, përveçse betejës për Çamërinë e për lartësisim e figurës së Bilal Xhaferrit dhe veprës së tij atdhetare në Shqipërinë diktatoriale e në Amerikë, (vërtetuar kjo nga intervistat, kujtimet, reportazhet e mbresat e miqve e bashkëkohësve) dallon edhe gjurmët e pabesisë, babëzisë dhe mosdëshirës për të vepruar, ca më keq edhe pengesat e tradhtitë e atyre që e kanë për detyrë të punojnë për atdheun e tyre. Indinjohesh thellë kur ata që u janë besuar fatet e vendit edhe nga vota e çamëve, me shpresën se një ditë… “eh një ditë… do të kthehen në vatanin e vet për të vendosur qoftë edhe një tufë lule te varret e të parëve”, sabotojnë në vend të zgjidhin problemin. Pra, politika e diplomacia shqiptare tanimë janë të verbra dhe të shurdhra, ndaj çështjes çame, këtë përfundim arrin dashur padashur.

Ndërkohë Shefki Hysa e miqtë e tij arrijnë ta çojnë “Amanetin e Bilalit” deri në Kongresin Amerikan ku zëdhënëse e tyre u bë politikania e madhe Hillari Clinton apo në Strasburg, ku eurodeputetja Doris Pack shprehet: ‘Grekët kërkojnë të drejtat e minoritetit të tyre në Shqipëri, por harrojnë se çëshja çame është njëlloj si çështja e grekëve që u dëbuan nga Çekia dhe Polonia si bashkëpunëtorë të Hitlerit… Çamëve duhet t`u njihet e drejta të vizitojnë vendlindjen e tyre, të vizitojnë varret e të afërmve. Asnjë grek nuk mund t`i kundërvihet faktit që të trajtohen të drejtat humanitare të popullsisë çame, për vizita në vendlindje dhe në varret e të parëve të tyre. Përsa i përket çështjes së pronave, Greqia dhe Shqipëria duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe ta zgjidhin midis tyre”… Kurse eurodeputeti greko-qipriot shprehet: “…Çështja çame përbën një problem që ekziston dhe që ne duhet ta kalojmë”… Pra, “lufta vazhdon”. Beteja të tjera i presin çamët. Beteja finale do të jetë atje, në Çamëri, atje ku “vendi ndërronte aromë/ erë dehëse kanelle/ erë mishi qenjgi të njomë…, - siç theksonte Bilal Xhaferri në poezinë “Aromë Çamërie”…

Nuk është thjesht një dedikim Çamërisë dhe Bilal Xhaferrit, ky libër, por një klithmë që akoma jehon nëpër qytetet e zonat e Çamërisë të braktisura nga banorët e tyre, sepse qenë ndryshe,sepse qenë çamë muslimanë, se çamët orthodoksë janë akoma dhe kësaj dite në trojet e tyre etnike. Nuk bëhet fjalë se çfarë feje kanë çamët, por kemi të bëjmë me një problem të madh kombëtar, një problem që duhet rë vihet në rrugën e zgjidhjes, në mënyrë që edhe kanalet e komunikimit mes Athinës dhe Tiranës të jenë akoma edhe më transparente. Në të gjithë rrugëtimin e tij Shefki Hysa, që nga fillimi e deri në fund të librit (më saktë fundi do të jetë Çamëria e lirë me çamët shqiptarë), është munduar të kalojë përtej vetvetes me një sakrificë të pashembullt, në emër të një ideali, që shumë nihilistë e quajnë, “mollë e ndaluar”, ose disa prej tyre që e quajnë veten shqiptarë, shkojnë akoma më tej e thonë: “Çamëria problem i mbyllur”, duke çuar ujë në mullirin shovinistëve grekë të rinj e të vjetër. A thua se u zbut Greqia dhe ndërroi mendje, se gati pesëqind mijë shqiptarë punojnë si argatë, jo vetëm në tokat came, por edhe në të gjithë hapësirën e vjetër Pellazgo-Dardane? Jo! Greqia luan një politikë sa të vjetër dhe të re, të “kulaçit e kërbaçit”, duke ditur se hapësirat ballkanike po ngushtohen gjithnjë e më shumë në emër të një diplomacie të re që quhet euroballkanizëm, që duam apo s`duam ne, ballkanasit, duhet të jemi pjesë e saj.

Ja si shprehet Ismail Kadare nëpër radhët e librit: “Ka ardhur koha që Ballkani të shtërohet nga krimet e vjetra, dhe një nga këto krime është ajo që ka ndodhur në Çamëri. Drama çame. Dhe kështu Ballkani do të përgatisë rrugën drejt emancipimit. Vetëm pas këtij pastrimi Ballkani mund të bëjë pjesë në familjen e emancipuar të popujve europianë”… Atëherë vetë Athina dhe Greqia duhet të bëjnë “katarsis” (fundja kjo fjalë ka ardhur nga korifejtë e letërsisë antike greke, nga vetë zemra e Athinës së lashtë demokratike, nga Aristoteli) brenda vetes, të pranojnë se ka një problem të madh e të pazgjidhur, siç është çështja çame dhe të mos e njollosë akoma figurën e çamëve, si gjoja “plangprishës” të fqinjësisë dhe armiq të paqes. Kush qenkan më paqësorë se çamët? Kush e do më shumë paqen dhe qytetërimin se çamët? Por ky qytetërim duhet të vijë nga të dy polet politike që formula e “bashkëjetesës ndëretnike e ballkanike” të funsionojë.

Të nxitur nga misionari Shefki Hysa, një pjesë e politikanëve shqiptarë si Arian Madhi, Ilir Meta, etj. kanë bërë përpjekje për ndërgjegjësimin e BE për zgjidhjen e problemit çam, por këto ishin nisma individuale më shumë sesa institucionale. “Jo vetëm opinioni botëror, por së pari ne vetë duhet të ndërgjegjësohemi, se kjo çështje duhet zgjidhur si duhet, megjithatë europianizimi i problemit çam tashmë është një arritje e madhe, konkrete një realitet, jo llafe” - është shprehur deputeti Arian Madhi në Parlamentin Europian.

Pra, tani e kemi vetë në dorë. Ta bëjmë Çamërinë! Çamëria është e jona! Thënia se pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, tingëllon aktuale sot më shumë se kurrë. Tungjatjeta Çamëri! Tungjatjeta!...

EMRIE KROSI