Thursday, November 29, 2007

NJË SHKALLË E RE KRIJIMTARIE

Kam përpara në dorëshkrim librin e ri "Mrekullitë e rreme", me tregime, të shkrimtarit Shefki Hysa. Para se ta lexoja, mendova se do të gjeja po ato elemente të stilit të rrëfimit që kisha gjetur në librat e tij të mëparshëm, veçanërisht në përmbledhjen me tregime "Rrëfimet e një hajduti", vepër që deri në atë kohë ka qenë ndoshta më e dalluara për frymën e një realizmi të vërtetë bashkëkohor, me probleme dhe ide sociale që shqetësojnë shoqërinë tonë. Më kujtohet se atëherë më ka lënë mbresa edhe fragmenti "Babloku" nga romani "Parajsa e mallkuar", që do ta quaja ekspresionist, duke u nisur nga përshtypja e thellë emocionale që të mbetet nga rrëfimi. Gjatë leximit të "Bablokut", më lindi vetëtimthi një mendim, se procesi krijues i Shefki Hysës po përgatitej të kalonte në një fazë të re, megjithatë lëkundesha…
Dhe kështu, nisa ta lexoj përmbledhjen "Mrekullitë e rreme", pa e shqitur nga mendtë "Bablokun". Ato elemente që dukeshin atje në embrion, këtu në "Mrekullitë e rreme" kishin filluar të dalin filizë.
Po ç'janë këta filizë? Mendoj se ata duken në realizimin me elemente të fantastikes dhe të groteskut, po edhe të alegorisë, ku, siç dihet, ideja jepet në mënyrë të tërthortë. Le të marrim tregimin "Mrekullia e rreme" nga është nxjerrë edhe titulli i librit. Ideja e tij është se sado të bukura dhe të çmuara të jenë gjërat në vetvete, po nuk i shërbyen njerëzve, janë sende si gjithë të tjerat. Heroi ëndërrimtar shkon në një botë mrekullish, në krahët e një vajze të ëndërruar me pallate madhështore e me bibliotekë të magjishme. Këto mrekullira, përfshi edhe dashurinë, ajo dëshiron t'i ketë vetëm për vete dhe për të dashurin. Këtu lind mospajtimi. Kjo në përgjithësi është përmbajtja, e cila rrëfehet në fillim në frymën psikoanaliste:
"Kur hapi sytë pa se rrezet e diellit fshiknin faqen e murit kundruall. Ishte koha për t'u çuar e megjithatë nuk lëvizi nga shtrati, veçse hapi njëherë gojën dhe nxorri krahët jashtë çarçafëve. Iu kujtua se mbrëmë kishte vrarë mendjen të ndryshonte diçka në jetën e tij. Të bënte patjetër diçka që ia vlen, që i shërben njerëzisë, por ende s'e kishte të qartë se ç'farë pikërisht. Le të mendohej edhe ca më mirë para se të vendoste për hapin që do të hidhte. Kishte gjithë atë kohë përpara deri në orën dy të mbasdites kur fillonte punën në atë ofiçinën e vjetër të autobuzëve. Ishte inxhinier mekanik.
Përditë i duhej të përsëriste të njëjtat veprime këta muajt e fundit. Të çohej rreth orës tetë, të vinte rrotull një copëherë sa të shpihej, pastaj të lahej te lavamani i vjetër dhëmbëckërmitur në qoshen pranë derës, të krihej në pasqyrën qorre gozhduar pranë fletës së dollapit të rrobave, të vishej dhe të dilte."
Kjo psikoanalizë jepet shkallë-shkallë për të pasqyruar personazhin realisto-fantasmagorik:
"Kotej në lloj-lloj hamendjesh, derisa te bryli i xhades, që linte pas zonën e banuar, shquhej ajo vogëlushja, gjimnazistja përparësezezë e jakëbardhë, që i zgjonte çuditërisht nostalgjinë e zogjve shtegtarë, dallëndysheve, mbase për faktin se shtegtonte çdo ditë prej fshatit në qytet, ku kryente shkollën e mesme dhe anasjelltas. I regëtinte zemra teksa ngadalësonte hapat dhe priste që ajo të parakalonte përbri tij. E ndiente në çdo qelizë të trupit afrimin e vajzës dhe të rrahurat e zemrës padashur intonoheshin në atë trokun e saj prej sorkadheje. Mezi mbushej me frymë ato çaste, i drithmohej shpina dhe i ftohej zverku prej djersës. Ndiente edhe frymëmarrjen e saj të trazuar në njërin prej veshëve dhe nuk guxonte të kthente kokë. Një zë e ngucte së brendëshmi t'i fliste, mirëpo as që ishin përshëndetur ndonjëherë."
Dhe dalëngadalë, duke zbuluar figurativisht karakterin e personazhit, tregimi kalon në simbol. Dhe ndërsa me këtë tregim kemi të bëjmë me një simbol, me tregimin tjetër "Gomarët" jemi përballë një grotesku, me anën e të cilit fshikullohet mbretëria e paaftësisë e përzjerë me servilizmin. Njerëzit e paaftë, gomarët, jetojnë e lumturojnë mbi shpinën e të aftëve, fenomen ky i të gjitha kohërave. Edhe këtu autori nuk le pa përdorur psikoanalizën dhe paradoksin bashkë me groteskun të përzjerë me sarkazmën dhe satirën bashkëkohëse. Elementet e metamorfozës të sjellin në mend romanin e Apuleut, shkrimtarit të madh latin, "Metamorfozat ose gomari i artë", i cili fatkeqësisht ende nuk është përkthyer shqip.
Në tregimin "Gomarët" autori shkruan:
"Për çudi, në ëndrra, çdo natë e shihte veten të shndërruar në gomar. Megjithatë, edhe sikur qenia e tij të hynte vërtet në lëkurën e asaj kafshe shtëpiake, ai prapë s'do ta besonte. E si mund të besohej diçka e tillë?!… Ishte Njëshi i Stafit Presidencial… Mund të thoshte se vinte drejt pas Presidentit në shkallën hierarkike. Nëpunësit i trembeshin më shumë atij se sa vet Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Jo, Rrapushi as nuk mund të ishte dhe as nuk mund të bëhej ndonjëherë katërkëmbësh, pavarësisht nga ajo ndjesi e pashpjegueshme që e rrëmbente netëve dhe e lëshonte në botën e ëndrrave në trajtën e një gomari…"
Këtu nuk është vendi për të hyrë në një analizë të hollësishme për librin "Mrekullitë e rreme", pasi kjo do të kërkonte kohë. Prandaj unë mora si shembuj vetëm disa tregime, që janë karakteristike për krijimtarinë e stadit të sotëm të Shefki Hysës. Por në këto radhë nuk mund të le pa përmendur edhe tregimin e çuditshëm "Kryeplaku", ku rrëfehet për fenomenin e grykësisë dhe makutërisë. Në këtë tregim, do të thosha se tiparet e ekspresionizmit janë më të tejdukshme se në çdo tregim tjetër, duke mos lënë mënjanë paradokset dhe groteskun ose fantasmagorinë të ndërthurur në gjirin e realizmit. Tregimi i bën jehonë në mënyrë figurative edhe korrupsionit dhe degjenerimit në shoqëri përmes një dinamike kinematografike të çuditshme. Fjala këtu është e lexueshme dhe e dukshme.
Në këto pak shënime do të zija në gojë edhe tregimin "Magjia" që hyn në radhën e tregimeve që përmenda pak më lart, veçse dallon prej tyre me ankthin që përcjell dhe frikën se mos kthehet ndonjë gjëmë e shkuar:
"Oh, e di që do të më quani të lajthitur, të sugjestionuar, të hipnotizuar, të përçartur nëpër truallin e skëterrshëm të ndonjë ëndrre të keqe, a ku ta di unë se ç'epitet mund të më vini, kur përmend magjinë. Puna juaj, megjithatë, në fund të fundit, fakti i gjallë, produkt i dhunës së saj, jam unë. Duke më vërejtur do ta kuptoni menjëherë shpërfytyrimin e qenies sime. Ja, shihmëni fytyrën e parruar e të tretur, me hundë e buzë të çara, të përgjakura, me mollëza tërë puçra e dregëza, gjurmë thonjsh e dhëmbësh bishe, flokët e gjatë, të kërleshur, të ngatërruar e përbaltur, të rrallë e më të rallë në ballin e zmadhuar e të rrudhur edhe më prej tmerrit të strukur thellë kafkës që po më ravijëzohet qartas e më qartas. Shihmëni trupin e mpakur e të mardhur. E, pra, a nuk ndieni edhe ju ndopak frikë, dhembje, mëshirë, neveri, tallje e ç'ju thotë zemra prej katandisjes sime?…"
Siç e thamë, shkalla e sotme e procesit krijues të prozatorit Shefki Hysa dallohet me tiparet ekspresioniste. Por nëse na lejohet, shoqërisht do të dëshironim që tendenca tek-tuk të fshihej dhe të mos dilte në ndonjë rast qëllimisht hapur. Dihet se ekspresionizmi i hershëm, edhe se tendencën ideore e kishte të fshehtë, shquhej për patosin e "katastrofës dhe të ulërimës". Ekspresionizmi i ri duhet të jetë ndryshe dhe këtë gjë unë jam i bindur se shkrimtari Shefki Hysa e kupton, pasi tregimet e tij kanë mbi të gjitha frymën kombëtare me shenjëzat e shpirtit të zgjuar çam, ngaherë të shqetësuar dhe gjithmonë në kërkim dhe në zbulim, pasi njeh mirë librin e jetës dhe librin e bibliotekës.

Dritëro AGOLLI
Korrik 2003
TRONDITJA E MADHE ÇAME

Shkrimtari Shefki Hysa është autor i shumë librave me tregime dhe romane ku fryn era e shqetësuar çame dhe fati i njerëzve është i lidhur me truallin e tyre ashtu si rrënjët që futen thellë nëpër gurë, por edhe si gishtat e jetës, që të përgjakur shtërngojnë realitetin. Si autor atij i pëlqen realizmi dhe e vërteta, sado tronditëse qoftë, prandaj dhe bëhet kronikan i saj, dëshmitar i fuqishëm, ushqyes i kujtesës kolektive.

Dikur kam shkruar se ndërsa masakrat që ndodhnin në Kosovë janë të afërta dhe ende të gjalla, kur "Xhelati i Ballkanit", serbi Millosheviç, diktatori i fundit komunist, vazhdon të gjykohet për krime kundër njerëzimit në Gjygjin e Hagës (nëpër ekranet televizive herë pas here shfaqej ikja si në Bibël e kosovarëve, dëbimi nga trojet e tyre dardane që kur është krijuar bota), ne na fanitet dhe një tjetër dëbim i madh i shqiptarëve, në jugun ilirik, më i hershëm, po aq mizor, megjithëse nuk pati dëshmitarë televizjonet ndërkombëtare dhe as u mblodhën ushtritë e botës, Nato-ja, që ta ndëshkonin të keqen.

Dhe çamët u përzunë nga trojet e tyre epirote, u dogjën shtëpitë, u therën bashkë me bagëtitë edhe njerëz, u prishën si ullishtat dhe e ardhmja, vritej mitologjia kombëtare. Shtegtoi lemeria e tyre për në tokën-amë dhe më pas erdhi si një masakër tjetër shurdhër-harrimi mizor. Askush nuk thoshte asgjë dhe pse pas tre mijë vjetësh, në Ballkanin mitik, qe djegur në kohët moderne një Trojë tjetër…

Ndërkaq çamët gjetën në atdhe një diktaturë, që jo vetëm nuk kërkoi të mbrojë të drejtat e bashkatdhetarëve të vet, por përkundrazi nuk i la të qetë, i persekutoi ndoshta dhe më shumë se të tjerët, sajoi armiq, i futi burgjeve.

Nëpër burgjet komuniste të atdheut të tyre çamët iu bashkuan kosovarëve që arratiseshin nga andej për këndej, që të preknin ëndrrat, por preknin vetëm hekurat e ndryshkur…
Dhe kështu, ndërsa Shqipëria qe copëtuar mizorisht prej të tjerëve, shqiptarët copëtoheshin këtu brenda prej vetvetes. Më pas ishte e vështirë të kujtoje Kosovë e Çamëri, asgjë nuk thoshte gjeografia në tekstet shkollore, historia nuk guxonte, ndërgjegjia ndrydhej…
Megjithatë kujtesa kolektive fshehurazi forconte dhe kaliste qëndresën e duhur, që lëvrinte si lumë i nëndheshëm…

Letërsia arrinte të zbulonte ndonjë këngë anonime për trojet e ndara, ndonjë vajtim dridhës çam apo elegji shungëlluese kosovare, vallet risillnin me rropamat e tyre apokalipsin, kurse shkrimtarët krijonin mundësira metaforike apo me gjuhën e Ezopit të thoshnin diçka për Kosovën e Çamërinë.

E rikujtoj që, nëse poeti nga Kosova, Ali Podrimja do të shkonte në Çamërinë e përtej kufirit shtetëror, si në një dhimbje tonën të madhe dhe do shkruante poezi hermetike atje, që t’i ruante trifish: nga diktatura shqiptare, nga pushtuesi serb dhe shovenët grek. Këtu, në Shqipërinë e mbetur, shkrimtarët çamë ndjenin vështirësi e persekutim, u ndaloheshin librat, ata vetë futeshin burgjeve, merrnin arratinë, heshtnin, prisnin…

Tani zëri çam ka ridalë nga prushi i dhembjes se vet, mbuluar me hi të dikurshëm harrimesh, brambullon me flakë prometeane dhe bota po e sheh e po e ndjen gjithnjë e më shumë dritën dhe nxehtësinë e tij, do të digjet i pashuar për të Vërtetën dhe Drejtësinë… dhe një popull i masakruar meriton t’i kthehen trualli dhe shpirti, pasuritë, këngët dhe e ardhmja…

Një klithmë e thellë tronditëse është krijimtaria letrare e Shefki Hysës, mbartëse e tragjedisë së popullit të vet, që Ballkani mitik të gjejë qetësinë…

Visar ZHITI

Monday, November 26, 2007

LIBËR I MESAZHEVE TË SHPRESËS E PAQES PËR ÇAMËRINË

Më bëri përshtypje libri me tregime "Aromë Çamërie" i shkrimtarit Shefki Hysa, në një nga emisionet e Televizionit Shqiptar. Unë e ndjek me interes çdo botim për Çamërinë, sa herë Çamëria kujtohet. Kjo nuk është për të nxitur ndonjë grindje në Ballkan, siç mund të kujtojë dikush, por, si të thuash, për të vënë në vend një ndërgjegje të shqetësuar. Në këtë kuptim thashë se më tërhoqi vëmendjen përmbledhja me tregime "Aromë Çamërie" e këtij autori me origjinë nga Çamëria, libër për të cilin u interesova dhe e shfletova me kujdes e plot kureshtje për mesazhet e shpresës dhe paqes që i përcjell lexuesit.

Me një fjalë do të thosha se libri "Aromë Çamërie" në këtë kah është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra e mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë. Për këto veçse dëshmohet për t’u çliruar nga makthet, siç dëshmohet në librin "Aromë Çamërie".

Ka ardhur koha që Ballkani të shterohet nga krimet e vjetra dhe një nga këto krime është ajo që ka ndodhur në Çamëri, drama çame. Dhe kështu Ballkani do të përgatisë rrugën drejt emancipimit. Vetëm pas këtij pastrimi Ballkani mund të bëjë pjesë në familjen e emancipuar të popujve evropianë.

Ismail KADARE

Wednesday, November 21, 2007


Nga Shefki Hysa
DËSHMIA
- Tregim -

Fatija u drodh kur zëri i nuses i preu fillin e mendimeve. Njëlloj sikur ta kishin llahtarisur në gjumë. Fundja njëfarë gjumi është edhe rënia në mendime, përhumbja në sterrën e vetes ku janë mbledhur pikë e pikë dhimbjet, hidhërimet, tërë vuajtjet dhe hallet e jetës. S'ka ilaç më të mirë për të qetësuar plagët pa shërim, plagët e lëndura pa dashje. Kuturisesh në mendjen tënde, e shtjell dhe e tjerr atë të shkretë ashtu ngadalë si shtëllungën e leshit, siç ia ka ënda dhe shtriganes pleqëri. Po ç'tha nusja vallë? E gjora ajo që e pandeh të lajthitur kërcuren plakë!
- Të ndjeva zënë apo më bënë veshët, bijë? - iu kthye të resë që po grinte ca lakra në një tepsi të vjetër bakri.
Gjysmare çdo gjë në atë kasolle ku kishin gjetur strehë pas mënxyrës që i ndoqi këmba-këmbës gjer te portat e kufirit shqiptar. Dhe, si të mos mjaftonin kujtimet e lemerishme që i lëvrinin herë pas here në sytë e mendjes, na edhe varfëria, si një grusht gjembash më shumë.
- Një komision thashë, ka ardhur një komision me ca të huaj, - përsëriti nusja, në fytyrën e së cilës mëma dalloi haptas keqardhje.
Ndjeu të rrënqethura nëpër trupin e plakur e të zhubrosur si një topth leckash, më shumë të rëgjuar prej marazit se prej pleqërisë.
- Të huaj the? Po ç'duan të huajt këtu?! - sa s'klithi e tëra e ngjethur, pa kuptuar në se ishte prania e të huajve apo diçka tjetër që i ndillte urrejtje.
- Thonë se janë njerëz që na e duan të mirën, moj nënë. Mbledhin dëshmira për krimet e gjaksorëve tanë… Thonë se do t’i dënojë bota zervistët grekë, që dogjën, vranë e prenë Çamërinë tonë, - e ëmbëlsoi zërin e reja, si të kishte përpara të voglin e saj trevjeçar që duhej patjetër përkëdhelur.
- Mirësi zeza e të huajit! Ah!… I huaji i huaj mbetet, moj bijë. Kije nga mëma këtë… Po ç'kërkojnë ata?… Ma thuaj edhe njëherë se sikur më gjëmojnë veshët! – theksoi mëma, sa mosbesuese dhe kureshtare, e shndërruar sakaq si flaka që shpërthen në një zjarr bubullues.
- Janë mbledhur njerëzia në shtëpinë e Rexho Plakut dhe u tregojnë për të këqijat që na kanë bërë grekët, sesi na vranë e na përzunë nga shtëpitë, na grabitën e na dogjën pasuritë, na lanë muhaxhirë pa atdhe, - tha e përlotur nusja.
- Ashtuuu?! - mërmëriti mëdyshas mëma dhe sikur i shkrepi edhe nëpër skutat e shpirtit të vrerosur një dritëz.
Iu kujtua se kishte kaluar më shumë se një vit nga ajo ditë e mallkuar kur mortja, me pamjen e të pabesëve zervistë grekë, ishte turrur në fshatin e tyre, atje në Çamëri, shtëpi më shtëpi, i kishte ngulur thonjtë e vet, tërbimthi, në jetën e njerëzve të pafajshëm, theri, griu e përgjaku burra, djem e fëmijë… Mortje burracake që nuk kursente as gratë!…
"Oh, mallkim, vetëm mallkim! – brofi qenia e saj e rebeluar në vetvete. - Mallkuar në jetë të jetëve! Të huajt! Ata që na vranë natën e na qanë ditën!… Kështu dhe ngaherë, kështu… Mbase që kur është krijuar kjo botë… I huaji vret dhe me thikë, edhe me të qeshurën e vet, me plumb dhe me bukë. Po, po, të merr më qafë edhe buka e të huajit! Të ngec m'u në fyt, të mbyt e prapë s'të beson kush… Prandaj edhe përsëritet e përsëritet pafund historia me të huajt… Si në Çamërinë tonë… Jo, o të huaj, nuk ju zë dot besë… Të paktën unë, korba plakë. Se ishit ju që më katandisët kështu, kallogre"…
Mëma e egërsuar një copëherë, si ata që i zë gjaku dhe e humbasin toruan, u harrua përballë skenave të tragjedisë, që ndërtonte e rindërtonte vazhdimisht imagjinata e sa e topitur, gjersa e shkundi zëri i nuses nga ajo vetëshushatje. E përjetonte ditë e natë këtë gjendje shtangieje që i sillte në sytë e mendjes, si me magji, tërë të vdekurit dhe ajo i hakërrohej mortjes me krahët e përfytyrimit, e zbonte larg, shumë larg, pastronte plagët e frikshme të viktimave dhe bisedonte e bisedonte pa u lodhur me ta… Qanin hallin e përbashkët…
Në fund të fundit, kredhja në të kaluarën, sado torturuese, ishte e vetmja kënaqësi që e ngushëllonte mëmën, përveç nipit trevjeçar që e donte si dritën e syve. I ngjante djalit të saj ajo fëmijë dhe, nëse i gëzohej dritës së syrit, i gëzohej pikërisht për atë trashëgimtar…
- The gjë, bijë? Se mua po më lënë edhe veshët, të keqen, - u ndje mëma dhe padashur vuri re se edhe e reja, megjithëse nuk i kishte mbushur të tridhjetat, po rrudhej dhe po zbardhej para kohe, si shumë vejusha.
- Thashë se ata të huajt sikur nuk po u besojnë dëshmive gojore të njerëzve tanë. U duken fantazira…
I theri zemra Fatijes, si ta kishte goditur edhe atë thika e zervistëve. Iu err vështrimi dhe u shushat përsëri. U deshën duart e nuses kësaj here për ta shkulur nga ajo gjendje të fikëti. Njëlloj asfiksie logjike.
- Kujdes djalin, nuse, - tha befas mëma dhe u çua me mundim, në këmbë.
Duart nuk ia shqiste prehërit të tumaneve si të ishte nuse shtatzanë dhe të priste fëmijën e parë. Në kokë i zukaste i vetmi mendim se i huaji mbetet i huaj. Dhe i dridhej i tërë trupi si nga ethet…
Në udhë e sipër vuri re se gjethet e bajameve ishin zverdhur. Mbi kryet e saj varej një qiell i trazuar vjeshte. Ishte vjeshtë e vitit 1946. Poshtë Konispolit, në Vasilikua tymosnin ende zjarret e muhaxhirëve të Çamërisë. Në Qafëbotë zbardhnin gurë varresh. Ende s'ishte tharë dheu mbi ato varre…
Plaka zbriste drejt mesit të fshatit duke u mbajtur nëpër trungjet e ullinjve dhe bajameve. Hepohej për t'u rrëzuar e nuk rrëzohej. Shpresat e mbanin në këmbë…
Ajo e pa që larg grumbullin e njerëzve, edhe ata e panë atë. Të huajt, ndonëse u përkthehej gjithshka me hollësi, vazhdonin të tundnin kokën mosbesues, u dukej si një gogol më tepër i sajuar se sa një e vërtetë e jetuar vrasëse, persekutuese, përndjekëse, masakra që përshkruanin dëshmitë gojore. Mospërfillja po i nxehte konispolitët e çamët e mbledhur përballë komisionit.
Fatija që e merrte me mend, pak a shumë, rrjedhën e bisedimeve, u dha në krye të sheshit. Për çudi, një lloj force e zgjuar diku brenda saj ia bënte më të sigurt hapat. I huaji mbetet i huaj, i vetmi mendim refren përbrenda kafkës së saj, mbështjellë me shaminë e bardhë lidhur ndën gushë. Dhe urrejtja ia valonte trupin e tkurrur e të kërrusur nga llahtara e mënxyrës. Ashtu e kërleshur, në dukje, shtrëngonte ende, me duart që i dridheshin, prehërin e tumaneve. Njerëzit e irrituar heshtën, duke i hapur udhë, sikur ajo po sillte një provë të madhe që përmbante në vetvete të gjitha provat, faktet e dëshmitë, ato që thanë e që do të thonin… Atëherë të huajt nuk do të guxonin t'i lëviznin më kryet me mosbesim…
Sytë e të gjithëve njëherësh u mbështetën në prehërin e tumaneve, në një pritje të ankthshme, sikur nga barku i saj do të lindte, aty për aty, një fëmijë që do të rritej në çast për të dëshmuar me shenjat e plagëve, me klithmat e tmerrit përballë torturave të vdekjes, gjithçka kishin vuajtur, parë e dëgjuar çamët e përvëluar…
Edhe njerëzit e komisionit sikur parandien diçka. Ata heshtën dhe ia ngulën vështrimet plakës si një dëshmie të gjallë të sajuar, ashtu si një nyje vuajtjesh, dhimbjesh e varfërie të papërceptueshme nga mendjet e tyre.
Mëma po afrohej ngadalë si një ceremoni e përzishme. Një hop ajo u mëdysh: të ndalej apo të shkonte gjer në fund të atij korridori njerëzish, ku rrinin të huajt. Fytyra po i shtrembërohej, hera-herës, si dikur në nusërinë e saj nga dhimbjet e lindjes së djalit, të birit të vetëm që ia masakruan përpara syve xhelatët zervistë. Askush nga ata që e rrethonin nuk guxonte të pipëtinte, t'i thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme.
Kur u afrua para tryezës së të huajve ndjeu se iu rëndua frymëmarrja, lotët që u kishin shterur prej kohësh syve të saj të thelluar, sikur u rrokullisën e i zunë lëmshas fytin. Megjithatë i ngriti sytë nga barku i saj dhe u hodhi një vështrim të egërsuar të huajve, nga duart iu shkëput, befas, një shtëllungëz flokësh që u hap përmbi shkresurina me pamjen makabre të një lëkure të rrjepur nga një kokë njeriu…
Të huajt hovën përpjetë dhe u zbrapsën me llahtarë. Një klithmë si prej korbi u ngrit nga kraharorët e njerëzve. Vështrimi përbuzës i mëmës i përfshiu të gjithë dhe u ndal mbi të huajt. Ata s'bëzanin, si të tromaksurit prej një ndëshkimi që mund t'ia behte nga çasti në çast.
- Donit dëshmi për kriminelët dhe krimet e tyre? Ja ku e kini! Flet vetë për tërë atë gjëmë që na hodhën në kurriz të pabesët, - tha dhe zëri iu këput si nga një goditje e beftë.
Lotët i rrodhën nëpër brazdat e faqeve të rreshkura. Heshti pak pastaj nisi të rrëfente, më shumë si për vete se për të tjerët.
- Një krakurimë e ethshme këpucësh me gozhdë u ndie nëpër shkallët e gurta. Ngrimë në pritje. Parandjenja e së keqes apo hija e atij troku ogurzi, që po i turrej si kurrë ndonjëherë shtëpisë sonë dykatëshe, si një kala e gurtë në një shpatull bregu atje në Çamëri, na e vuvosi gojën. Seç kishim një gëzim atë ditë, nuk mbaj mend mirë, por po qeshnim me djalthin që kolovitej në supet e tim biri. I ngriu edhe fëmijës e qeshura në buzë. Nusja e djalit, dyllë e verdhë, sikur e nxiti gjë, arriti të rrëmbente mashanë në vatër dhe mbeti me sytë e tromaksur nga dera. Graburitja u ndërpre, fare pak, aq sa i duhet një njeriu për t'u mbushur mirë me frymë, në sheshin në krye të shkallëve, pastaj një goditje shkelmi dhe dera u përplas si rrufe pas mureve, njëri kanat i dalë nga mentesha u anua me një gërvimë ankuese. Në prag u dhanë dy ushtarë të Zervës, dy mjekëroshë, njëri më zdap se tjetri. Ai më i gjati kish një sy të kuq, të egërsuar nga të pirët a ndoshta nga pagjumësia, me një vështrim si të qenit të tërbuar. Shkuli sakaq kamën nga brezi dhe ashtu vëngërosh na u kërcënua të mos lëviznim vendit, të mos ulërinim, po të na dhimbsej lëkura. Nusja vuri të dy duart mbi fytyrë për të mbytur klithmën që i shpëtoi prej lemerisë. Ushtari tjetër, një kokëtul, që dinte vetëm të zgërdhihej, ia vuri majën e kamës në fyt asaj në çastin që po matej t'i binte me masha për t'u mbrojtur. U sula midis ushtarit dhe nuses dhe i shtyva larg e larg e tmerruar. Zemra më rrihte si daulle në gjoks. Djalthi, megjithëse në duart e babait të tij, i lemerisur nga ardhja brutale e atyre të panjohurve, ia plasi befas të qarit me britma. Pushoje atë kulish se ia këputa kokën si të zogut, iu gërmush tim biri vëngëroshi dhe po i afrohej me sytë që i vetëtinin ligësi. U lëshova prapë midis gjakësorit dhe djalit. Ishin pothuaj mosha e tim biri ata të dy, të paemrit, as njëzetvjeçarë dhe mizorë si pjellë djalli. Na detyruan të mblidheshim në qoshe të dhomës djalë, nuse dhe unë që i mbroja me trupin tim nga maja e urryer e asaj kame në duart e vëngëroshit. Kokëtuli, që mbante të dy pushkët dhe një kamë, vërdallisej nëpër shtëpi, me atë të qeshurën e vet të pështirë, pa zë, si e një të sëmuri prej damllasë. Dyshemeja e vjetër prej dru rrapi rënkonte e bubullonte prej atyre këpucëve të rënda që mbanin ata të mallkuarit. Vëngëroshi pëmbysi stivën me dyshekë e jorganë, sepetet, dollapët, e bëri rrëmujë tërë shtëpinë, duke e kthyer gjithçka së prapthi. Kërkonte flori, kurse kokëtuli s'na i ndante sytë tek vinte rrotull e gjuante me majën e këpucës rrobat e pajës sime. Im bir mezi e përmbante veten, por unë ia prisja hovin, duke e pickuar të heshtëte dhe duke i ndenjur për çdo rast përpara. Vëngëroshi që s'po gjente asgjë të vlefshme, shfrynte e hungëronte mbyturazi. Sa s'po pëlciste nga inati. I nxinte balli. E ndiqja me ankth çdo lëvizje të tij dhe atë çast do të doja ta kisha vërtet një grusht flori për ata kokudhë vetëm të mos më preknin djalin, nusen dhe fëmijën e tyre, xhanin tim, flori e shkuar floririt. Po në një çast vëngëroshi drejtoi trupin dhe e urdhëroi kokëtulin të na lidhte. Oh, ai çast! Si ia dridhte qerpikët e syve ligësia atij krimineli. Si i shtrëngonte nofullat dhe dhëmbët, si turfullonte ai dac i zi zemërak. O Perëndi, ç'krijesë e shëmtuar mbi dhe! Iu hodh përsipër tim biri, ia shkuli nga duart foshnjen e lebetitur, e flaku në grumbullin e rrobave dhe i vuri këmbën në grykë gati për ta mbytur. Djali im u shkëput nga duart e kokëtulit dhe hovi për të shpëtuar fëmijën. U kacafytën me vëngëroshin, i cili iu kthye me grushta e shkelma. E kapi për flokësh dhe zuri ta zvarriste nëpër dhomë. Unë e nusja, lidhur bashkë, bërtisnim të pamundura për ta shpëtuar. Kokëtuli e mbante përkrahësh tim bir dhe vëngëroshi e qëllonte gjithë egërsi me këpucët e rënda, në bark. Sytë i ishin përgjakur nga tërbimi. Kur u këput e ra në shesh trupi i tim biri, gati pa jetë, vëngëroshi i pangopur, i nguli kamën në zemër, e shkuli dhe ashtu të përgjakur e nguli prapë e prapë e prapë… U ndez edhe kokëtuli… Me bajonetë… Ia bënë trupin vrima-vrima… Nusja i humbi menjëherë ndjenjat, kurse unë ashtu si nëpër mjegull, me zemrën e copëtuar, gati në të fikur, e pashë tërë atë llahtarë se si klithte im bir: "Oh, nanë, më vranë"! Se si hidhej e përdridhej kufoma ende e ngrohtë; si rridhte gjaku currila-currila, spërkati murin dhe rrobat e gjakësorëve, u derdh nëpër dysheme, një pjesë kullonte nëpër një të çarë poshtë në errësirën e katoit, kurse pjesa tjetër u mblodh e ngriu te këmbët e mia…
Po se mos u mjaftuan me kaq?! Kokëtulit nuk i shqitej nga buzët ajo e qeshur lugati, kurse vëngëroshi seç më bërbëliste, duke m'u zgërdhirë në hundë me thikën që pikonte gjakun e djalit tim… Më ishte tharë goja. Ashtu me sy të shqyer nga ajo llahtarë e paparë dhe e padëgjuar, nga ajo mënxyrë tepër e rëndë për supet e mia prej nëne të thinjur, e kisha humbur pothuajse fare ndjeshmërinë… Isha si një kufomë e gjallë… Kurse katilat, që donin të më torturonin edhe më, pasi ma therën djalin, si bagëtinë, ia rropën kokën dhe lëkurën e përgjakur ma rrasën në prehër të tumaneve… Atëherë m'u err edhe ajo pak dritë e syve dhe s'pashë më… Kur erdha në vete ata kishin ikur…
Shtëpinë e larë në gjak e lava edhe njëherë me lotët e mi dhe mora udhën përtej kufirit, të paktën, të shpëtoja djalin e nusen nga kthetrat e flamës që na hodhi mbi krye Zerva me atë bandë burracakësh të mallkuar…
Turma, që dëgjonte e nemitur, si pakuptuar u ndez në një murmurimë rebelimi që po e mblidhte grusht përqark mëmës. Ashtu e njësuar ajo masë njerëzish, dikur e përdhunuar, rrezatonte dëshirën e ethshme për drejtësi, përballë tryezës së komisionit…
Të huajt, që tashmë e kishin mbledhur veten, sikur e thithën nëpër çdo qelizë të trupit të tyre mizorinë që kishin vuajtur këta njerëz, revoltën që u shkaktonte gjymtimi ende i pashpaguar… E drejta ishte po në mes tyre, e masakruar…
Shkrepën disa herë aparatet fotografike, si për të fiksuar në celuloid zemërimin njerëzor, seç shkruan në ato kartërat e tyre, i mbyllën me nxitim nëpër ca çanta të zeza dhe u larguan me makinën që i kishte sjellë…
Mëmë Fatija mori me përkëdheli dhe dhimbje lëkurën e kokës së të birit, e mbështolli tërë kujdes e merak, shkopsiti polkën dhe e rrasi në gji, pranë zemrës, si të donte t'i jepte jetë nga jeta e saj…
I vështroi edhe njëherë njerëzit me sytë e përlotur dhe ashtu me duart përmbi kraharor u kthye për të ikur…
Njerëzit i hapën udhë pa folur. Ajo po largohej, megjithatë mbeti si një plagë e re e pashërueshme në zemrat e tyre, një plagë më shumë përkrah plagëve të sapolënduara të pafajësisë që u ndriçonte fytyrat…

Monday, November 19, 2007

Nga Shefki Hysa

ÇAMËRIA
Fragment tregimi

Makina rrëshqiste pa u ndier midis blloqeve me ullinj, portokalle, mandarina e limonë, që shtriheshin si një det i gjelbër nëpër fushën e gjerë përqark qytetit kryesor, Gumenicës, të Çamërisë së re apo Thesprotisë (këtë emër mbante edhe në lashtësi kjo trevë), siç e quanin qëllimisht krahinën grekët e sotëm për të zhdukur emrin "Çamëri". Më tej, në të djathtë, shtrihej deti blu i ndryrë në Kanalin e Korfuzit. Në krahun e majtë ngriheshin një varg malesh, që e ndanin Gumenicën nga Janina e Ali Pashait, e mbronin edhe nga erërat e ftohta të Veriut, duke e shndërruar në një zonë me një mikroklimë tepër të pëlqyeshme për ullinjtë dhe agrumet. Vende-vende të zinte syri edhe blloqe me vreshta dhe me pemët karakteristike të zonave bregdetare mesdhetare të mirëmbajtura me dashuri… Një sy i mprehtë studiuesi, si i Fatosit, që vërente vëmendshëm gjithçka, e kuptonte menjëherë se ajo zonë ushqehej në sajë të bujqësisë, më saktë pemëtarisë, ndoshta edhe turizmit, kurse për industri asqë mund të flitej… Pra, mjediset ishin të virgjëra dhe ashtu të përmbytura në atë diell llapëtitës, megjithëse fundi i vjeshtës, nuk të shkonte kurrë ndër mend se mund të gjeje qoftë edhe një pëllëmbë të natyrës të ndotur. Dhe ky ishte një privilegj për banorët…
Fatosi nuk ngopej së shijuari bukuritë e rralla të asaj natyre ku harmonizoheshin, aq mrekullisht, në një hapësirë disa dhjetëra kilometrash, mali, kodra, fusha, deti… E ç’donte më shumë njeriu për të jetuar "parajsën" tokësore?!… Duhej të ishe i çmendur të hapje luftëra në atë krahinë…
Eh… Grekët!… Po të gërmoje tokën, ku shtriheshin rrënjët e atij gjelbërimi aq mahnitës, patjetër do të hasje në eshtra e skelete të vrarësh të pavarr… Të pavarrët çamë… Dhe kjo ishte vepër e grekëve, e atyre që s’i pranonte as dheu dhe dilnin nga varret netëve si kokudhë e lugetë… Po!… Këta ishin grekët… Dhe pretendonin për të sjellë paqe e drejtësi në Evropën e Bashkuar… Jo, Zoti nuk duhej të heshtte më!…
Kostandini në timonin e makinës fliste e fliste për elimët, për kalatë e tyre majëmaleve në Kuç, në Mazrek, në Paramithi, për puset në malin e Kladhit, për shpellën në Arpicë, për tre gurët në Paramithi, për gurin në Luarat, të cilin gratë elime e përdornin edhe si magje për të larë rrobat… Po Fatosi hahej më shumë me mendimet e veta se sa dëgjonte… A e di, Fatos, thoshte ai, se te Qafa e Murit, afër Margëllëçit, elimët kanë punuar për të ndërtuar një mur të lartë të lartë që do të lidhte malin e Kranesë me Çukën e Priftit dhe shpresonin që, kur të hipnin në atë lartësi, do të arrinin qiellin dhe do ta shihnin tërë botën prej andej?… Mirëpo muri që ndërtonin ditën, u rrëzohej natën dhe ata nuk e rreshtnin kurrë punën… A nuk ishte për t’u pasur zili vullneti i tyre?… Sikur ta kishin njerëzit sot, atë fuqi, atë vullnet…, - psherëtinte Kostandini, i cili dukej se e adhuronte marrëzisht, ishte pothuajse i verbuar prej madhështisë së botës elime dhe dëshira për t’u folur të tjerëve për elimët i ishte shndërruar në mani… Në fund të çdo rrëfimi nuk harronte të nxirrte përfundimin se jo vetëm çamët, por tërë shqiptarët janë pasardhës të elimëve, prandaj, ndryshe nga kombësitë e tjera, janë aq të aftë për të mbijetuar edhe në rrethana nga më të jashtëzakonshmet.
Shkëputur nga tregimi "Elimët", përmbledhur në vëllimin me tregime "Aromë Çamërie" (2004).
Revista "Krahu i Shqiponjës":

Revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë në tetor të vitit 1974, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA. Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit (Çamëri) dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.

"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.

Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.

Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.

Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të
Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Në faqet e revistës, midis shkrimeve që mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, sidomos problemin çam, janë botuar shpesh edhe artikuj e krijimtari e zgjedhur nga personalitete të letrave shqipe e atyre botërore si:

Alfred de Musset,
Bilal Xhaferri,
Dritëro Agolli,
Edgar Allan Poe,
Ismail Kadare,
Martin Mato,
Miranda Vickers,
Namik Mane,
Pjetër Arbnori,
Shefki Hysa,
Vath Koreshi,
Xhek London (Jack London),
Zhan Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), etj...

Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.

Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.