Thursday, August 25, 2011

Shqipëria si Kalifornia

Është hera e parë që unë vij në Shqipëri. Kisha dëgjuar se Shqipëria ishte një ndër vendet problematike të një Rajoni të trazuar si Ballkani, ku shpesh gjenerohen përplasje ndëretnike. Mirëpo të them të vërtetën u befasova. Gjeta një vend të bukur e të qetë si Kalifornia ime. Ndihem i mrekulluar nga mikpritja shqiptare. Në Shqipëri u takova me njerëz mikpritës, të qeshur e të sinqertë që bëhen copë për mysafirët e tyre të huaj. Pra, gjeta miq të vërtetë që janë gati të sakrifikojnë për miqësinë. Kam shetitur shumë nëpër botë. Kam parë vende nga më të rrallat e më të çuditshmet, por nuk më kanë lënë kaq mbresa sa vendi i shqiptarëve. Dhe nuk di si ta shpjegoj këtë. Shqipëria është një ndë ndër vendet më të bukura të Mesdheut. Ka natyrë me pamje tërheqëse, fusha, male, lumenj e dete të ndryra në hapësirë të vogël, në pak kilometra; ka klimë të ngrohtë pranverore, ka mikroklima si gjire të qeta ku gjallon jeta e lloj-lloj gjallesave, flora dhe fauna mesdhetare dhe ekzotike, ku punojnë njerër paqësorë, por besoj se nuk më kanë tërhequr këto sa më ka bërë për vete mirësia e njerëzve shqiptarë.

Pra, veçanësia e Shqipërië, sipas meje, qëndron te bota e njeriut shqiptar, te individualiteti dhe karakteristikat e tij të rralla për të dashur njerëzit që vijnë nga botë të tjera. Nga miqësia që më ofruan shqiptarët, herë-herë më ngjan se diku në këtë vend duhet të gjendet porta e Parajsës.

Shqiptarët e duan shumë Amerikën. E simpatizojnë demokracinë amerikane. Ëndërrojnë që Shqipëria të jetë një nga Republikat e SHBA.

Po amerikanët? Politika dhe diplomacia amerikane vërtet e kanë përkrahur Shqipërinë dhe vazhdojnë ta përkrahin e ta mbrojnë, por e kam fjalën për shtetasit amerikanë. Shumica e tyre ende nuk e njohin mirë Shqipërinë. Sikur ta njihnin më mirë do ta konsideronin si Kaliforninë time. Do të vinin për të pushuar në Shqipëri dhe do të dashuroheshin pas këtij vendi plot harmoni e paqe. Do të ndihmonin më shumë që që të fuqizohej ekonomikisht dhe të ishte vërtet pjesë e Parajsës mbi Glob.

Si misionar i Diplomatic Mission Peace and Prosperity do të bëj të pamundurën që Shqipëria të hyjë në zemrat e njerëzve amerikanë, të jetë si një ndër shtetet e saj më të bukura, si Kalifornia ime.

Rodney D. Dir

Gazetar

Friday, March 4, 2011

Çamët

Mos më lëndoni!...
Të paktën ju, miqtë e të njohurit e mi, mos më lëndoni!...
Të tjerët, ata që nuk më duan dhe armiqtë, le të bëjnë si të duan…
Nuk më hyn në sy sjellja e tyre…
Më dhembin veç paragjykimet dhe gjykimet tuaja për çamët dhe Çamërinë…
Mos më lëndoni!...
Mos më detyroni të flas unë për çamët, se jam edhe vetë çam, jam nga Çamëria. Nuk jam mësuar të vetëlavdërohem, por janë dyshimet tuaja që më shtyjnë të bëhem apologjet i vetes dhe avokat i vëllezërve të mi çamë, megjithëse e kam të vështirë të stis fjalë kur bëmat, veprat e vlerat e bijve të Çamërisë ndrijnë si ar para sajesave të armiqve dhe të atyre që nuk u duan të mirën…
Shikojini mirë!...
Male të tëra me thesare ari prarojnë para jush dhe çuditem si nuk doni t’i shihni! Mos vallë ju janë lëbyrur sytë nga prarimi i vlerave çame, apo mos vallë jeni verbuar nga vetëtimat e tyre që nuk doni të pranoni ekzistencën e Çamërisë si një realitet i prekshëm që ju ka zënë udhën?!...
Mos më lëndoni!...
Nuk mund të kapërceni kaq vargmale dhe të mos ndiheni të lodhur… Shndrin lodhja në fytyrat tuaja… Edhe lodhja juaj ndrin në udhën tonë drejt Çamërisë…
Ju lutem, mos më lëndoni!...
Boll më kanë lënduar ata që na kanë prerë në besë…
Boll i kanë mohuar thesaret tona shpirtërore besëprerët dhe mosmirënjohësit…
Çamët, i pari shteti shqiptar i preu në besë dhe ca palo politikanë, njëlloj si padronët e tyre shovenë-helenë (e përshëndes plot respekt qytetërimin grek), i etiketuan dhe i shitën si të pabesë…
Ju, miq, mos më lëndoni!...
Më lini të paktën të qetë në fushëbetejat e mia me armiqtë tanë!...
Çamët janë si bletët që mbledhin pa u lodhur nektarin lule më lule dhe prodhojnë mjaltë për vete e për të tjerët... A mund të jenë të pabesa bletët?!... Ato që vetëm punojnë, ndërtojnë e prodhojnë me artin më të rrallë ushqimin më të mrekullueshëm, mjaltin?!...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë si pëllumba që u vijnë rrotull dhe u gugurisin pëllumbeshave të veta (jo sorrave të botës; u druhen pësimeve të fabulave me laraska me pendë pëllumbeshash). A mund të jenë të pabesë pëllumbat e paqes?!... Ata që e bëjnë, e duan dhe ua përcjellin të tjerëve me aq dashuri mesazhin e paqes?!...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si luanë që u shmangen gomarëve me lëkurë luani... Dhe dihet se luanët janë luanë, trima e luftëtarë betejash dhe jo pabesipjellës e aktorë në role pabesish...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë Osman Takat e Bilbilenjtë shqiptarë që vallëzojnë edhe para vdekjes...
Mos më lëndoni!...
Djemtë e Çamërisë janë si Bilal Xhaferri që u tret si Qiriri i Naimit për Shqipërinë...
Mos më lëndoni!...
Mos më keqkuptoni, nuk dua të jem si Beluli, ky farë bufoni modern që vetëlavdërohet në stilin Mark Antoni, i cili e falimentoi sakaq madhështinë e Brutit, vrasësit të Cezarit Tiran...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si Kleopatra, mbretëresha e Egjyptit, që i detyroi Cezarët të ulnin kokën në prehërin e saj e t’i adhuronin hiret si të ishte perëndi...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si nusja që pranoi të flijohej në themelet e urës së Artës, që ajo të ndërtohej për të sjellë bashkimin e qytetërimin e brigjeve njerëzorë...
Vajzat çame janë si suliotet që u gremisën nga shkëmbinjtë e maleve të Sulit për të mos përfunduar robina të mizorisë së pushtuesve...
Vajzat çame janë si Vasiliqia që me një vështrim zbriti nga kali pashanë mizor, Ali Tepelenën, ia flaku tutje shpatën e i mësoi qytetërimin…
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si këngëtarja Enkeleda Alushi, nuse në Kosovë që i këndon me mall Çamërisë...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si unë që e përul kokën vetëm në prehërin e Çamërisë!...
Mos më lëndoni!...

Shefki Hysa
Vallja Osman Taka

Çdo dashamirës i artit shqiptar duhet ta dijë se nuk mund të flasësh për vallen e Osman Takës, pa ditur se kush ishte vetë personaliteti i tij i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë valle si Natyra me Krijuesin e saj. Për këtë arsye e ndiej si detyrim të shkruaj dy radhë për këtë artist të madh popullor të lindur në zemër të Çamërisë për të qenë një nga simbolet e saj më tipikë.
Osman Taka ka lindur në një nga familjet më atdhetare dhe më të pasura të Konispolit rreth viteve 1848 – 1887. Ai, si disa nga djemtë më të mirë të Çamërisë, u rrit e u edukua me idetë e Rilindjes Kombëtare. Me kalimin e viteve u bë një nga organizatorët më kryesorë të kryengritjeve në trevën e Çamërisë kundër pushtuesve turq. Osman Taka ka luajtur një rol të rëndësishëm në degën e Lidhjes së Prizrenit në Prevezë. Arriti të bëhej edhe një nga krerët më të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Osman Taka ishte jo vetëm luftëtar i paepur, por edhe një valltar i njohur popullor. Pikërisht te ky fakt mbështetet edhe bëma e tij si një nga personazhet më të spikatur të folklorit popullor çam.
Tregojnë se u kur Osman Taka u kap nga forcat turke, u burgos në Janinë dhe e dënuan me varje te rrapi i Konispolit. Në çastin kur do të ekzekutohej vendimi, ai shprehu dëshirën e fundit për të kërcyer një valle para litarit. Duket si legjendë, por është fakt i vërtetë. Dhe pikërisht këtu zë fill historia e artistit të përjetshëm Osman Taka.
- Dua të kërcej një valle përpara valiut turk! – theksoi Osman Taka.
Dihet se dëshira e të dënuarit me vdekje ka qenë dikur dhe është e detyrueshme edhe sot në ditët tona, prandaj nuk ia prishën këtë kërkesë të pazakontë shqiptarit të krisur Osman Taka. I sollën edhe një fustanellë të bardhë, qeleshe dhe një krehër që të krehte flokët dhe mustaqet e zeza e të zbukurohej para se të fillonte vallen.
Vetëkuptohet, i sollën edhe sazet me gërnetë, violinë e def, sipas traditës, grup muzikantësh që dinte të luante bukur vallet çame.
Osman Taka iu afrua klarinetistit dhe i pëshpëriti ritmin e një melodie. Sazexhiu e kapi sa hap e mbyll sytë atë që duhej të luante.
U kërkoi ekzekutorëve edhe një shami dore dhe një nga shokët e tij që do ta mbante gjatë vallzimit. Valiu ia plotësoi gjithë kërkesat, teksa priste i çuditur se çdo të ndodhte. Pranë kishte gruan, shoqëruesit dhe zyrtarët e tij të habitur njëlloj si ai.
Më në fund Osman Taka, me shami në dorë dhe në krah njërin nga shokët që e mbante fort, u ndal me vështrimin nga trekëmbëshi ku tundej laku i litarit dhe nisi të këndonte duke improvizuar ca vargje për vete:
- Hajde, more Osman Taka...
Gërrneta klithi melodinë shoqëruese dhe sakaq zuri fill vallja e tij legjendare përballë armiqve dhe vdekjes...
Osman Taka, i veshur me kostumin tipik të Çamërisë, me fustanellë e qeleshe të bardhë, nisi të kërcente para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Lodërtarët e orkestrës luanin ritmin e melodinë e rrallë të lëvizjeve të tij. Hidhte ca hapa, këndonte dhe kur rrotullohej thërriste “Hooopa” si t’i jepte guxim vetes dhe shokut që e mbante fort e më fort duke ndjekur ritmin e tejet burrëror të valles... Rrotullohej në vend në një hapësirë sa një sofër mbi njërën këmbë dhe atëherë kur dukej se do të këputej e binte përtokë, hovte befas përpjetë dhe këmbët i arrinin supet e shokut që e mbante fort përdore…
E filloi vallen qetë-qetë, si valët e shtruara të detit pranveror, duke u harmonizuar tërësisht me melodinë sa lirike, pikëlluese e shpresëdhënëse që buronte drithëruese prej klarinetës e violinës. Hapat e tij të thjeshtë, të ngadaltë dhe të prerë valëzonin e valëzonin, pastaj merrnin befas hov dhe shpërthenin në një furi rrotulluese e marramendëse në një hapësirë sa një tepsi. Ashtu si vorbull e shpejtë i ngjante një vale që fryhej si me magji e shkumëzohej e shndërrohej sakaq në një dallgë kreshtëbardhë. Dora e tij, herë pas koke e herë si krah shqiponje në fluturim, të linte përshtypjen se nuk po vallëzonte, por po dallgëzonte. Fustanella gufonte e gufonte dhe qeleshja dukej se prirej drejt reve. Kërcente si askush tjetër, jo si valltar, por si një magjistar i rrallë a si shtojzovalle e dalë nga përrallat popullore.
Herë si fugë e herë i përkulur mbrapa me kokën në tokë, si urë, plot hijeshi e elegancë, herë si valë e sapolindur e herë si dallgë kryethinjur, dukej se ishte pjesë e natyrës, sa e tokës dhe e detit, apo sikur natyra buronte prej asaj bukurie rrotulluese trullosëse.
Thonë se falë asaj magjie trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë gati hyjnore, vajza e valiut e magjepsur, pothuajse u rrëzua nga dritarja teksa zgjatej e zgjatej për të parë atë valltar të mrekullueshëm.
Të gjithë njerëzit aty rrotull e vështronin me admirim dhe habi, duke harruar se ai ishte një i dënuar me vdekje dhe një armik i betuar i Perandorisë Osmane.
Kur mbaroi vallen, Osman Taka, i mbytur në djersë, fshiu ballin me shami dhe sakaq e rroku turmën me një vështrim prej shqiponje.
Befas shpërtheu një lumë duartrokitjesh.
Valltari i habitur piu një shtambë ujë dhe thirri:
- Tani jam gati të shkoj në litar për vatanin!...
Të gjithë shtangën në pritje të shenjës së valiut për ekzekutimin e të dënuarit.
Dokumente arkivorë të Janinës tregojnë realisht se pas asaj valleje të paparë ndonjëherë, e shoqja e valiut i kërkoi atij që t’i falte jetën Osman Takës. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi.
Valiu u ngrit në këmbë dhe thirri:
- Një valltar si Osman Taka nuk mund të shkojë kurrë në litar!
Urdhëroi ndalimin e ekzekutimit menjëherë dhe i fali jetën...
Thonë se që nga ajo ditë kjo valle e hershme epirote u quajt Vallja e Osman Takës.
Është një valle e jashtëzakonshme, nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Një valle që të sjell në kujtesë Osman Takën, djaloshin-hero, i cili u përjetësua në histori dhe në bëmat e folklorit popullor falë dëshirës së tij të fundit për të kërcyer para vdekjes. Kaq mjaftoi dhe Osman Taka, ky shembëllim i gjallë i heroizmit shqiptar ndër shekuj, të triumfonte mbi vdekjen dhe të hynte në këngë e në legjendë.
Vitet kalonin, sazexhinjtë e Konispolit i binin muzikës dhe vallja mbijetoi brez pas brezi e mishëruar në valltarë të dashuruar pas historisë, traditave dhe folklorit të mrekullueshëm të Çamërisë. Shumë artistë e kanë kërcyer ndër vite këtë valle, por askush nuk mundi ta kërcente dot, deri më sot, si djaloshi artist Taip Madani, nga fshati Shalës i Konispolit.
Thuhet se me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në tetor 1978, Taip Madani e bëri vallen e Osman Takës një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të kohëve moderne.
Nëpërmjet kërcimit të tij virtuoz, artisti i kohës sonë, Taip Madani, jo vetëm risolli në skenat bashkëkohore shkëqimin e florinjtë të kësaj valleje të paarritshme, të valleve çame në përgjithësi dhe të vetë foklorit të mahnitshëm çam, por rikrijoi edhe mitin e Osman Takës së ri, të aftë të ripërtërijë nëpër shekuj vlerat e padiskutueshme të artistit-hero, Osman Takës së qëmoçëm që ndriçon si brilant midis brilanteve të thesareve të kulturës popullore shqiptare.

Shefki Hysa

Thursday, August 12, 2010

Albania invalide... Sos!...

Dikur mbijetoi, por...

Thonë se dikur jetonte e Bukura e Dheut. Ndrinte ajo vetë, ndrinte dhe gjithçka përqark saj. Nuk kishte të krahasuar bukuria e saj, as ditën e as natën: Del o diell të dal, del o hënë të dal.
Thonë se të Bukurën e Dheut fillimisht e quanin Pellazgji. Ishte aq madhështore, e hirshme dhe magjiplotë saqë u dashuruan marrëzisht pas saj tërë fqinjët dhe të largëtit që njiheshin me të, të qytetëruarit dhe barbarët. Po Pellazgjia rrinte krenare në jetën e vet. I nderonte dhe i respektonte tërë ata që i vinin rrotull, pa iu përulur askujt.
Na u bënë ziliqarë barbarët për krenarinë, vlerat dhe thesaret e saj. Dhe dikur iu turrën për ta mposhtur me përdhunë. U kacafytën gjatë barbarët me të, i rrëmbyen aty-këtu edhe copa stolish e thesaresh, megjithatë Pellazgjia nuk u mposht…
Ajo që mbeti pas atyre betejave grabitqare u quajt Iliri. Barbarët u kacafytën edhe me Ilirinë, i rrëmbyen të tjera thesare, të tjera stoli, po ajo nuk u dha. Tashmë e quanin Arbëri dhe trashëgonte ende një pjesë nga hiret e së Bukurës së Dheut, Pellazgjisë. Ashtu e hijshme, si gjithë të Bukurat e Dheut nëpër përralla, megjithëse e lodhur nga kacafytjet e gjata përdhunuese, Arbëria e paepur rrezatonte në sytë e barbarëve që nuk e duronin dot dritën e qytetërimit të saj. Dhe ata vrisnin mendjen si ta mposhtnin. Dhe i turreshin përsëri e përsëri, ditëve e netëve, gjatë dimrave e beharëve, i grabisnin stolitë, e plagosnin, e gjakosnin, i këpusnin gjymtyrët, por ajo, megjithëse mpakej e mpakej prej dhunës, nuk jepej. Ashtu e mpakur dhe e paepur ngjante rishtas e bukur dhe rrezatonte qytetërim në sytë e armiqve barbarë që donin ta zhbënin me çdo kusht.
Tashmë ca e thërrisnin Albani e ca të tjerë Shqipëri. Armiqtë si gjithmonë e kishin halë në sy dhe i turreshin përbindshëm bukurisë së saj...
Shqipëria e vogël, për mendjen e mbrapshtë të barbarëve, ishte Pellazgjia e dikurshme që ende nuk ishte epur prej dhunës grabitëse, prandaj nuk duhej lënë rehat. Ajo duhej zhdukur…
Kjo farë Shqipërie ishte apo nuk ishte Pellazgjia e dikurshme?!… Debatonin e debatonin armiqtë e saj dhe i turreshin përsëri për ta zhbërë që të mos i mbetej as nami e as nishani Pellazgjisë së dikurshme që rronte ende në gjenet e Shqipërisë…
Armiqtë e saj tashmë ishin jo vetëm barbarët, por edhe fqinjët e qytetëruar. Edhe ata i lakmonin ato pak thesare që trashëgonte Shqipëria prej Pellazgjisë së dikurshme…
Ishte apo nuk ishte Pellazgjia?!… Tashmë gjithçka ishte shndërruar në legjendë… Pellazgjia, e Bukura e Dheut, tashmë ishte një përrallë që u rrëfehej netëve kalamajve…
Ndërkohë dilte dikush që vendoste të eksploronte viset e legjendës. Dhe duke kërkuar nëpër udhët e vështira të meditimit muzgjeve të legjendës, si arkeolog i paepur, dikushi po zbulonte copëza stolish, gurë të çmuar, diamante e perla, që përbënin dikur thesaret e bizhuterive të Pellazgjisë…
Dikush, duke kërkuar, zbuluar dhe restauruar copëzat e bizhuve të grabitura nëpër shekuj nga trupi i Pellazgjisë, arrinte të rindërtonte profilin e Albanisë prej të Bukure Dheu… Dhe kështu, dalëngadalë legjenda po shndërrohej në realitet… Mirëpo, ky realitet, megjithëse u përkiste kohëve moderne, vazhdonte të ishte tejet shqetësues për stërnipët e qytetëruar të barbarëve të dikurshëm...
Dhe ata, me mençurinë djallëzore të stërgjyshit Odise, i dhuruan një kalë të bardhë politikës shqiptare, një kalë paqeje, në dukje, mutacion i Kalit të Trojës...
Dhe politika mutante shqiptare ia shaloi kalit të bardhë dhe iu turr për ta shkatërruar Shqipërinë për hesap të padronëve të vet... Dihet se lufta brenda llojit është vdekja më e sigurt... Padronët e rinj të politikës tiranike shqiptare e dinin mirë këtë fakt dhe përfundimin që do të sillte...
Dhe kështu, shpirtrat e barbarëve të dikurshëm më në fund mund të ndiheshin të qetë... Shqipërisë më në fund po i vinte fundi prej vetë politikës shqiptare, prej mutacionit të llojit të vet...
Dikur mbijetoi Shqipëria, por sot po vdes...

Sos!... Shqipëria po vdes!...
Ej, Shqipëria po vdes!... Shqiptarë, zgjohuni prej gjumit të vdekjes!... Shqipëria po vdes!...
Nuk e besoni?!...
Po këlthas se Shqipëria, ku edhe vdekja blihet e shitet, po vdes!... Kuptojeni në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: po vdes!...
Besomëni!... Po vdesin shqiptarët dhe shqiptaria!... Po vdesin liria, idealet, shpirti!...
Kuptojeni mirë, fjalët e mia janë klithmë e pashpresë në këtë agoni kolektive më e rëndë se agonitë e shkaktuara nga murtajat e mesjetës evropiane... Sos!... Shqipëria po vdes!... Po vdes nën lëngimin e murtajës politikë!... Politikës shqiptare që blihet e shitet përditë te padronët grekë e serbë... Sos!... Sos!... Sos!...
Nuk më besoni?!... Në këtë vend, gjithçka blihet e shitet prej politikës që blihet e shitet për vete te armiqtë tanë tradicionalë!... Gjithçka blihet e shitet me urdhër të Berishës e të Ramës, nga klanet e Berishës e të Ramës, për klanet e Berishës e të Ramës... Në këtë vend të varfër ku po rrënohen gjenet, traditat dhe kultura, mbijetojnë vetëm injoranca dhe frika!... Dhe vdekja!... Dhe vdekja... Dhe vdekja!...
Po ju kujtoj se në këtë vend ku mbizotëron murtaja e politikës, mbijeton ende i vetmi ideal, Çamëria!...
Po kujt i plasi për Çamërinë, do thotë dikush në prag të vdekjes, kur edhe vet çamët janë ftohur dhe i kanë kthyer prapanicën këtij ideali?!...
Vërtet, nuk i plas askujt prej atyre që përjetojnë agoninë e vet!...
Eeej, ndoshta i plas Amerikës për Çamërinë, njëlloj si për Kosovën, se aha... atdhetarizmi shqiptar po vdes... shqiptarët po vdesin për vete!...
Eeej!... Në këtë agoni mesjetare që ka pllakosur Shqipërinë e kohëve moderne, mundohem të mbijetoj edhe unë... Më besoni, mundohem të mbijetoj me shpirt ndër dhëmbë!...
Dhe në buzë të greminës së mbijetesës, u kujtova dikur dhe i dërgova një mesazh mikut tim çam, deputetit Shpëtim Idrizi: I nderuar, ke Shansin e Madh të Epokës së Madhe të Dinosaurve që të bësh Epokë!... Përqafoje fort idealin çam dhe shpëtoje Çamërinë!... Mos e humb këtë shans!...
Miku im, Shpëtimi, të paktën në dukje, përpiqet për ta mbajtur gjallë idealin çam, për ta shpëtuar Çamërinë!... Ishalla nuk po tjetërsohet edhe ai, të blihet e të shitet si gjithçka tjetër shqiptare me urdhër të Berishës e të Ramës për hesap të klaneve të Berishës e të Ramës!...
Eh!... Në këtë vend, pronë e Zotit, ku politika pretendon rolin e Zotit, duhet që të shesësh edhe prapanicën për t’u “ringjallur” e për të fituar Statusin e Zombit... Duhet t’ia shesësh Berishës ose Ramës... Kështu duan të thonë... Ca që nuk i binden politikës...
Ej, shqiptarë, kujdes!... Tundini prapanicat e mos harroni se edhe ato janë pronë e Zotit!... Dhe dijeni mirë se nuk abuzohet aq lehtë me pronat e Zotit!... Nuk blihen e shiten pronat e Zotit aq lehtës as prej politikës!... Qoftë ajo më e sofistikuara dhe më djallëzorja!...
O Zot!... A ka Zot që ta shpëtojë Shqipërinë prej vdekjes, e cila blihet e shitet si gjithçka tjetër me urdhër të Berishës e të Ramës?!... Na duhet të gjithëve e fortë Albani-Shqipëria, or miq… Na duhet se pa të nuk do të gëzojmë as emrin e ndritur: shqiptar!...
Me siguri, Albania invalide nuk i duhet as Evropës!… Një Shqipëri e vdekur nuk i shërben askujt, besoj as politikës së shitur shqiptare… Sos!…
Eeej, shqiptarë, zgjohuni prej gjumit të vdekjes!... Ngrehuni si stërgjyshët tanë pellazgo-ilirë që u rilindën sa herë si feniksi prej hirit të vdekjes së vet!…
Shpëtojeni Shqipërinë evropiane prej shkretëtirës që i shkakton murtaja politikë që blihet e shitet për hesap të padronëve të vet, pronarë të kalit të bardhë të vdekjes!… Sos!... Sos!... Sos!...

Shefki Hysa

Friday, July 23, 2010

Nga Kujtim Bytyçi

Frederik Rreshpja, ky bohem shqiptar

Frederik Rreshpja lindi në Shkodër më1940. Edhe në të dhënat në aktakuzën e datës 11.08.1976 viti i lindjes është identik. Duke cituar të dhënat e aktakuzës shohim se viti i lindjes është 1940: “Frederik Rreshpja, i biri i Markut dhe Drandes, i datëlindjes 1940, lindur dhe banues në Shkodër”, por në shkrime të ndryshme për jetën e Frederik Rreshpes si vit i lindjes merret dhe viti 1941. Shkollën fillore dhe të mesme Frederiku i kreu në Shkodër kurse shkollimi i tij i mëtejshëm u ndërpre sepse në vitin e dytë u arrestua përsëri. Fillimet e tij letrare, më saktë daljen e tij para lexuesit me vepra të plota letrare e kemi në vitin 1968 me veprën “Rapsodi shqiptare”. Ky vëllim që në daljen e tij pati suksesin e pritur për vetë faktin se poeti ishte prezantuar para lexuesit edhe në periodikun e kohës. Vepra në fjalë, ashtu si dhe krijimet e botuara në periodikun e kohës, u mirëprit nga kritika e kohës. Ndërkohë që më 1976 po kjo kritikë mohoi vetveten e saj duke hedhur baltë mbi talentin e Rreshpes dhe duke e dhënë si shembull për të ndëshkuar poetin. Dënimi me katër vjet (më 1976) me akuza që dallohen qartë se ishin të fabrikuara, për agjitacion e propogandë, ndoshta do të ndikonte në talentin e tij. Dënimi më i rëndë ishte ndalimi i botimit të veprave të tij, përjashtimi nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe heqja e krijimeve të tij nga programet shkollore. E gjithë kjo “gjueti shtrigash” kishte si synimim mbylljen e gojës së poetit. Nuk ishte i vetmi rast që po ndodhte. Fate tragjike të krijuesve, jo vetëm në këtë periudhë, por më parë dhe më vonë, ka mjaft. (Do të përmendja rastin e poetit disident, Havzi Nela, i cili më 1988 varet në mes të qytetit të Kukësit). Por ndodhi e kundërta. Vetëm pak kohë pas daljes nga burgu, Riku rishfaqet po aq fuqishëm në poezi, e cila për hir të së vërtetës duhet të themi se qe altari në të cilin Rreshpja u fal deri në fund të jetës së tij. “Erdhi koha të vdes përsëri” më 1994 është vepra e parë e botuar pas daljes nga burgu, pasuar dhe nga veprat e tjera “Lirika” më 1996 dhe “Në vetmi” më 2004. Me veprën “Në vetmi” Frederiku fitoi titullin poet i vitit.
Sasia e krijimtarisë letrare të Rikut nuk dihet me saktësi. Mendohet të ketë shumë dorëshkrime të cilat edhe sot e kësaj dite akoma nuk e kanë parë dritën e botimit. Mendohet se është një sasi e konsiderueshme, brenda së cilës ka edhe poezi të cilat janë ripunuar, poezi që nuk e panë asnjëherë dritën e botimit dhe poezi në botime me variante të tjera. “E kishte zakon që poezitë që nuk i pëlqenin i treste. Mjaftonte që të mos i pëlqente një varg ose strofë”, - shprehet Gjovalini, vëllai i Rikut. “I kam mbledhur me kujdes të gjitha ato që i treste dhe i ruaj edhe sot e kësaj dite si një thesar, të vetmin thesar që ka lënë Riku. Një ditë do t`ia botoj ashtu siç janë, siç i ka shkruar. Ndoshta nuk janë të bukura, por mendoj se edhe këto poezi të cilat Riku i ka tretur janë po aq të mira sa ato që ka botuar”.
Në një intervistë të botuar në vitin 1992 Frederik Rreshpja kishte thënë: “Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im… Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë. Kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar…”. A është kjo gjithçka që mund të themi për Rikun? A mund të themi se ai ishte “zog i vetmuar” i cili kishte dëshirë të cicëronte i vetmuar? Megjithatë, Rikun pas daljes nga burgu e shohim gjithmonë në lëvizje. Pasi rifilloi aktivitetin e tij letrar me gazetën “Ora” e shohim edhe në Tiranë në revistën “Europa”. Po në Tiranë fillon aktivitetin botues me shtypshkronjën “Europa”, aktivitet që në fillim i solli të ardhura të mira, të cilat çuditërisht shumë shpejt i humbi dhe jetoi falë ndihmave financiare të dhëna nga shokët e tij. “E kam gjetur të ulur në qese të mëdha të mbushura me para”, shprehet Moikom Zeqo, miku i tij më i ngushtë. Nuk ishte i interesuar që të përcaktohej politikisht, sepse thoshte: “Mua nuk më intereson politika. Arti është më i gjërë…”, andaj Frederik Rreshpja iu përkushtua punës letrare. Ai ishte pra kryeredaktor i gazetës “Ora”, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese “Europa”, por pasuria më e madhe ishte bujaria e tij dhe respekti për shokët. Megjithëse pjesën më të mirë të jetës së tij e kishte kaluar në burgjet e diktaturës dhe e dinte se kush e kishte denoncuar, përsëri me shpirtin e tij prej poeti, duke mos njohur hakmarrjen, asnjëherë nuk iu kundërpërgjigj denoncuesve të tij. I tillë mbeti deri në fund të jetës së tij Rreshpja, i cili më shumë se çdo gjë donte njeriun.
Që në fillimet e tij poetike Riku u paraqit para lexuesit si një poet i cili po prezantohej me unin e tij poetik, me individualitetin e tij. Me një individualitet që ndoshta ngjalli dhe xhelozinë e të ashtuquajturve poetë bashkohës të tij. Megjithëse kritika e kohës pak i kushtoi vëmendje, përfaqësimi i tij në tekstet shkollore më tepër ishte një imponim i talentit të tij, një pranim “de facto” i talentit të tij, por me rezerva. Një talent i cili do të ishte që në fillim nën mbikqyrjen e censurës. (Ndoshta një koicidencë, por edhe Migjeni që në fillimet e tij u vu nën vëzhgimin e rreptë të censurës). Frika e censurës del hapur në momentin kur pas denoncimit “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”(Pjesë nga vendimi i gjykatës së rrethit Shkodër për dënimin e Frederikut më 14.08.1976) vendosi që të dënohej me 4 vjet heqje lirie. Kjo është vetëm maja e aisbergut të asaj që censura veproi me Rreshpen. Përjashtimi i tij nga LSHA dhe heqja e krijimtarisë së tij letrare nga tekstet shkollore u parashikua si goditja përfundimtare për këtë poet, duke menduar se kështu lau duart një herë e përgjithmonë nga “poeti plangprishës”, i cili nuk kishte formimin e duhur ideo-artistik (pjesë nga vendimi i LSHA dega Shkodër për përjashtimin e Frederik Rreshpes). Ndërkohë që Rreshpja kishte lënë gjurmën e tij poetike dhe kritika letrare, e cila ishte jashtë kuadrit të politikës së diktaturës, shprehte opinionin e saj të pavarur, opinion i cili e vendoste Rreshpen dhe krijimtarine tij letrare në një rrafsh me lirikët më të mirë europianë.
Ja disa nga vlerësimet që janë dhënë për Frederik Rreshpen:
Hans Joacim Lanksch: “Vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian”.
Robert Elsie: “Që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës”.
Henri Izrael, botues amerikan: “… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon”.
Ivanov, kritik rus: “Ne kemi Pushkinin, Jeseninin dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”.
Leo dë Rua, kritik francez: “U trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit”.
Ismail Kadare: “Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë”.
Frederik Rreshpja ishte poet i lindur. Ishte poet në shpirt. Poezia e tij ishte poezi që dilte nga shpirti i tij. Dhe poezia e shpirtit është e pavdekshme. Vargu i tij poetik ishte një melodi e pavdekshme.
Frederik Rreshpja vdiq më 17 shkurt 2006 dhe u varros më 18 shkurt 2006 në varrezat e “Rrëmajës” të kishës katolike në Shkodër, në qytetin e tij të lindjes ,të qytetit që e deshi aq shumë. Shtatëmbëdhjetë shkurti nuk është gjë tjetër veçse një datë kalendarike. Jeta është më e gjatë. Poezia e tij ka lashtësinë dhe jetëgjatësinë e kombit. “Rrëmaja” nuk është varrezë, është vendi që mban brenda saj poetin e “melodive të pavdekshme”, Frederik Rreshpen.

Veprimtaria letrare
1967 “ Rapsodi shqiptare” (Poezi)
1968 “Tre përralla për femijë”
1972 “Zëri i largët i kasolles” (Roman)
1973 “Endrra e tokës” (Dramë)
1973 “Në këtë qytet” (Poezi)
1994 “Kompiuteri pa mësues” (Metodë)
1994 “Erdhi ora të vdes përsëri” (Poezi)
1996 “Lirika”
2004 “Në vetmi” (Poezi)

Pra, me pak fjalë, ky është porteti i poetit të mirënjohur Frederik Rreshpja.

Kujtim Bytyçi

Tuesday, June 8, 2010

Nga Agim Bajrami

Zhaneta Saliu - mes biznesit dhe poezisë

Befasia e këndshme me emrin Zhaneta

Portreti i biznesmenes së njohur çame Zhaneta Saliu fillon të të riprodhohet vetvetiu porsa hyn në mjediset e gjera dhe plot dritë të firmës së konfeksioneve Anisa & Noemi Sh.p.k në Spitall, Durrës, që ajo e drejton prej tetëmbëdhjetë vjetësh pa ndërprerë. Ambiente të pastra dhe komode, që ndonëse të ngarkuara me zhurmat e punës dhe të prodhimit, një syri të vëmendshëm i krijojnë përshtypjen e menjëhershme se këtu patjetër zotëron dhe ndihet dora dhe fryma e një femre autoritare.
Zhaneta ose Zhani, siç i thonë shkurt të afërmit dhe miqtë e saj, të shoqëron gjatë gjithë kohës me një buzëqeshje dhe ngrohtësi që s’i ndahet asnjëherë nga fytyra. Gjithmonë jemi mësuar që kur bëhet fjalë për biznese ose biznesmenë të suksesshëm mendja të na shkojë tek burra seriozë e fjalëpak me makina e kollare gjithëfarlloj. Por në rastin tonë ky takim ishte krejt ndryshe, kemi të bëjmë me një grua, nënë dhe biznesmene, si dhe me një aktiviste të heshtur të çështjes çame, për të cilën, sa herë bie fjala, Zhani fillon e gjallërohet si me magji, vetvetiu. Është një gjallëri që i ngjet pemës kur fillojnë e bien shirat e parë, një gjallëri që e ka emrin dashuri dhe respekt për rrënjën dhe vendlindjen e mohuar. Portreti i kësaj gruaje i gdhendur si në basoreliev fillon e të ravijëzohet vetvetiu fjali pas fjalie, duke e plotesuar vetveten dhe duke dalë kështu krejt natyrshëm përtej kornizave të zakonshme të një gruaje në kohë dhe hapësirë. Karriera e suksesshme e Zhaneta Saliut nuk është një dhuratë e rënë si prej qielli ose e ofruar bujarisht prej dikujt, por një udhë e gjatë lufte dhe vështirësish të panumërta, herë-herë me zigzake, por gjithmonë me një kahje të drejtuar nga lartësitë.

Shumësia e vlerave – Zhaneta Saliu
Në 1997, Zhaneta Saliu përfundoi kursin e organizuar nga dhoma e tregtisë dhe industrisë Durrës për menaxhim biznesi. Në 2008 u diplomua për Juridik në universitetin shtetëror të Tetovës në Maqedoni. Në vitin 2009 përfundoi kursin tremujor pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci pranë Akademisë Diplomatike Shqiptare, Tiranë. Në 2006 mori titullin “Nderi i punës” me motivacionin: Për guximin dhe sukseset e arritura në fushën e biznesit dhe për krijimin e fronteve të punës për punësimin e grave dhe vajzave, ndërsa në 2008 mori titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” me motivacionin për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, mbështetjen e aktiviteteve në promovimin e historisë dhe kulturës qytetare durrsake, për vlerat e spikatura intelektuale dhe humane. Në vitin 2009 mori titullin Avokat.
Ne mund të vazhdonim edhe më tej me përvijimin e biografisë dhe vlerave intelektuale të kësaj gruaje, por për më shumë do të dëshironim t’ia linim vendin intervistës direkte me të.

- Çfarë mund të dijë më shumë lexuesi i revistës “Krahu i shqiponjës” për ju?
- Kam lindur në 7 Korrik 1966 në Plazhin e Durrësit, nga një familje me origjinë çame (komshi me skulptorin e njohur çam, Idriz Balani). Im atë është me origjinë nga fshati Petrovicë ndersa mamaja ime nga fshati Skupicë i Igumenicës. Në vitin 1945, në kohën e masakrave mizore greke dhe dëbimeve të dhunshme, prindërit e mi u shpërngulën dhe u vendosën në lagjen Plazh, Durrës, ku linda edhe unë. Dua të them se kur unë isha një vjeç, familja ime përjetoi një tjetër kalvar dhimbjesh,
këtë herë jo nga zervistët grekë, por nga pushteti komunist shqiptar me urdhër të Rita Markos. Na shpërngulën me dhunë dhe na detyruan të jetojmë në djerrinat e kripura të kënetës së Porto Romanos. Më pas, fëmijëria ime kaloi në lagjet e përbaltura të Shkozetit. Më kujtohet se kur binte shi dhe kishte përmbytje, unë detyrohesha të shkoja në shkollë me çizme ose në kurrizin e babait. Fëmijëria ime ka ngjyrën dhe dimensionet e një ëndrre të mbetur përgjysëm. Mua dhe moshatarëve të mi, në shumicën e herëve, na kanë munguar lojrat dhe romantizmi i moshës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, me gjithë dëshirën time të madhe për t’u bërë gazetare, u detyrova të filloja punë në Fabrikën e Plastikës.

- Cilat kanë qenë ëndrrat e një vajze si ju Zhani në atë kohë?
- Unë nga natyra jam pak rebele, asnjëherë nuk më pëlqen plogështia dhe pajtimi me realitetin e imponuar. Kjo është një nga arsyet që, qysh në bankat e shkollës, jam munduar ta shpërfaq lirinë time në fushën e artit dhe të letërsisë, kam luajtur disa role pranë trupës amatore të teatrit Aleksandër Moisiu, në kohën kur atje ishte drejtor poeti i njohur Bardhyl Agasi. Mbaj mend një rolin tim të spikatur në koncertin “Internacionale do të jetë bota e re”. Ka qenë mosha kur njeriu fillon ta çmojë më shumë vlerën e vetes dhe lirisë individuale. Ajo kohë për mua, krahas përpjekjeve për të njohur skenën e teatrit, ka qenë edhe një periudhë e mbushur me lexime të gjithfarë lloji. Lexoja gjithçka të bukur që më dilte përpara. Atëherë kam filluar t’i perceptoj më mirë ëndrrat dhe realitetin që më rrethonte sepse arti është një dimension më tepër në jetën e një vajze në diktaturë. Por dua të them se mushkëritë e mia ishin më të gjera dhe nuk mund të kënaqeshin me kaq oksigjen. Në atë kohë kam filluar të merrem edhe me poezi. Guxoj të them se një pjesë e dimensionit tim shpirtëror, edhe në momentet më të trishta të jetës time, e ka ribërë vetveten nëpërmjet poezisë. Më kanë mbetur në mendje ende disa strofa poetike nga ajo kohë, disa vargje të një poezie time të hershme, mund edhe ta citoj:
Në kodrinën mbi qytet kemi hipur
dhe po shikojmë me kënaqësi
qytetin e lashtë të rilindur
Dyrrahun e lashtë dhe të ri.
Natyrisht, këto vargje mund të jenë modeste, por në atë kohë i mbushnin vitet e moshës time me më shumë ozon dhe hapësirë.

- Po më pas si shkoi jeta juaj?
- Në vitin 1991, në grahmat e fundit të diktaturës komuniste, në kushtet e një jete miserabël, në pamundësi për t’u pajtuar me këtë realitet, u detyrova të braktis vendlindjen time dhe t’i bashkohem grupit të fundit të refugjatëve të anijes Panama. Kisha disa kohë që më kishin hequr nga puna, si gjithë të tjerët, dhe jeta këtu ishte e padurueshme. Mungonin të gjitha sendet e konsumit jetësor dhe ky vend nuk të mbante më. Hipëm në vapor të shtyrë nga turmat laramane të njerëzve. Në atë kohë, vajza ime, Anisa, ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë muajshe.
Nuk e harroj kurrë natën e zbritjes në portin e Brindisit, kur endeshim si zogj të trembur, të detyruar ta kalonim natën me gjysëm batanije.

- Si ju priti Italia?
- Të nesërmen, një çift italianësh nga provinca e Barit, Terlizzi, na morën në shtëpinë e tyre. Ishin njerëz të mirë dhe humanë. Punova ca kohë në spitalin e Barlettes, punë e cila nuk zgjati shumë sa për shkak të natyrës time krenare aq edhe për një lloj racizmi që vihej re tek vendasit italianë që na pritën. Gjatë kësaj periudhe kam bërë disa vajtje e ardhje midis Italisë e Shqipërisë, por që në fund përfundoja sërish në Itali. Ju thashë që në krye se vendi ynë, edhe për shumë vite të tjera, do të vazhdonte të vuante pasojat e tranzicionit dhe të një absurdi pa skaj.

- Kur ka qenë takimi juaj i parë në fushën e biznesit?
Takimi im i parë me biznesin përkon me njohjen time me biznesmenin e suksesshëm italian Claudio Massara, i cili u bë më pas shoku më i ngushtë i jetës sime.

- Si u njohët me Claudion?
- Siç ju thashë më parë, në vazhdën e ikje-ardhjeve të mia nga Italia në Shqipëri e kam takuar atë në tragetin e linjës Bari-Durrës. Ishim ulur pranë e pranë në të njëjtin stol, krejt rastësisht. Claudio donte të bisedonte me dy djem shqiptarë që nuk dinin italisht dhe kërkoi ndihmën time. Ishte një njohjë që, siç thonë poetët, ngjizi me shikimin e parë. Duhet të them se ishte një ngjizje fatlume mes meje dhe atij, më pas unë kuptova se isha njohur me një biznesmen dhe një profesionist të suksesshëm në fushën e konfeksioneve.
Po atë vit, Claudio më propozoi të hapnim bashkë një biznes rrobaqepësie. Ishin vitet kur në Shqipëri po hapeshin fabrika me kapital të huaj joint-venturë, por unë me Claudion vendosëm që biznesin ta kishim vetëm tonin. Natyrisht në atë kohë, hapja e një biznesi të tillë ishte me risqe dhe të papritura, por ne e kishim studiuar me vëmendje tregun e atëhershëm në Shqipëri dhe kryesisht në Durrës. Pas një vëzhgimi të hollësishëm, pas shumë dilemash dhe pasigurish, duke e marrë në sy rrezikun në kushtet e klimës së paqëndrueshme politike që ekzistonte në atë kohë, vendosëm që të hapnim një rrobaqepësi këmisharie. Vërtet e guximshme kjo iniciativë e jona, por pa guxim dhe pa rrezikuar, asgjë e mirë nuk mund të krijohet në kushtet e tregut kapitalist.
Që në fillim u përballëm me një sërë vështirësish dhe pengesash serioze që vinin si nga mungesa e një legjislacioni të plotë ashtu edhe nga pengesat e vazhdueshme burokratike që na nxirrte administrata e atëhershme shqiptare. Kërkoheshin dokumenta pas dokumentash, ryshfet pas ryshfeti, me një fjalë, një odise e tërë që të ndrydhte iniciativën. Tjetër vështirësi ishte ndërtimi i marrëdhënieve të punëdhënësit me punëtorët sepse punëtori shqiptar i asaj kohe ende ishte i papërgatitur për t’iu përshtatur kërkesave të sistemit të ri të punës. Punëtori shqiptar i asaj kohe ende vuante psikologjinë e punës së papaguar në socializëm.
Më ka mbetur në kujtesë që nga sistemi i shkuar një thënie anekdotike që i përshtatej aq mirë asaj psikologjie: “Ne bëjmë sikur punojmë, shteti bën sikur na paguan”. Thënie shumë e bukur apo jo?
Në kuadrin e vështirësive tona të panumërta, duhen shtuar edhe mungesa e specializimit të punëtorëve të industrisë së konfeksioneve dhe përshtatjes së tyre me kërkesat e tregut perëndimor. Na u desh të punonim një kohë të gjatë për krijimin e një tjetër psikologjie me punonjësit e ardhur rishtas në këtë punë. Mungonte tradita dhe intensiteti i punës. Na u desh gjithashtu të sforcoheshim tej mase për të kapur ritmet e prodhimit dhe ambientuar njerëzit me natyrën e prodhimit të konfeksioneve.
Në vitin 1993, fabrika jonë ishte një ndër pioneret e para të fazonit në Shqipëri.
Vërtet, krahu i punës në atë kohë ishte i lirë, por edhe investimet tona në këtë drejtim ishin të shumta. Ne investuam shumë për specializimin e këtyre njerëzve. Për këtë arsye u detyruam të sillnim teknikë dhe specialistë të njohur nga Italia. Nga viti në vit fabrika, falë këmbënguljes tonë, arriti të bëhej një ndër më të njohurat në vend. Ishin të shumtë faktorët që ndikuan në këtë arritje:
Së pari, respekti dhe vlerësimi i shijes së klientelës vendase dhe asaj perëndimore.
Së dyti, prirja për të ndjekur risitë dhe të rejat e modës në vijimësi e sipër.
Së treti, respekti për klientelën. Për ne klienti ka qenë dhe mbetet gjëja më e rëndësishme.
Në tregti, korrektesia është primare dhe mbetet e tillë. Ne nuk e kemi harruar asnjëherë këtë postulat. Kjo ka bërë që kërkesat tona të jenë gjithnjë në rritje ndaj cilësisë së prodhimeve. Duke i qëndruar gjithmonë pranë punonjësve tanë, ne kemi mundur të shmangim në një masë të konsiderueshme prodhimet skarco dhe të evitojmë ankimet nga ana e klientëve. Sot mund të pohojmë me kënaqësi se prodhimet tona fazoniste mund t’i gjesh që nga Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia e gjer në Kenian e largët afrikane. Nuk ka gjë më të bukur për një prodhues si unë kur merr lëvdata e përshëndetje nga anë e mbanë botës.

- A ka pasur ulje-ngritje biznesi juaj?
- Si çdo biznes tjetër, edhe ai që drejtoj unë ka pasur ulje-ngritjet e tij. Mjafton të themi se viti ’97 krijoi në punën tonë një sërë vështirësish të paparashikuara.
E tillë ishte pasiguria e dërgimit në destinacion e prodhimeve tona, mbrojtja e fabrikës nga sulmet e bandave, mungesat në punë të punonjësve, etj. Mbaj mend se në atë periudhë, të gjithë pjestarët e familjes e kemi ruajtur këtë biznes me jetën tonë, duke rrezikuar shumë.

- Si i keni pasur grafikët tuaj të prodhimit zonja Zhani?
- Dua të them se grafikët e prodhimeve tona kanë ardhur gjithmonë në ngjitje. Kjo i dedikohet jo vetëm zbatimit të marrëdhënieve tona kontraktuale me klientelën, por edhe cilësisë shumë të lartë të tyre. Kështu, përshembull, po t’i referohemi shifrave të prodhimit nga viti ’93, kur ne hapëm biznesin, një punëtore nxirrte 80 copë këmisha në ditë, tashmë, si rezultat i kualifikimit të tyre, kjo shifer është rritur në 400 copë.

- Çdo të thotë për një grua si ju të mbartë mbi supe një biznes kaq të vështirë?
- Tashmë unë jam një prodhuese që kam fituar një farë sigurie në punën time. Dhe për këtë duhet t’ia di për nder shokut tim të jetës, të paharruarit Claudio Massara, i cili arriti të nguliste tek unë reflekset e duhura dhe vetitë për të cilët ka nevojë ky biznes. Claudio Massara ka qenë dhe mbetet për mua një ikonë dhe shkollë udhëheqëse. Unë ruaj shumë nga thëniet e tij të paharrueshme. Një nga ato është edhe kjo: “Zhani, udha e biznesit tonë është me shumë zigzake, mund të qëllojë të humbësh një herë, por me vullnet dhe këmbëngulje mund të arrihet gjithcka” ose një thënie tjetër: “Zhani, e mbylle derën e repartit, fjalët e punës leri aty brenda, mos e përziej jetën private me problemet e prodhimit”.
Pas vdekjes së tij të parakohshme, mbi mua ra gjithë barra e biznesit, m’u desh të sforcohem e pse të mos them, të dal edhe nga vetvetja, duke sakrifikuar rehatinë e jetës time me qëllim që biznesi ynë të çante përpara. Kot thonë që gratë janë të dobta nga natyra. Ne gratë e Çamërisë e kemi në gen këmbënguljen dhe shpirtin e tregtisë. Kjo është një nga arsyet që im atë, Mithati, dhe mamaja ime, Mexhide, ma përsërisin shpesh herë me shaka: “Zhani, ty të hedhin nga kati i dhjetë dhe ti përsëri në këmbë që në këmbë do të biesh”. Natyrisht që mua më kënaq ky fakt dhe më bën të lumtur, por unë nuk jam e vetmja. Më bëhet qejfi që në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë ka me qindra biznesmenë dhe biznesmene të Çamërisë, të cilët i japin tempin ekonomisë shqiptare edhe pse tek unë, krahas genit tim çam, është bashkangjitur edhe pak gen italian, marrë nga përvoja e këshilltarit tim të urtë, të paharruarit tim Claudio Massara.

- Para pak ditësh, vajza juaj, Anisa, sfiloi veshjet e stiluara nga vetë ajo në ambientet e Hotel Rognerit me sukses. A mund të flasim për një vazhdimësi familjare në këtë sektor?
- Do doja t’iu përgjigjesha me fjalët e sime bije: “Ky është një pasion që është rritur me mua, që e vogël kam bashkëjetuar me këtë realitet. Duke u rritur, lindi edhe dëshira për pikturën dhe disenjon e modës dhe gjithmonë jam munduar t’i bashkoj këto fusha”.

- Sa ndiheni e lidhur me familjen zonja Zhani?
- Zoti më ka falur dy vajza të mrekullueshme! Ne e mirëkuptojmë dhe e plotësojmë shumë mirë njëra-tjetrën duke krijuar kështu një ekip të vetëm. Si nënë jam munduar të ngulis tek fëmijët e mi vetitë dhe karakteristikat më të mira, t’i ndihmoj dhe t’i qëndroj përherë pranë duke plotësuar kështu, në një farë mase, mungesën e babait. Deviza ime e përjetshme është se prindi është pasqyra më e mirë ku fëmijët shohin vetveten.

- Sa ndihet çame Zhaneta Saliu?
- Sot, më tepër se kurrë, shpirti dhe qenia ime janë dhe rrahin me tokën e mohuar të prindërve të mi çamë. Ndonëse më shikoni kështu, të heshtur, regëtimat dhe lotët e Çamërisë sime,vuajtjet dhe kalvari i prindërve dhe gjyshërve të mi kanë lënë brenda meje gjurmë të pashlyeshme. Edhe pse jetoj në Durrës dhe larg tokës së mohuar, tek unë vazhdimisht do të gjeni një degë limoni dhe ulliri, dy gurë dhe pak baltë Çamërie. Mjafton të theksoj faktin që im atë ka mundur të sjellë në oborrin e shtëpisë time dy fiq nga kopshti i shtëpisë sonë të vjetër në fshatin Bedelen të Gumenicës. Ata kanë mbirë tashmë dhe mbas ca vitesh, ata do ta kalojnë çatinë. Çdo ditë, unë bashkë me prindërit dhe fëmijët e mi kujdesemi për ta sepse është i vetmi kujtim dhe lidhje e jona me tokën e gjyshërve. Po kështu, mbi çatinë e shtëpisë, krahas tjegullave të tjera, do të shikoni edhe dy tjegulla Çamërie. I ka sjellë im atë dhe i ka si gjëra shumë të shenjta. Të tilla janë dhe për mua dhe fëmijët e mi. Unë nuk i ndërroj ato me asgjë!

- Ju jeni nderuar disa herë me tituj nga shoqata Durrësi dhe disa shoqata të tjera simotra të këtij qyteti për kontributin tuaj me vlerë. A jeni krenare për to?
- Po, jam shumë krenare. Duke qenë me shpirt poete dhe artiste, gjithmonë e kam quajtur si detyrim në vetvete të ndihmoj artistët dhe shoqatat e tjera kulturore dhe ato në nevojë me një pjesë të të ardhurave të mia. Jam e bindur se kjo që bëj unë është një kontribut modest për qytetin tim dhe artin e kulturën e tij.
Faleminderit për intervistën.

Agim Bajrami