Sunday, April 11, 2010

Ëndrra ime – zot në Çamërinë e lirë!

(Me atdhetarin e ri çam Marsel Haxhi)

Poeti Kadri Aliu më mori një ditë në telefon dhe me një ton alarmant thërriste sa kishte fuqi:
- Ku ke humbur, o i nderuari Shefki Hysa? Më ngjan se na harrove fare ne durrsakëve. E harrove poetin dhe gazetarin Kadri Aliu... Po si mor, burrë i dheut, nuk na e ke varur fare, ke kohë pa dalë këndej nga ne?!...
- Nuk të kam harruar, o Kadri, nuk të kam harruar, po nuk më lenë punët të ngre kokë. Do dal, mbase që nesër andej nga Durrësi...
- Të vish ore, se na ka marrë malli vërtet... Dhe dëgjo se kam një mik me shumë vlera, i cili e meriton një reklamë në kopertinën e revistës “Krahu i shqiponjës”. E quajnë Marsel Haxhi dhe është djalë flori, patriot çam njëzetekatër karatë... Të vish që sot po munde, më dëgjon?!...
- Nesër, Kadri, nesër, - përsërita me mendimin se kësaj here do t’ia bëja qejfin mikut tim poet.
E dija se Kadriu ishte një njohës i rrallë i karaktereve dhe intuita e tij e paparë, me një lloj biorryme prej nihilisti finok, nuk gabon lehtë në vlerësimin e njerëzve, aq më tepër që nuk e ka për zemër të lavdërojë ndokënd. Në këtë rast, djali me emrin Marsel, duhet të ishte vërtet një individ i spikatur që e kishte nxitur Kadriun të bënte përjashtim nga rregulli i vet... Duhej të ishe talent të të lavdëronte ai...
Të nesërmen në drekë shkova në plazhin e Durrësit te lokali i Kadri Aliut. Sa më pa u qesh i tëri dhe më përqafoi me gjithë shpirt. Nuk kishte ndryshuar aspak. Ishte njëlloj siç e mbaja mend para dy vjetësh, ashtu shtatmesatar, i trashë e i fuqishëm si mundës a ngritës peshash, me ca kaçurela rebele thinjoshe, me atë vështrimin e ngulët si rreze drite inatçore e dy syve të përhimë si dy copëza qielli gri. Të shigjetonte me ata sy, megjithëse dukej menjëherë që ishte mikpritës. Kadriu, nga natyra është sa i sinqertë dhe therës, nuk di të shtiret. Kur e do dikë e do dhe kur nuk e do nuk e do dhe ec e ndryshoja mendjen po deshe. Ky është pak a shumë Kadri Aliu...
Pasi u shmallëm e diskutuam paksa për tendencat e zhvillimeve letrate e gazetareske, ai njoftoi Marselin që të vinte për të na takuar. Pas pak u dukën tre vetë, dy burra të vjetër dhe një djalosh shtatlartë rreth 190 cm, si basketbollist me një fytyrë të lëmuar esmere e paksa fëminore.
U paraqitën: Qemal Haxhi dhe i biri, Marsel Haxhi. Miku i tyre ishte ndërtuesi çam Isuf Alushi apo daja, siç e thërriste Marseli, i cili kishte shok nipin e atij babaxhani fjalëshumë që zuri qoshen kryesore si dollibash...
Pak më vonë erdhi edhe Edmond Bejkua me pamjen hijerëndë si prej kryetari partie (në fakt është kryetar i komanduar për degën e PDU në Durrës). U mblodhën edhe disa çamë të tjerë dhe plasi kuvendi si dikur në Çamëri...
Marseli ishte i vëmendshëm në biseda, ndërhynte me takt e mençuri për aq sa ia lejonte mosha dhe zgjonte simpati me fjalën e tij të zgjedhur. Dukej që ishte djalë i qytetëruar, inteligjent dhe i gdhendur sipas traditave e zakoneve çame. Pra, ishte një i ri çam plot dije, kulturë e finesë në mënyrën e të sjellurit. Të gjithëve u pëlqeu biseda me të. Të gjithë u shprehën se djem si ai ishin e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Çamërisë.
- Me të rinj si Marsel Haxhi punohet bukur. Këta janë shpresa e Çamërisë, - u shpreh entuziast Edmond Bejko.
Tekefundit ishte djalë mbresëlënës që e meritonte shkrimin. Kadriu nuk kishte gabuar në vlerësim...
E pyeta Marselin se si ia delte me huqet e babait... Ai u mendua paksa, buzëqeshi dhe tha:
- Jam djalë i vetëm dhe vetëkuptohet që e kam ca pisk me të... Me të drejtë bëhet merak dhe nuk e zë gjumi pa u mbledhur unë në shtëpi, megjithëse i kam mbushur 26 vjeç... Dhe unë jam vetedukuar të mos ia prish... Tregojnë një proverbë për marrëdhëniet at e bir, nuk e di në e ke dëgjuar... Thuhet se jetonin diku një baba e një djalë, ja kështu si im atë dhe unë. Ishin shumë të pasur... Kishin dyqane, vila hotele, toka, makina, gjithçka pa hesap... Djali mblidhej vonë pas mesnate në shtëpi dhe shpenzonte shumë e më shumë... Të gjithë e respektonin sa më s’ka dhe ai i prishte paret me thes duke i qerasur... Babai i merakosur e këshillonte të kishte kujdes dhe të mblidhej në shtëpi e të bënte jetë familjari. Djali justifikohej se kishte aq shumë miq e shokë të dashur që jepnin edhe kokën për të, prandaj s’kishte pse mbyllej si murg në shtëpi. Dhe harxhonte e harxhonte pa hesap në klube nate e në bixhoz... Babai veç psherëtinte me zemër të ngrirë...
Një ditë djali vuri re se babai kishte ndërtuar një kasolle të vogël me kallama e qerpiç mbrapa vilës ku banonin. U bë kureshtar dhe zgjati kokën brenda saj. Ishte bosh. Në mes kishte një stol dhe sipër tij varej një litar i lidhur në një nga kallamat e kulmit. Në njërin nga skajet e litarit varej një qese... Djali, i habitur, pyeti babanë se për çfarë mund t’i hynte në punë ajo kasolle. Babai psherëtiu dhe i tha se ishte plakur dhe e kishte vdekjen përmbi kokë. Do të vdiste së shpejti, por i linte një amanet që atë kasolle të mos e shiste sido që t’i venin punët. Djali i dha fjalën se do ta mbante atë amanet...
Pas ca kohësh babai vdiq, djali e varrosi, po dorë nuk hoqi nga jeta e tij dorëlëshuar... Kaluan edhe ca kohë dhe djali e humbi tërë pasurinë në bixhoz. Miqtë dhe shokët i kthyen shpinën... Kuptoi se e kishin dashur vetëm për paratë që prishte me ta... Të varfër nuk e donte njeri... I kishte mbetur vetëm kasollja e babait.
U mbyll brenda saj dhe gjithë dëshpërim vendosi të varte veten... Hypi në stol, lidhi litarin rreth qafës dhe u var, mirëpo në vend që të lëkundej e të vdiste u plas me kurriz në dysheme. Në kokë e goditi një diçka e rëndë, aq sa gati e trullosi. Ngriti sytë dhe pa se nga pesha e tij ishte thyer kallami ku ishte lidhur litari. Ishte rrëzuar edhe qesja mbi kokën e tij dhe ishte hapur duke shpërndarë përqark një grumbull me flori... Vuri re pak më tej pluskonte një copë letër... Zgjati dorën, e mori dhe lexoi: “Dhe në varr, pas bythës do të më kesh!... Babai”...
E mblodhi veten dhe më në fund e mori mesazhin e merakut të babait.
U ngrit i qeshur duke falenderuar babanë dhe me florinë që i kishte lënë i bleu përsëri pronat e veta dhe deshi s’deshi u shtrua në udhë të mbarë... Ja, kjo ishte historia që më tregonte shpesh im atë kur isha ende adoleshent... Dhe unë kam kuptuar se njeriu i mençur në këtë botë është më mirë të mësojë nga përvoja, nga vuajtjet dhe pësimet e të tjerëve, sesa nga gabimet e veta... Kjo është filozofia ime... Dhe unë, në bazë të kësaj filozofije, jam bërë djalë i mbarë e jo plangprishës...
Kur u ndamë e lamë që Marseli të vinte një ditë nëTiranë dhe të diskutonim më gjatë. Dhe ashtu u bë...
Më konkretisht, kush është prejardhja e këtij djali?...
Marsel Qemal Haxhi u lind më 13 mars 1984 në qytetin e Durrësit në një familje atdhetare me origjinë nga Paramithia e Çamërisë. Babai i tij është Qemal Selfo Haxhi, i cili ka lindur për vete në Durrës më 1 shtator 1957. Qemali thotë se të parët e tij kanë ikur nga Paramithia në 1945, si gjithë çamët e dëbuar me dhunë nga trojet amtare prej bandave zerviste greke. Selfua, babai i tij, dhe xhaxhai, Iljazi (Baba Lazi, siç e njohin durrsakët) u vendosën në Durrës, kurse vëllai i tyre, Brahimi mbeti në Fier. Brahimi ishte më i madhi i tre vëllezërve të ardhur nga Çamëria, i dyti Baba Lazi dhe i treti, Selfua, babai i Qemalit, i cili është djalë i vetëm. Tani ata të tre kanë vdekur, por rron kujtimi i tyre në mendjen e Qemalit, i cili ka kaluar një jetë me shumë vështirësi. Ai tregon se babai i tij, Selfua, u mor fillimisht me tregti, pastaj punoi disa vite në punishten e regjies së lëkurëve. Kur ishte në klasë të parë fillore Qemalit i vdiq nëna, kurse kur ishte në klasë të katërt i vdiq edhe babai, Selfua, dhe ai mbeti jetim. Mban mend se Xhelali, djali i Baba Lazit, nuk e la të përfundonte në jetimore, por e mbajti dhe e rriti bashkë me fëmijët e tij. “Kam tre fëmijë, Zenelin, Nexhatin dhe Arbenin dhe bashkë me Qemalin më bëhen katër”, - ishte shprehur Xhelali dhe e deshi njëlloj si të tijtë.
Qemali u arsimua në Durrës. Pas përfundimit të shkollës së mesme filloi punë në Ndërmarrjen Hekurudha, ku punoi si montator-saldator deri në vitin 1990, kur u shemb komunizmi. Ka punuar në të gjitha sektorët e hekurudhës nga Durrësi, në Vlorë, Pogradec e Shkodër, Hani i Hotit, kudo që ishin vinçat e ngarkesave. Ka punuar edhe dy vjetë në Fierzë për montimin e pajisjeve të hidrocentralit dhe dy vjetë në metalurgjikun e Elbasanit. Sidoqoftë pjesën më të mirë të jetës ia kushtoi hekurudhës. Madje edhe me gruan, Majlindën, u njohën në hekurudhë, ku aho punonte si magaziniere. Pas vitit 1990 u shkëput nga shteti dhe filloi të merrej me tregti. Kështu jeta e tij filloi të merrte për mbarë, duke siguruar të, duke siguruar të ardhurat e nevojshme për familjen dhe për të shkolluar dy fëmijët, djalin, Marselin, dhe vajzën, Aurorën, dtre vjet më të vogël nga vëllai.
Pra, Marsel Haxhi u rrit nën përkujdesje të madhe. E kaloi fëmijërinë në Durrës, krahas bashkëmoshatarëve çamë, mbaroi shkollën tetëvjeçare “14 Nëntori” në qytetin e lindjes dhe në vazhdim edhe gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Pas gjimnazit, në vitet 2004-2005 kreu shërbimin ushtarak në Gardën e Republikës, në togën e shoqërimit për ruajtjen fizike të personaliteteve. Më vonë punoi rreth dy vjet në polici private dhe pastaj, nën shembullin e të atit, Qemalit, iu përkushtua biznesit. Tani është menaxher i kompanisë telefonike “Eagle Mobile” për zonën Durrës-Peqin. Vazhdon edhe par-time (pa shkëputje nga puna) Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, dega Menaxhim – Biznes. Edhe motra e tij, Aurora, vazhdon Univesitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, dega “Menaxhim - Biznes”, si specialitet që i prin zhvillimit të tregtisë, fushë të ekonomisë që çamët e kanë aq për zemër, brez pas brezi... Aurora punon si operatore në “Eagle Mobile”...
Marsel Haxhi është fejuar me Malvina Lamçe, një vajzë nga qyteti i Durrësit, e cila vazhdon vitin e tretë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, dega Menaxhim-Turizëm.
Marseli, falë filozofisë së tij për të përfituar më shumë nga përvoja e të tjerëve, se nga pësimet e veta, i zgjedh shokët gjithmonë më të mëdhenj se vetja për t’i patur shembull e për të mësuar sa më shumë prej tyre. Fjala vjen, një nga shokët e tij të universitetit, shok banke, është Adrian Tane, kryetar i SHPA “Çamëria”. Ata bisedojnë shpesh për fatet e Çamërisë, bisedë të cilën Marseli e ka aq shumë për zemër saqë e hap shpeh jo vetëm me miqtë e tij çamë, por edhe me të tjerët. “Vizioni im – Çamëria, unë dhe brezi im – shpresa e saj”, - thotë shpesh plot pasion Marsel Haxhi dhe pastaj rrëfen sesi ka bërë edhe një palë targa “Dr Çamëria M”, të cilat i përdor sa herë shkon në tubimet e Qafës së Botës, në Konispol, në prag të Çamërisë, që mbahet ende peng prej grekëve, apo nëpër të tjera veprimtari të mëdha që i kushtohen asaj. Marsel Haxhi dhe babai i tij, Qemali, tanimë i janë përkushtuar bashkërisht problemit çam. I gjen shpesh në të gjitha takimet që organizojnë çamët dhe së fundi janë në mbështetje të PDU që drejtohet nga deputeti çam Shpëtim Idrizi. Ata flasin me respekt për punën e tij atdhetare. Qemali tregon se kur e dëgjoi të fliste deputetin Idrizi për herë të parë në tubimin e Qafës së Botës u entuziazmua aq shumë nga fjala e tij saqë thirri: “O Shpëtim, o mbret, Çamëria po të pret”...
- E do shumë Marselin tim, Shpëtim Idrizi, njëlloj si nipin e tij, - krenohet Qemali me të birin. - Të gjithë e duan djalin tim dhe thonë se do të bëhet i mirë si Baba Lazi, se i ngjan atij si nga pamja edhe nga mençuria. Dhe djali im do të bëhet patjetër edhe politikan, edhe deputet, figurë e zgjedhur e Çamërisë do të bëhet për hatër tim që kam sakrifikuar aq shumë në jetë... A e dini se edhe në burg përfundova në vitin 2004 kur protestuam para parlamentit shqiptar që nuk e miratoi rezolutën çame? Na gjakosën forcat speciale, por unë e mbrojta me trupin tim Servet Mehmetin, kryetarin e SHPA “Çamëria” dhe u thashë policëve: “Mermëni mua në burg dhe jo kryetarin”. Dhe përfunduam nja njëzetepesë vetë në burg atëherë... Po nuk e lëshova veten për hatër të vatanit, Çamërisë, se e duam shumë, ta shohim të lirë sa më parë, njëlloj si Kosovën. Dhe shpresoj shumë që djali im, Marsel Haxhi, t’i dalë zot Çamërisë. Ai dhe shokët e brezit të tij janë shpresa e saj...
Marsel Haxhi, ky djalë kaq i mbarë që e dëgjon me vëmendje fjalën e më të mëdhenjve, i apasionuar pas udhëtimeve njohëse nëpër vende të piktoreske si në Zvicër, Gjermani, Itali etj., ëndërron që udha më e bukur e jetës së tij të jetë ajo që do ta shpjerë në Çamërinë e lirë... Ai ka shkuar kalimthi nëpër bregdetin çam, për t’u njohur me trojet stërgjyshore të të parëve të tij të zaptuara nga të tjerët, por të çlirosh vatanin është detyrimi më i madh para njerëzne dhe Zotit...
- Dua të jem zot i Çamërisë së lirë, kjo është ëndrra ime më e madhe, - thekson plot krenari djaloshi çam Marsel Haxhi.
Dhe përpiqet gjer në pamundësi për ta bërë realitet këtë ëndërr...

Shefki Hysa

No comments: