Tuesday, April 29, 2008

KUR PUSHOJ NË SARANDË
(Mikut tim, historianit Beqir Meta)

Kur vete me pushime në Sarandë,
Deti i pari më hap krahët,
Më pret,
Aromën e Çamërisë,
Vendlindjes së prindërve të mi,
Me ullinj e portokalle,
Më sjell.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Im at që s’është më,
Ende më qorton
Që vizitën s’e bëra
Në shkollën ku mësoi një shekull më parë,
Në konviktin "Çamëria".

Kur vete me pushime në Sarandë,
Ulem e shlodhem me Bilalin pak,
Të fala nga miqtë e shumtë i jap,
Që kurrë s’e harrojnë në Shijak.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Nëna ime e vjetër, tri gjëra më kërkon mua:
Pak bukë misire,
Ca ullinj,
Pak mish të hollë mbledhur në kartë
Me aromë Çamërie.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Si nuse me tel, prapa maleve,
Më shfaqet Çamëria.
Zgjohem e mundohem ta prek pak,
Por ajo ikën, ikën… me ëndrrat e mia…

Eh, sa herë në Sarandë vete me pushime!…

Aqif Dino

Janar, 2008

No comments: