Wednesday, January 30, 2008

Nga Vitore Stefa-Leka

Ylli që flakëron
(Në kujtim të komandant "Shpendit")

Para disa ditësh më erdhi një libër nga Shqipëria. Jam aq e emocionuar sa nuk po e lëshoj dot nga dora. Flet për nje yll të pa shuar që sot nuk është më… Një djalë që e kam takuar dy herë në jetën time… Një trim me fletë, një njeri i rrallë…

Librin ma dërgoi miku im, Ing. Bardhyl Llagami, i cili gjithë përmbledhjen me poezi, ia dedikon djalit të tij Skerdilajd Llagami, që u shfaq si një yll që flakëroi dhe vazhdon të lëshojë dritë edhe mbas vdekjes së parakohshme…Një tufë me poezi… Besoj se është libri i parë në vargje që shkruhet nga dora e një babai për të birin... Libri i parë me poezi që një prind shkruan për djalin e tij të vetëm, Atdhetarin sy pa trembur, i cili ia përkushtoi jetën e tij çështjes kombëtare dhe bëhet themel-gjaku për Atdheun… Këto poezi, në vend të penës, janë shkruar e larë me lot!…
Skerdilajd Bardhyl Llagami u lind në Tiranë më 31 tetor 1969, në një familje të vjetër qytetare tiranase. Nga kjo derë e këtij fisi, kanë dalë shumë intelektualë, pjesa më e madhe e të cilëve janë diplomuar për drejtësi e gjuhë. Skerdi ishte fëmija i parë i ing. Bardhyl Llagamit. Që në bankat e shkollës së mesme "Myslym Keta" Skerdi shquhej për fizikun e tij dhe i nxitur nga i jati, filloi të merrej me sport, me ushtrime të ndryshme sportive dhe premtonte rezultate të larta në garat e vrapimit në atletikë…Nuk e vazhdoi më tej këtë lloj sporti, por u fut në punë në kombinatin e tekstileve ku i jati fillimisht ishte si inxhinier e më vonë u bë kryeinxhinier i atij kombinati… Që në hapat e para të rënies së diktaturës, ashtu si pjesa më e madhe e popullit dhe rinisë, u përfshi në proceset demokratike, duke qenë përkrahës i lëvizjes së dhjetorit dhe në vitet më vonë, u bë një nga veprimtarët e njohur të Partisë Demokratike… Krahas këtyre angazhimeve, Skerdi nuk e la pas dhe pasionin e tij për sportin!

Fiziku i tij u bë shkak që e morën si efektiv në forcat speciale (BRISKU) ku u shqua për vigjilencë. Në vitin 1999, Skerdi u largua nga Shqipëria, pa lajmëruar asnjë nga pjesëtarët e familjes. Skerdi nga natyra ishte shumë i dhibmsur dhe i ndjeshëm. E dinte debulesën prindërore! Si djalë i vetëm që ishte, prindërit nuk do ta linin të shkonte në lufte. Ai prekej shumë nga vuajtjet dhe mjerimi i të tjerëve, Duke parë në televizor shpërnguljen masive që po i bëhej vëllezërve të një gjaku, vëllezërve kopsovarë, duke parë tablotë rrënqethëse të masakrave serbe ndaj një popullsie të pafajshme, Skerdi u largua për t'ju bashkangjitur rradhëve të UÇK-së. Kaluan ditë, jave e muaj që familja nuk kishte asnjë lajm për Skerdin… Prindërit dhe gjithë fisi nuk lanë vend duke pyetur për të mësuar ndonjë lajm për "zhdukjen" e Skerdit… Ngushëllonin ndonjëherë veten duke thënë se mos ka ikur jashtë të punojë si shumë të rinj të tjerë, po secili vetëm me gojë e thoshte se thellë në shpirt kishin parandjenjën se ai ishte atje, krahë për krahë me trimat e UÇK-së.Disa muaj më vonë, duke ndjekur si gjithmonë lajmet e luftës, në një intervistë që iu bë një të riu shqiptar, Dritan Dyrmishit, në një pyetje që ju be, se kush ishin luftëtarë të tjerë nga Shqiperia, ai u pergjegj: Skerdilajd Llagami, komandant i batalinonit, që gjendet atje ku vdekja është më e sigurt.

Pas kaq muajsh morën frymë lirisht në shtëpi, kur mësuan që të birin e vetëm e kanë gjallë.Emri i Skerd Llagamit ishte bërë shumë i njohur në UÇK për guximin, trimërinë dhe shpirtin e tij luftarak, që kishte treguar në të gjitha betejat e sidomos në zonën e rrafshit të Dukagjinit, ku ai ishte caktuar si komandant batalioni (Komandant Shpendi).Dhe pse familjaret e mësuan edhe vendndodhjen, nuk po arrinin të komunikonin me telefon, Kjo gjë vazhdo për muaj me rradhë.
Lufta mbaroi dhe Skerdi nuk po kthehej në shtëpi. Ankthi te pjesëtarët e familjes, sidomos te nëna e tij, ishte bërë i pa duruar. Vetëm në shkurt të vitit 2001, babai dhe nëna, ia dëgjuan për herë të parë dhe të fundit zërin djalit të tyre 33 vjeçar! Fliste nga lugina e Preshevës. Kishte vazhduar t’u bashkangjitej forcave çlirimtare aty. Midis atyre pak fjalëve që shkëmbyen, Skerdi u tha prindërve që të mos mërziteshin se së shpejti do kthehej në Tiranë, sapo të mbaronte disa pune. Lufta nuk ka mbaruar akoma u tha…

Po dhe pas përfundimit të luftimeve në luginën se Preshevës, Skerdi nuk u kthye në Tiranë, siç premtoi, po u vendos në malet e Sharrit mbi Tetovë ku sapo ishte krijuar UÇK-ja e shqiptarëve të Maqedonisë. Skerdin e caktuan me detyrën e komandatit në një njësi speciale. Ai mori pjesë në disa luftime, ku shquhej për trimërinë e tij të rrallë.

Më 29 qershor 2001 ra duke luftuar heroikishte në fshatin Begovi, afër Tetovës, në përleshje me forcat e Ministrisë së brendshme të Maqedonisë. Pas vrasjes së tij, njësia mori emrin e komandant "Shpendit". Komandanti që u kthye në legjendë! Djali bukurosh që dinte të komunikonte me të gjithë, që ishte i dashur me miqtë e shokët, por shumë i ashpër dhe i hekurt me armiqtë e popullit.

Pra komandant "Shpendi" u varros me nderime shumë të mëdha nga shokët e luftës aty ku u vra. U varros rrëzë malit të Sharrit, afër një xhamije, ku çdo ditë do gjesh lule të freskëta nga shokët dhe miqtë e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve që dhanë jetën për Kombin!I përjetshëm dhe i pa harruar kujtimi i Skerdilajd Bardhyl Llagamit!…

Poezi nga libri "Krahët e Shpendit"

Nga Bardhyl Llagami

Guri i themelit

Në Tiranë s'të harrojnë
Shkollat edhe bangat,
"Brisku", shokët të kujtojnë,
Kur luftove bandat.
Ishte nëntëdhjeteshtata,
Vendi përpak humbi,
E stërgjatë ishte nata,
Pillte rreshje plumbi.
Po ti bir, ti, ku flije?
Dit' e natë përmbi tank,
Syri të kishte marrë hije,
Balli, gjak e plagë.
Të kujtohet, moj Koshare,
Predhat kur lëronin vendin,
Ato binin me batare
Ato donin "Shpendin".
Të ndërmendet Dukagjini,
Djali me kallash në dorë,
Netëve gjer në agim,
Nëpër malet me dëborë.
Moj Gjakov' e papërkulur,
Kush të pa, s'të deshi ty?
Në Pashtrik s'rri më ulur.
Porse zemra bash aty!
Ti lugina e Preshevës,
Moj lugin' e madhe,
E ke parë para predhës?
Hidhej një sorkadhe!…
Dobrosini e mban mend,
Kur sulmonte "Shpendi",
Kundratanku si u "çmend",
Si buçiti vendi?
O ju fusha e lugina,
Erdha dhe ju pashë,
"Erën kurrë mbrapa shpinës"
Amanet, ju lashë!…
Mos u nis prapë në luftë,
Thanë shokët në Prizren,
"Shtatë lufta po të bëhen,
Do t'i bëj për vendin tim".
Moj Tetovë, lum si ti,
Sa Petrita, sa luanë,
Rrëzë Sharit ku rri ti,
Shqipërinë në zemër kanë.
Nëpër ëndrra ti na del,
Je në zemër, përmendore,
Mbete guri në themel
I kështjellës Arbërore!...

No comments: